6 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës! Vatikani nxjerr monedhën me vlerë 2 euro me imazhin e shenjtores

5 Shtator 2022, 08:19| Përditesimi: 5 Shtator 2022, 11:26

  • Share

TIRANË-  “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme dhe shenjtorja e të varfërve të të gjithë botës e cila kurrë nuk e harroi origjinën e saj. Si sot 6 vite më parë, më 5 shtator 2016, nëna e madhe e të varfërve, fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore.

Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997. Murgesha 'u lumturua' në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit tha se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Ora 14:08
Shën Tereza nderohet nga Papa, por edhe në Kalkutë: Buzëqeshje e bamirësi, veçmas për ata që vuajnë

U nda nga jeta në 5 shtator të 1997-ës në moshën 87-vjeçare,  Papa Françesko kujton sot në vitin e 6-të të Shenjtërimit të Shën Terezës, themeluesen e Misionareve të Bamirësisë, një nga simbolet më të forta të shekullit të XX, të vlerësuar me çmim Nobel. 

Përmes një statusi në Twitter Papa përsërit fjalët e saj lidhur me bamirësinë e buzëqeshjen. “Ndoshta nuk flas gjuhën e tyre, por mund të buzëqesh”.  Ftesa e Papës në ditën e përkujtimit të Shën Terezës, është të mbartim në zemër buzëqeshjen e saj e t’ia dhurojmë atyre që hasim në rrugëtimin tonë, veçmas, atyre që vuajnë. Pasi kështu “do të mund të hapim horizontet e gëzimit dhe të shpresës”, shkruan ai. 

Sot në Kalkutë ku prehet e misionaret kanë 19 shtëpi, siç përcjell Vaticannews, mbahet një festë e madhe, e cila do të shoqërohet edhe me inaugurimin e një strukture të re për fëmijë. Do të mbahen dyert e hapura dhe për Meshën dhe Homazhin në varrin e Shenjtores, ndërsa në të gjithë vendin do të ketë ceremoni përkujtimore.

Postimi në Twitter
Ora 10:43
Shenjtërimi i Nënë Terezës, Ministrja e Arsimit mesazh të ndjerë për mësuesit dhe nxënësit me fjalët shenjtores

1662367505_nene.JPG

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës ka përzgjedhur një mesazh të veçantë të shenjtores për mësuesit dhe nxënësit.

Duke dëshmuar madhështinë dhe modestinë e figurës së Nënë Terezës Ministrja Kushi shkruan:

"Nënë Tereza thotë: 'Ne vetë ndiejmë që ajo që bëjmë është thjesht një pikë uji në oqean, por oqeani do të ishte i mangët pa atë pikë.'

Ky është motivi që duhet të këtë çdo mësues në punën e tij çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, me çdo nxënës. Përpjekjet e secilit prej jush, sado të vogla qofshin, të gjitha bashkë bëjnë oqeanin e madh të dijes e të vlerave për fëmijët tanë."

Faleminderit nxënëses së talentuar Xhulia Shkreli për këtë vizatim të bukur të portretit të Nënë Terezës!

Ora 10:15
Shenjtërimi i Nënë Terezës, Kryemadhi: Model frymëzimi! T’i edukojmë brezat mbi veprat e saj të mëdha

Në gjashtë vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Monika Kryemadhi kujton shenjtoren. Ajo shkruan se Shën Nënë Tereza është model frymëzimi që na tregon se ndryshimi pozitiv buron prej secilit prej nesh, nga çdo akt sado i vogël, që bëjmë me dashuri e në përkujdesje për të tjerët.

“Shën Tereza e shqiptarëve dhe botës, model frymëzimi që na tregon se ndryshimi pozitiv buron prej secilit prej nesh, nga çdo akt sado i vogël, që bëjmë me dashuri e në përkujdesje për të tjerët. Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës, le të na rikujtojë se duhet të bëjmë më shumë, si shtet dhe shoqëri, në promovimin dhe edukimin e brezave të rinj mbi veprat e mëdha të saj.”, shkruan Kryemadhi.

Ora 10:07
Shenjtërimi i Nënë Terezës, Meta: Frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në gjashtë vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, kujton shenjtoren. Meta shkruan se Shën Nënë Tereza është simboli i jashtëzakonshëm  i nënës shqiptare, frymëzimi që nxit për të bërë gjëra të vogla me dashur të madhe.

"Kremtimi i Shenjtërimit të Nënë Terezës na kujton sot rëndësinë e shërbimit me dashuri, përulësi dhe përkushtim ndaj kujtdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet dhe përkrahje sociale, si dhe për t'u angazhuar fuqimisht për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për të hapur horizonte të reja shprese dhe lumturie, për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të dhembshur dhe pranë halleve të përditshme të qytetarëve.

Shën Nënë Tereza, simboli i jashtëzakonshëm i nënës shqiptare është frymëzimi që na nxit çdo ditë për të bërë gjëra të vogla me dashuri të madhe", shkruan Meta. 

 

Ora 09:32
Vatikani nxjerr monedhën e veçantë me vlerë 2 euro me portretin e Nënë Terezës

Në 6-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Vatikani ka zgjedhur që ta kujtojë shenjtoren shqiptare me një monedhë të veçantë. Selia e Shenjtë do të nxjerrë monedhën me vlerë 2 euro, që mban portretin e Nënë Terezës, e realizuar nga artistja Orietta Rossi.  Në anën e pasme është Nënë Tereza duke mbajtur në krahë një fëmijë indian. Ky imazh  pasqyron gjithë dashurinë dhe përkushtimin që Nënë Tereza ofroi për të lehtësuar vuajtjet e “më të varfërve të të varfërve”.

Ora 09:14
20 shprehje frymëzuese nga Nënë Tereza

1662359508_NENETEREZA1.jpeg

“Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.”

“Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtetë pa fund.”

“Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.”

“Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.”

“Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.”

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.”

“Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.”

“Po prisja të isha e lirë, por Zoti ka planet e Tij.”

“Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen.”

“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”

“Disa njerëz vijnë në jetë si bekim. Disa të tjerë vijnë si mësim.”

“Nëse jeni të dekurajuar, kjo është një shenjë e krenarisë, sepse kjo tregon se keni besim në fuqitë tuaja.”

“Gjithmonë kur takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie.”

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”

“Në qoftë se ne të vërtetë duam të na duan, duhet të mësojmë se si të falim.”

“Dashuria fillon duke u kujdesur për më të afërmit.”

“Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit pa dashuri”

Ora 08:46
Shenjtërimi i Nënë Terezës, Basha flet me fjalët e shenjtores: E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende! Kështu që ka mbetur vetëm e sotmja

1662360437_1662359484NENETEREZA5.jpg

Me fjalët e vetë Nënë Terezës ka zgjedhur që përkujtojë shenjtoren në këtë ditë të veçantë për popullin shqiptar, ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai shkruan se Nënë Tereza ka dhënë shembullin se si me këmbëngulje mund të arrihet gjithçka.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo është një ditë e veçantë për mbarë kombin shqiptar dhe ne të gjithë krenohemi me Nënë Terezën, veprën dhe trashëgimin e saj. Nënë Tereza na ka dhënë një shembull të madh se si me besim, dashuri dhe këmbëngulje mund të bësh gjëra të mëdha për ata që kanë më shumë nevojë. Nën shembullin e saj le të bëjmë të gjithë nga pak për një jetë më të mirë për çdo shqiptar.“E djeshmja ka shkuar, e nesërmja nuk ka ardhur ende. Kështu që ka mbetur vetëm e sotmja. Le të fillojmë”, shkruan Basha.

Ora 08:39
Presidenti Begaj: Shenjt Tereza, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën! Na fton të kultivojmë vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë

1662360204_nenetereza.JPG

Presidenti Bajram Begaj ka thënë se shenjtorja Nënë Tereza është dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor. Gjithashtu shtoi se shembulli i saj i fton të gjithë të shohin brenda vetes për të kultivuar dashurinë për tjetrin.

“Shenjt Tereza e Kalkutës, dëshmi e gëzimit, që buron nga dashuria për jetën dhe për madhështinë e dinjitetit njerëzor. Bija shqiptare është simbol i mohimit të privilegjit vetjak dhe shërbimit të pakursyer ndaj të vuajturit, të uriturit, të pamundurit e të harruarit.

Në një botë, që rend drejt materiales, shembulli i saj na fton të shohim brenda vetes, brenda familjeve dhe shoqërive tona për të kultivuar dashurinë për tjetrin dhe vlerat më të mira shpirtërore të popullit tonë, të cilat Nënë Tereza i ka lartësuar si askush tjetër në botë. E sotmja duhet të jetë një ditë reflektimi për secilin prej nesh për më shumë solidaritet për të afërmin, dashuri për njëri-tjetrin dhe shërbim për vendin!”, shkroi Begaj.

Ora 08:35
Rama poston foto të Nënë Terezës: Gruaja e paqes në botë

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin e sotëm me një foto të shenjtores Nënë Tereza, ku ka uruar miqtë në rrjetet sociale “ditë të mbarë”.

“Mirëmëngjes. Dhe në këtë ditë të shenjtërimit të gruas së paqes në botë, shqiptares nënë tereza, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jari: 05/09/2022 13:30

    Po Mona ça lidhje ka me Nënë Terezën e cila ishte Bamirse, Shënjëtire, ndësa Mona një Ordinere, një hajdute e moderuar, se ça mesazhi jep Mona, këtë se kupton as Peço Vasili, e jo më Brahimllari, këta të LSI janë të lindur vetëm për të na xhvatur neve ku kanë Surrat për mesazhe, Jazëk.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?