621 mijë qytetarë shqiptarë jetojnë në rrezik varfërie! Ndihma ekonomike 50% më e ulët se kufiri i varfërisë

27 Dhjetor 2021, 19:26| Përditesimi: 27 Dhjetor 2021, 19:45

  • Share

Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike që shkaktoi pandemia në vitin e kaluar, INSTAT raporton se niveli i varfërisë është ulur me 1.2% në raport me vitin 2019. Në fund të dhjetorit 2020 varfëria vlerësohet të jetë 21.8 %.

Ishin më shumë se 621 mijë qytetarë shqiptarë që jetonin nën kufirin e rrezikuar për të qenë të varfër nga mbi 659 mijë që ishte shifra në 2019. Sipas INSTAT kjo rënie e varfërisë ka ardhur si pasojë e rritjes të të ardhurave që kishin në dispozicion familjet.

Ndërsa në vlerë monetare kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2020 është vlerësuar me 186.242 lekë, në krahasim me 170.785 lekë që ishte në vitin 2019.

Praktikisht personat që kanë këtë nivel të ardhurash, jetojnë me rreth 5 dollarë dita. (Kufiri monetar për të qenë i varfër 186.242 lekë, ose 15,520 lekë muaji apo 510 deri 517 lekë dita). Ndërkohë familjet që përbëhen nga 2 të rritur dhe 2 fëmijë që marrin 32,592 lekë në muaj, konsiderohen në rrezik për të qenë të varfër. 

Niveli i përcaktuar nga INSTAT, ku personat me të ardhura mujore 15.5 mijë lekë konsiderohen në rrezik varfërie, është shumë herë më i lartë se ndihma ekonomike, pensioni mesatar në fshat apo pagesa e papunësisë.

Konkretisht ndihma ekonomike për familje është 7,700 lekë në muaj, ose rreth 50% më pak se kufiri i varfërisë i përcaktuar për vitin 2020. Ndërkohë pagesa e papunësisë është 13 mijë lekë në muaj ose 2,520 lekë më pak se kufiri i varfërisë. Ky nivel i përcaktuar nga INSTAT është 6,261 lekë më shumë se pensioni mesatar në fshat që në fund të 2020 ishte 9,259 lekë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?