SHKODËR- Në 4 dekada, mbi 60 role të ndryshme! Për familjarë, miq e kolegë, ndarja me Enver Hysenin ka qenë e vështirw. Ndër vite, ai i dhuroi jo vetëm spektatorit, por edhe vetë aktorëve të çdo brezi kujtime të paharrueshme. Koleget e kujtojnë si “shembulli pozitiv në jetë e në skenë”, e ndërsa theksojnë se Shkodra ka humbur një artist të madh, por edhe një njeri të mrekullueshëm.
“Për të gjithë nga ne është një njeri i shtëpisë, që kemi qarë hallet tona, jo vetëm të teatrit po edhe të shtëpisë”, u shpreh Rita Gjeka.
“Shkodra humbi një artist, por mbi të gjitha ai ishte një njeri i paharrueshëm, njeri që jetën e tij ia kushtoi familjes, profesionit dhe shoqërisë. Mendoj që kujtimi për Enverin do jetë sat ë jemi gjithë gjallë”, tregon artisti Agron Dizdari.
“Nuk ishte vetëm koleg, ishte një mik shumë i mirë, një shok i pakrahasueshëm. Për gjithçka mund ta thërriste dhe mundohet të të qetësonte, të të jepte zemër, ishte gjithmonë si një baba apo një vëlla i madh”, tha Merita Smaja.
“Krahu i djathtë për gjithçka, mik i shtrenjtë. Fjala “i paharruar” është shumë pak për të” , shprehet Arben Spahia.
Enver Hyseni u nda nga jeta në moshën 71-vjecare pas një sëmundje të rëndë. Prej 4 dekadash ai ka luajtur më shume se se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Enver Hysenin e kujtojmë në të shkuarën në dramat “Baca e Gjetjave”; “Ceshtja e Blertes”; apo edhe tek filmi televiziv “Flaka e maleve” . Në vitin 2019 aktori shkodran është ngjitur në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me monodramën e shkruar nga Stefan Capaliku “Dome”. Ai do të kujtohet gjithmonë si aktori që jo vetëm në jetën reale, por edhe në skene dha veçse pozitivitet…