Spitali COVID-1, 22 vjeçarja Sidorela Koça dhe koordinatori i LSI Eno Laço që humbën jetën

631 raste të reja dhe 17 viktima nga COVID! Humb betejën 22-vjeçarja te 'Shefqet Ndroqi', fëmija i lind gjatë intubimit! Ndërron jetë polici e koordinatori i fushatës së LSI

10 Mars 2021, 17:35| Përditesimi: 10 Mars 2021, 18:32

  • Share

Kjo e mërkurë ka shënuar 631 raste të reja dhe 17 humbje jete nga COVID. Mes viktimave është efektivi i patrullës së policisë në Fier Bujar Mema, 49 vjeç dhe koordinatori për fushatën në LSI, Eno Laço. Fatkeqësisht edhe një 22-vjeçare ka humbur jetën prej COVID-19, pasi ishte në intubim prej më se 3 javësh. Report Tv mëson se e reja nga qyteti i Korçës e identifikuar si Sidorela Koça, ishte e shtruar te "Shefqet Ndroqi" , e ndërsa mësohet se gjatë kohës që ka qenë në intubim, mjekët kanë arritur që të nxjerrin në jetë fëmijën e saj.

"Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 17 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Librazhdi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 22-89 vjeç. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerëve", thotë ministria.

Gjatë ditës së sotme janë kryer 702 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 21,613 vaksinime. Janë kryer 3035 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 631 qytetarë. 

"Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki:  255 raste në Tiranë, 36 raste në Vlorë, 34 raste në Shkodër, 32 raste në Fier, 23 raste në Durrës,  17 raste në Korçë, 16 raste në Mirditë, 15 raste në Krujë, Lushnje, Kamëz, 14 raste në Elbasan, 13 raste në Lezhë, 11 raste në Kavajë, Librazhd, 10 raste në Kukës,  9 raste në Gjirokastër, Pogradec, 8 raste Peqin, 7 raste në Berat, Tepelenë, 6 raste në Kurbin, Pukë, Kuçovë, 5 raste në Dibër, 4 raste në Kolonjë, 3 raste në Devoll, Tropojë, Mallakastër, Mat, Ura Vajgurore, Shijak, Patos, Cërrik, 2 raste në Përmet, Sarandë, Delvinë, Malësi e Madhe, Gramsh, Skrapar, Vorë, 1 rast në Has, Rrogozhinë, Vau i Dejës, Fushë- Arrëz, Selenicë, Prrenjas, Himarë, Maliq, Poliçan".

Në 24 orët e fundit janë shëruar 714 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 77,498 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 649 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.

Ministria apelon qytetarët që të respektojnë masat anti covid.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombët are për çdo emergjencë apo referim në spita".

Statistika (10 Mars 2021) 
Raste të reja ditore       631
Të shëruar në 24 orë     714
Të shtruar në spitale      649
Humbje jete në 24 orë   17
Testime ditore               3035

Testime totale          498,076
Raste pozitive          114,840
Raste të shëruara       77,498
Raste Aktive                35,356
Humbje jete                1,986

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: 
Tiranë     23508
Fier        2542
Vlorë       1676
Durrës    1661
Shkodër   1325
Gjirokastër 1258
Korçë     861
Elbasan   672
Lezhë       705
Berat       491 
Dibër    338 
Kukës    319

Ora 11:40
COVID-i i merr jetën 22-vjeçares te 'Shefqet Ndroqi'! Mjekët i sollën në jetë fëmijën teksa ishte në intubim

TIRANË- Një 22-vjeçare ka humbur jetën prej COVID-19, pasi ishte në intubim prej më se 3 javësh. Report Tv mëson se e reja nga qyteti i Korçës e identifikuar si Sidorela Koça, ishte e shtruar te "Shefqet Ndroqi" , e ndërsa mësohet se gjatë kohës që ka qenë në intubim, mjekët kanë arritur që të nxjerrin në jetë fëmijën e saj.

Fëmija është shëndoshë e mirë, e ndërsa fatkeqësisht e reja nuk arriti që të njihte krijesën e saj, pasi COVID-i i mori jetën, pas një beteje të gjatë me këtë virus. Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku, raporton se fëmija lindi rreth 2 javë më parë dhe ka ardhur në jetë para kohe.

Fatkeqësisht bilanci i nënave të reja që kanë ndërruar jetë nga COVID, vetëm pak ditë pasi sollën në jetë fëmijët e tyre. ky është rasti i tretë, ku më herët ndërroi jetë një 32-vjeçare dhe një 28-vjeçare.

Viktima  Sidorela Koça dhe spitali 'Shefqet Ndroqi'
Ora 11:19
COVID-i i merr jetën koordinatorit të fushatës së LSI! Kryemadhi zbulon mesazhin e fundit: Të duam Eno jonë

TIRANË- COVID-19 i ka marrë jetën koordinatorit për fushatën në LSI, Eno Laço. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zbuluar mesazhin e fundit që Laço i kishte dërguar, ku u shprehte mbështetjen maksimale për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo e përshkruan Enon si një njeri shumë të mirë, që do i mungojë LSI-së.

"Mona si je? Fëmijët si janë? Unë kam ardhur dhe më ke deri në fund të fushatës. Ky ishte mesazhi yt para 30 ditësh, kur më the se ishe kthyer nga Gjermania. Por dje, të gjithë u ndalëm, nuk folëm, shtangëm, sepse ti ike dhe na le përgjithmonë. Nuk duam të të përcjellim, të duam për vete, të duam këtu me ne. Por ti zgjodhe të ikësh sepse parajsa është më e mirë sesa kjo botë këtu e padrejtë.

Eno, ti ike dhe le vetëm Mirën me fëmijët, por të premtoj se ata nuk do të jenë kurrë vetëm, ne do jemi aty për ta gjithmonë.  Të duam Eno jonë, do na mungosh me shakatë e tua", shkruan Kryemadhi.

Ora 10:14
Prej ditësh i shtruar në spital, COVID i merr jetën në moshën 49-vjeçare efektivit të policisë në Fier

Një efektiv i patrullës së policisë në Fier ka humbur jetën si pasojë e COVID. Burime Report Tv bëjnë me dije se ka ndërruar jetë Bujar Mema, 49 vjeç.

Mema prej 6 ditësh ishte i shtruar në një nga spitale COVID në Tiranë, ndërkohë që ka humbur betejën me virusin mbrëmjen e kaluar.

Situata për shkak të pandemisë së COVID në vendin tonë vijon që të mbetet e rëndë. Ministria njoftoi dje se janë regjistruar 629 raste të reja dhe 13 humbje jete nga COVID-19.

Qarku me rastet më të larta pozitive me COVID është Tirana, ndërsa ajo që vihet re është se numri i të shëruarve ia kalon të infektuarve, ku sot 897 pacientë kanë fituar betejën e tyre me COVID. Nga 3197 testime të kryera kanë rezultuar pozitivë 629 qytetarë.

Komento

Komente

  • zulu: 10/03/2021 23:59

    DOKTORE TE PAAFTE....JASHTE KJO DO JETONTE PER BUKURI...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?