58-vjeçari invalid nga Dragoti i Tepelenës pa çati mbi kokë apel për ndihmë: Marr pension 7 mijë lek, s’mjafton për ilaçe! Kërkoj shtëpi

16 Janar, 15:46| Përditesimi: 16 Janar, 15:54

  • Share

Çifti Kalaj jeton në qiell të hapur për shkak të pamundësisë për të siguruar një strehë.

58-vjeçari Kalo Kalaj banor i fshatit Dragot në Tepelenë është i paaftë për punë ndaj trajtohet me pension invaliditeti prej 7 mijë lekësh në muaj.

Jeton në këtë ngrehinë, me katër mure pa çati mbi krye. Kishte nisur ta ndërtonte shtëpinë e re para disa vitesh, por një aksident rrugor i ndërpreu ëndrrën për të punuar e gëzuar një shtëpi të re.

“Jam invalid, kam protezë në këmbë. Skam të ardhura. 7 mijë lek marr KEMP. Jetoj në qiell të hapur! Kam pasur shtëpi të vjetër dhe është shembur nga koha dhe nuk kemi më mundësi t'i ndërtojmë me 7 mijë lek.’- thotë ai.

Kalo me bashkëshorten flenë në dysheme, ndërsa me bukë i mbajnë të afërmit. 58-vjecari ka pësuar aksident para tre viteve, duke mbetur sakat. Edhe e shoqja është e papunë. Të ardhurat e kësaj familje janë 10 mijë lek në muaj, 7 mijë pension invaliditeti dhe 3 mijë asistencë sociale.

“Edhe me bukë më mbajnë shoqëria e miqësia. Edhe gruaja është pa punë... me 7 mijë lekë të pensionit tim jetojmë të dy. Ne bukë thatë hamë, me të falur. Edhe për Vit të Ri dy kofsha pule. Ç’na ka dhënë shoqëria jo se kemi mundësi të blejmë”.- thotë ai.

Një copë llamarine e mbron nga shiu, ndërsa plastmaset për t’u mbrojtur nga era pasi fshati Dragot ndodhet nën rrymën e Grykës së Këlcyrës.

Çfarë kërkon?

'Shtëpi kërkoj se me 7 mijë lek nuk kam ça bëj. Ça shteti kemi ne? Po të isha i saktë, nuk i doja ato lek, por jam sakat. Kërkoj një strehe dhe një pension invaliditeti më të lartë. Në prill duhet të shkoj tek KEMPI EPROR në Tiranë për të bërë dokumentet. Më shkojnë 1 milionë e gjysmë lek për të bërë dokumentet e për ta marrë përsëri në prill se mund të ma heqin dhe atë.'- tha ai.

Edhe pse ka kërkuar ndihmë, bashkia e Tepelenës nuk i ka siguruar banesë, por vetëm asistencën. Përmes Report TV invalidi Kalo Kalaj apelon për ndihmë.

“Shteti të vërë dorën në zemër se jemi njerëz!”.- u shpreh ai.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?