60 vite krijimtari në art/ Rrëfehet piktori i 30 filmave, nga ‘Nëntori i dytë’ tek ‘Mao Ce Duni’

14 Dhjetor 2020, 16:54| Përditesimi: 14 Dhjetor 2020, 17:57

  • Share

60 vite krijimtari artistike piktori Arben Basha i rrëfen përmes tablove në studion e tij pranë Ministrisë së Drejtësisë.

 “Indicet e para për t’u marr me art i kam pasur në kopsht, kur vizatoja një zog apo diçka tjetër. Edukatorja është e para që ka thënë se: Këtë djalë duhet që ta çojmë për art. Nisa shkollën, pastaj liceun artistik. Në ‘69 përfundova Institutin e Lartë të Arteve dhe deri në vitin 1994 punova, si piktor filmi, mbi 30 filma 1993-‘94. Më pas me time shoqe nisa një biznes familjar, si është libraria, punë që më ndihmoi për arsimimin e fëmijëve, por edhe kam lexuar sa për të gjithë jetën time. Më vonë, për shkak të teknologjisë e mbylla si biznes, edhe po i kushtohem pikturës”, rrëfen piktori Arben Basha.

Artisti ndalet tek fillimet në ish- Kinostudion “Shqipëria e re”, ku pasionin për historinë e ka ndërthurur me dashurinë për artet figurative, si piktor i 30 filmave të njohur; si “Nëntori i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Zonja nga qyteti”, “Vdekja e Kalit”, “Mao Ce Duni” e shumë të tjerë.

“E vërteta duhet thënë, se piktori i filmit është pjesë e grupit të filmit, ku dirigjenti është regjisori i filmit, ndërsa baza është skenari. Për shumë filma historikë më kërkonin mua, pasi regjisorët kishin vrejtur dëshirën që kisha për historinë. Piktori i filmit vesh ambientin, por këtë nuk e kuptojnë shumë njerëz. Tek “Nëntori i dytë”, ne kemi bërë ardhjen e Ismail Qemalit, krijuam një atmosferë si në 1912-n”, tregon artisti.

Basha, si artist i angazhuar na rikthen përmes tablove të tij dhe tek Lëvizja Studentore në ’90-n, ngjarjet e 97-s, lufta e Kosovës, trazirat në Ballkan, peizazhet e realizuara në mbarë vendi, deri tek tabloja më e fundit, “Arbëri”.

 “Aktualisht kam në duar një vepër që kam muaj që e punoj. Është “Arbëri”, i cili mbron trojet e veta edhe nuk sulmon. Pranë një rrapi të madh me rrënjë pellazgo-ilire. Kjo është puna më e fundit, që unë po bëj”, përfundon piktori.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?