“Mam, prova jote se më ke dashur vërtet, fillon tani. Nëse do të dish të vazhdosh. Bëj gjënë më të mirë që di të bësh! Shkruaj! Të shkruash është terapia jote. Bëje, Mam, mos hyr në spiralen e dhimbjes, atje humb.”
Kjo ishte dëshira e Jerinit, djalit 18-vjeçar të shkrimtares Flutura Açka, i cili u nda nga jeta para shtatë muajsh nga një sëmundjeje e rrallë. Shkrimtarja tanimë e ka përmbushur këtë “leksion”, i cili për të është më i rëndësishmi që ka marrë në jetën e saj, i dhënë nga djali i vetëm Jerini, “për të gjetur tokën pas shtrëngatës në oqeanin e dhimbjes”. Shkrimtarja rikthehet tek lexuesi në Panairin e Librit me vëllimin poetik “Roja i dritës”.
"Roja i dritës", vëllimi im i ri poetik, që do ta paraqes për herë të parë në ditët e Panairit të 21-të të Librit në Tiranë, do të jetë një pikëtakimi me ju, me ndjesën edhe për ata që ende nuk kam mundur t'i takoj”, shkruan në një postim në “Facebook” shkrimtarja Flutura Açka, duke postuar edhe një nga poezitë që do të përfshihen në këtë vëllim.
Planeti ngjyrë uji
Tani kemi zbritur në perandorinë e pranimit,
ku portat janë të ngushta,
dhe ne, shndërruar në ajër, hyjmë,
të prekim kudo,
në shpirtin tënd,
ku pafundësia,
për herë të parë na është kufizuar,
nga eternía e mungesës,
që po ndërtohet,
ngadalë,
pa trajtë,
si amebë makabre,
në shpirtrat tanë,
që të duan,
që të deshën,
e do të t’duan pafund,
dhe do të ndalin këtyre brigjeve,
këtij planeti ngjyrëuji,
të flasin sy më sy,
me ty.
Disa nga titujt e veprave të shkrimtares Flutura Açka janë: “Vetmi gruaje”, “Kukullat nuk kanë Atdhe”, “Kryqi i harresës”, “Hiri”, “Lutje dimri” dhe “Zbathur”.