Duke nisur nga ora 12:00 e mesditës së sotme dhe deri rreth orës 17:00 përfaqësues së ekipit të Skënderbeut, kanë dhënë dëshmitë e tyre para Komisionit të Apelit në zyrat e UEFA-s në Nyon të Zvicrës.
Pas rreth 6 orë pyetjesh dhe përballje faktesh, përfundon paraqitja e përfaqësuesve të Skënderbeut përballë Komisionit të Apelit të UEFA-s.
Përveç presidentit Ardjan Takaj, ka dëshmuar edhe Sabien Lilaj, i cili ishte i kërkuar nga vetë anëtarët e Komisionit të Apelit. Gjithashtu, me anë të një video-konference nga Korça, ka folur edhe futbollisti afrikan Bakari Nimaga, i cili nuk ka udhëtuar në Zvicër për shkak të dokumentacionit.
Janë pyetur me radhë edhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi (tani trajner i Lirisë së Prizrenit), ish-mesfushori kosovar Bernard Berisha (luan me Akhmat Grozny në Rusi), si dhe Liridon Latifi (Akadema Pushkash në Hungari), të tre protagonistë vite më parë me Skënderbeun në grupet e Europa League.
Komisioni i Apelit pritet të japë vendimin pas një jave nga kjo seancë dëgjimore, por dënimi prej 10 vitesh nga kupat e Evropës dhe gjoba prej 1 milion euro nuk besohet se do të hiqen apo reduktohen.
Bëhet fjalë për një gjykim që bëhet brenda UEFA-s nga dy komisione të të njëjtit organ dhe në bazë të precedentëve, Komisioni i Apelit nuk ka përmbysur një vendim të dhënë më parë nga Komisioni i Disiplinës apo i Etikës së UEFA-s.
Mundësitë për klubin korçar janë për në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës, ku drejtuesit e Skënderbeut do të kërkojnë pafajësinë, e premtuar kjo edhe nga avokatët që po merren me këtë çështje.