Një 62-vjeçar nga Gjermania është vaksinuar 217 herë kundër Covid-it brenda 9 muajve, raportojnë mjekët.
Rasti i çuditshëm është dokumentuar në revistën "The Lancet Infectious Diseases"
Sipas BBC, i moshuari duket se nuk ka pësuar asnjë efekt anësor, thonë studiuesit nga Universiteti i Erlangen-Nurembergut.
"Ne mësuam për rastin e tij nëpërmjet artikujve të gazetave”,- tha Dr Kilian Schober, nga departamenti i mikrobiologjisë së universitetit.
Më pas e kontaktuam dhe e ftuam të bënte teste të ndryshme në Erlangen. Ai ishte shumë i interesuar ta bënte këtë”,-shton ai.
Burri dha mostra të freskëta gjaku dhe pështyme. Studiuesit testuan gjithashtu disa mostra gjaku të ngrira të tij që ishin ruajtur në vitet e fundit.
“Ne ishim në gjendje të merrnim vetë mostrat e gjakut kur burri mori një vaksinim të mëtejshëm gjatë studimit me insistimin e tij. Ne ishim në gjendje t’i përdornim këto mostra për të përcaktuar saktësisht se si sistemi imunitar reagon ndaj vaksinimit” – tha Dr. Schober.
Prova për të paktën 130 vaksina u zbuluan nga prokurori publik i qytetit të Magdeburgut, i cili hapi një hetim me pretendimin për mashtrim, por nuk ngriti ndonjë akuzë penale. Vaksinat kundër Covid nuk mund të shkaktojnë infeksion, por mund ta mësojnë trupin se si të luftojë sëmundjen. Vaksinat e acidit ribonukleik (mRNA) funksionojnë duke u treguar qelizave të trupit pak kod gjenetik nga virusi.
Më pas, sistemi imunitar duhet të njohë dhe të dijë se si të luftojë Covid-in nëse e hasin realisht. Dr. Schober tha se shqetësimi ishte se hiper-stimulimi i sistemit imunitar me doza të përsëritura mund të kishte lodhur disa qeliza. Por studiuesit nuk gjetën asnjë provë për këtë tek 62-vjeçari. Nuk kishte asnjë shenjë se ai ishte infektuar ndonjëherë me Covid.
“E rëndësishme është se ne nuk e miratojmë hiper-vaksinimin si një strategji për të rritur imunitetin adaptiv” – thanë ekspertët. “Kërkimet aktuale tregojnë se një vaksinim me 3 doza, i shoqëruar me vaksina të rregullta shtesë për grupet vulnerabël, mbetet qasja më e rekomanduar. Nuk ka asnjë indikacion se nevojiten më shumë vaksina” – thonë ata.
NHS thotë se vaksinat Covid jepen me sezone, por disa njerëz me një sistem imunitar të dobësuar rëndë mund të kenë nevojë për mbrojtje shtesë. Vaksinat kundër Covid mund të kenë efekte anësore. E zakonshme është një dhimbje e krahut nga injeksioni.