Protesta në Izrael

Bota

'60 mijë të vdekur, e turpshme', veteranët izraelitë protestojnë kundër luftës në Gaza: Djemtë tanë nuk janë mburojë e mbijetesës politike të Netanyahut

13 Gusht, 10:06| Përditesimi: 13 Gusht, 10:10

  • Share

Barush Halachmi ka shërbyer për më shumë se 20 vite në ushtrinë izraelite. Ka qenë i pranishëm gjatë luftës së Yom Kippur-it në vitin 1973 dhe në Liban në vitin 1982. E do vendin e tij, por nuk ka frikë të flasë. Në moshën 83-vjeçare, në një natë të nxehtë, ka dalë në shesh për të protestuar. "Lufta në Gaza duhet të përfundojë, menjëherë. Duhej të kishte përfunduar që shumë muaj më parë, por Netanyahu është një gënjeshtar, gënjen dhe është gjithashtu nën proces gjyqësor", thotë teksa vullnetarët i ofrojnë ujë për t’i rezistuar vapës dhe ish-bashkëluftëtarë i shtrëngojnë dorën. Janë disa qindra, të gjithë pilotë të Forcave Ajrore, veteranë jashtë shërbimit aktiv, që kanë vendosur të mblidhen në një protestë të rrallë kundër përshkallëzimit të ri në Rripin e Gazës. Është një pjesë e historisë ushtarake të Izraelit që parakalon disa hapa larg selisë së Ministrisë së Mbrojtjes, Kyria, e kthyer në një vend simbolik të protestave që prej javësh përfshijnë Izraelin.

Vijnë me fotografitë e pengjeve dhe flamujt e verdhë, me pankartat “ndaloni luftën” dhe me megafonë për fjalimet. Abner Raanan, 75 vjeç, me një triko të zezë dhe medalionin e skuadronit të tij në qafë, e thyen me vështirësi heshtjen. "Në luftë ka ligje dhe ne gjithmonë i kemi respektuar. Tani është krejt ndryshe: 60 mijë të vrarë janë një turp, nuk kemi bërë kurrë kaq shumë viktima, por përgjegjësia nuk është e ushtarëve, është e qeverisë që nuk i jep fund këtij konflikti". Shumë vite më parë, në vitin 2003, Raanan ishte ndër 14 firmëtarët e një letre drejtuar ekzekutivit, ku kritikohej një operacion ushtarak gjatë të cilit u shkatërruan dy pallate të banuara nga civilë. "Bombardimi i shtëpive, i tëra lagjeve në Gaza, nuk është i nevojshëm".

Kjo nuk është më një luftë për "sigurinë e Izraelit, por një luftë politike", thotë Ehud Izedroni, 70 vjeç, me 25 vite shërbim në Forcat Ajrore. Pas moshës 50-vjeçare, pilotët nuk mund të marrin më pjesë në luftime, por mund të trajnojnë edhe për një dekadë tjetër. Deri gjashtë vite më parë, Izedroni ishte pjesë e rezervës. "Parti që janë zgjedhur një vit para 7 tetorit dhe që nuk e kanë më shumicën në shoqërinë izraelite vazhdojnë të na mbajnë në këtë konflikt të gabuar, të panevojshëm, që nuk të çon askund. Njerëz si Smotrich, që nuk kanë shërbyer asnjë ditë në jetën e tyre". Izedroni u njeh “vëllezërve të armëve” kompetencë dhe moral. "Ne dimë si ta bëjmë punën tonë, por jemi peng të një qeverie që nuk ka asnjë plan politik për pasluftën". Disertimi? Nuk është një temë e lehtë për veteranët e kësaj shesheje. Ata nuk e kanë këtë dilemë, por djali i Izedronit po: është në moshë shërbimi, si gjithë brezi i tij. "E di që në skuadronët aktivë ka shumë dyshime, dilema, shumica e djemve do të donin që kjo luftë të përfundonte". 
Për operacionin “Karrocat e Gedeonit” IDF ka thirrur në shërbim 100 mijë rezervistë, rreth 30% e të cilëve kanë refuzuar. Me arsye të ndryshme – ekonomike, familjare, morale. Kush dezerton, dënohet me burg. Dhe në burgun ushtarak numër 10, më të madhin në vend, nuk ka më vend: duhet të futesh në listë pritjeje. "Shumë rezervistë po refuzojnë", tregon Guy Poran, një nga organizatorët e manifestimit. "Por të tjerë, edhe pse kundër luftës, ndjejnë detyrimin t’i japin mbulim ajror trupave tokësore, derisa të dërgohen në Gaza". Çështja, sërish, është politike, jo ushtarake. "Nuk mund të luftosh një luftë guerile nga lart ose me trupa tokësore: mund të vrasësh deri te militanti i fundit i armatosur, të nesërmen do të lindë një tjetër. Duhet politika", thotë Izedroni.

Në skenën e improvizuar me një tavolinë plastike dhe një karrige të verdhë ngjitet Danny Halutz, gjeneral-lejtnanti që ka drejtuar si Forcat Ajrore ashtu edhe gjithë ushtrinë izraelite, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të IDF. "Vazhdimi i zgjerimit të luftës në Gaza nuk do t’i sjellë më shumë siguri Izraelit. Pengjet do të vdesin, ushtarët do të vriten, mijëra civilë të tjerë të Gazës do të humbasin jetën, bota do të rrisë neverinë dhe masat kundër nesh, dhe Izraeli nuk do të arrijë të eliminojë guerilasin e fundit", thotë ai, ndërsa protestat e vogla dhe të mesme shtohen në gjithë vendin. Në 300 metra largësi nga veteranët e Forcave Ajrore protestojnë familjet e pengjeve, e pak kilometra më tej ka një protestë nga refuzuesit, adoleshentë që refuzojnë të shërbejnë. Ata po mbajnë nën vëzhgim një hotel ku strehohen drejtues të Fondacionit Humanitar të Gazës, shoqëria kontroverse të cilës qeveria izraelite i ka besuar shpërndarjen e ndihmave në Gaza. Është aty edhe dirigjenti Ilan Volkov. Kanë sjellë një parullë ku shkruhet: “GHF është e njëjtë me Genocide Hunger Foundation”. "Do t’i gjejmë, do t’i ndjekim dhe do t’i bllokojmë kudo derisa rrethimi të përfundojë, ushqimi të rrjedhë lirisht në Gaza dhe GHF të shpërbëhet".

Rebelimi ka mbërritur deri në jug, ku një grup prej 150 grash, nëna të ushtarëve, janë vendosur në tenda pranë kufirit me Gazën. Ato kërkojnë fundin e luftës: "Djemtë tanë nuk janë mburoja njerëzore për mbijetesën politike të Netanyahu-t"./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?