DURRES- Shtabi i emergjencave në Qarkun e Durrësit ka zhvilluar ditën e djeshme mbledhjen e radhës në drejtimin e zv. ministres së Brendshme Rovena Voda. Sipas Bashkisë Durrës nga 6 janari e deri më sot, 2496 familje të cilave iu dëmtua banesa nga tërmeti i 26 nëntorit po marrin në bankë bonusin e qirasë, ndërkohë dy listat paraprake të miratuara deri tani nga këshilli bashkiak janë gjithsej 3863 emra.
Aktualisht në hotelet e qytetit të Durrësit janë të akomoduar 590 persona (175 familje) nga 3000 persona që ishin të strehuar në dhjetor, ndërsa deri më sot Bashkia e Durrësit ka miratuar 58 leje të tilla për riparimin e objekteve si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.
Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj theksoi se po vijon puna për të përshpejtuar punën në procesin e bonusit të qirasë, procesin e rindërtimit, dhënien e lejeve të përshpejtuara me qëllim rikthimin e familjeve sa më shpejt në shtëpitë e tyre.
Në mbledhjen e shtabit të emergjencave ishin të pranishëm edhe prefekti Roland Nasto, zv/ministrja Ornela Çuçi, drejtori i policisë së qarkut Lorenc Shehu, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, koordinatori i Zyrës së Bashkëqeverisjes Ernest Pupla si dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Durrës.
Komente
