Në familjen Laska në Shtrungaj të Mirditës ka pllakosur zija. Djali 10-vjeçar i kësaj familje, u mor nga rrjedha e Lumit Fan pasditen e 5 prillit dhe trupi i vogëlushit nuk është gjetur ende, edhe pse kërkimet vijojnë që në ditën kur ndodhi ngjarja tragjike
Prej një jave familja ka hapur dyer e mortit, duke pritur ngushëllime për të voglin e tyre, ndërsa presin me ankth se trupi i pajetë do të gjendet dhe të ketë një varr ku ai do të prehet.
Babai i të mitur Vladimir Laska kërkon shtim të forcave me mjete të specializuara përgjatë rrjedhës së Lumit Fan dhe Hec-it të Repsit.
“Sa munden po kërkojnë, por nuk janë mjaftueshëm, duhet të ketë më shumë palombar që të zhyten, lumi është i rrëmbyeshëm dhe shumë i ftohtë. U bë një javë që nuk kemi asnjë lloj shenjë, asnjë rrobë që ka pas djali veshur”, tha babai i të miturit.
Sevastian Laska u përpi nga rrjedha e Lumit Fan një javë më parë, teksa tentoi të merrte topin që po luante bashkë me të vëllanë, i cili i ra në lum.