Më të sofistikuara dhe më keqdashëse, po bëhen sulmet kibernetike në vorbullën e këtij revolucioni digjital. Sulmi ndaj sistemeve online në Shqipëri i ndodhur tre vite më parë nga Irani, nuk duhet të përsëritet, për këtë arsye institucionet shqiptare planifikojnë të shpenzojnë 67 milionë euro, për të bërë investime në staf dhe në teknologji të avancuara për të rritur sigurinë kibernetike.
Në strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025-2030, të hedhur për konsultim publik, thuhet se duhet të rriten kapacitetet teknike dhe profesionale për të përballuar sfidat e hapësirës digjitale.
“Sfidat e sigurisë kibernetike bëhen edhe më të mëdha si pasojë e rritjes së vazhdueshme të numrit të sulmeve kibernetike, si dhe nga niveli i lartë dhe sofistikuar i këtyre sulmeve, të cilat shfrytëzojnë teknologjitë më të avancuara. Objektivat e këtyre sulmeve po bëhen gjithnjë e më të gjera, duke përfshirë jo vetëm sektorin publik, por edhe shërbime jetike, si shëndetësia, financat, transporti dhe energjia”, thuhet në strategji.
Për të krijuar sisteme të forta me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulme të sponsorizuara nga shtete, organizata kriminale apo grupe keqdashëse, do të investohen 57 milionë euro për implementimin e teknologjive të avancuara si Inteligjenca Artificiale për zbulimin, parandalimin dhe reagimin ndaj sulmeve kibernetike.
“Shteti, ekonomia dhe qeveria shqiptare përballen me kërcënime të vazhdueshme kibernetike, që kërkojnë vëmendje të menjëhershme për të mbrojtur infrastrukturën kritike, rrjetet e sektorit publik dhe të dhënat e qytetarëve”, thuhet në strategji.
Po ashtu do të investohet në struktura inteligjente për të parandaluar aktivitetet ekstremiste dhe terroriste në hapësirën digjitale, me qëllim parandalimin e propagandës ekstremiste online.
Vetëm gjatë vitit të shkuar janë regjistruar në vend 971 vepra penale në fushën e krimit kibernetik me rritje prej 44,5% në raport me vitin 2023, kur ishin regjistruar 672 vepra penale të kësaj natyre.
Strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike 2025-2030
Komente
