Përkujtohet 579-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Ndreu: 2 marsi duhet të shpallet festë kombëtare

2 Mars 2023, 10:20| Përditesimi: 3 Mars 2023, 09:42

  • Share

Sot mbushen plot 579 vite nga Besëlidhja e Lezhës që u mbajt në 2 mars të vitit 1444 ku u hodhën themelet e shtetit të parë të mirëfilltë shqiptar.  Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu dhe përgjegjësi i trashëgimisë kulturore Paulin Zefi, përsëriten kërkesën që 2 marsi të kthehet në festë kombëtare.

“Nuk do resht së lobuari që kjo datë të kthehet në festë kombëtare. asnjë datë që lidhet me skenderbeun nuk është vlerësuar si festë mbarëkombëtare”, tha Pjerin Ndreu kryetar i bashkise Lezhe.

“Është ngjarja më e rëndësishme në historinë e popullit shqiptar”, tha   Paulin Zefi përgjegjës i trashëgimisë kulturore Lezhë.

Deputeti i Kuvendit të Malit të Zi Genc Simanbegu dhe drejtues të komunave të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut theksuan se mesazhet e besëlidhjes së Lezhës janë të vlefshme edhe sot.

“Ne jemi mbledhur të japim mesazh që si një komb me gjuhë të përbashkët do jemi bashkë në sfida. Kjo datë e rëndësishme duhet të jetë festë në gjithë trojet kombëtare”, u shpreh Genc Simanbegu deputet i Kuvendit te Malit te Zi.

Me rastin e 2 marsit u zhvillua dhe festivali folklorik “Lezha 2023”, ku morën pjesë grupe artistike të shkollave.

E mbajtur në katedralen e ‘Shën Kollit’ në Lezhë, Besëlidhja e Lezhës ishte një aleancë ushtarake mes princave arbërorë të kohës me qëllim formimin e një boshti të fortë kundër perandorisë osmane që kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve.

Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.

Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman. Kuvendi realizoi Besëlidhjen e madhe shqiptare, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti  ynë kombëtar .

Në vigjilje të këtij 579 vjetori, në memorialin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, mbrëmjen e djeshme në Lezhë është shfaqur muzeu virtual ku ishin projektuar imazhet e 2 marsit të vitit 1444.

Muzeu virtual që u organizua për herë të parë në kuadër të Besëlidhjes së Lezhës, tërhoqi vëmendjen e shumë qytetareve të cilet e vizituan nga afër memorialin e Gjergj Kastriotit, duke parë dhe fokusuar në celularin e tyre imazhet e Besëlidhjes së Lezhës.

Aktivitetet në kuadër të 579-vjetorit të Besëlidhjes së Princave shqiptarë kanë nisur që prej mbrëmjes të 28-shkurtit dhe pritet të kulmojnë ditën e sotme në 2 mars.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Viva Albania: 02/03/2023 15:55

    Po kjo duhet të jetë Festë Kombëtare,e Presidenti duhet të ishte aty në Alessio me Kunorën e Martirëve të Kombit Iliro=Arbnor!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?