Kronikë

70 vite nga krijimi i aviacionit luftarak në Shqipëri, rrëfimi i komandantit të bazës së Kuçovës: Një jetë në qiell me flotën e avionëve që nuk janë më

14 Prill 2021, 17:40| Përditesimi: 14 Prill 2021, 18:01

  • Share

Për pak ditë bëhen plot 70 vite që nga krijimi i aviacionit luftarak në Shqipëri. Vitet e parë kanë qenë të lavdishme, ndërsa flota e avionëve zgjerohej me kohën. Ish-komandanti i Akademisë së Forcave Ajrore dhe bazës së Kuçovës, Flamur Hoxha, sot në pension, e kujton me nostalgji punën prej 30 vitesh në qiell.

'Krijimi zyrtar, festa zyrtare e krijimit të aviacionit luftarak është në 24 prill të vitit 1951, kur u bënë fluturimet e para me avionët e parë. Krijimi i mirëfilltë i aviacionit luftarak është me avionët MIG 15 që është baza ajrore e Kuçovës e krijuar në 15 maj 1955. Rreth 200-220 avionë luftarak dhe helikopterë bashkë. Kjo ka qenë gjithë flota luftarake shqiptare në këto vite. Kishe goxha potencial në krahasim me vendet e tjera të rajonit.'- tha Hoxha.

Me një karrierë 30 vjeçare si pilot dhe komandant, Hoxha e cilëson adrenalinë të madhe pjesëmarrjen, qoftë edhe si sport.

'Nuk është thjeshtë një marrje pjesë tek Forcat e Armatosura. Fluturimi në vetëvete është edhe sport, kërkon një adrenalinë shumë të lartë dhe njëkohësisht kërkon në përgatitje fizike dhe shëndetësore, nivel shumë të lartë.'- tha më tej Hoxha.

Pas viteve të lavdisë, pak nga pak aviacioni luftarak shkoi drejt mbylljes. Fillimi i viteve ’80, periudhë kur Shqipëria komuniste mbeti pa mbështetjen e Bashkimit Sovjetik dhe më pas Kinës, i dhanë goditje. Vendi nuk kishte më fuqi ekonomike për t’i mbajtur, derisa në 2005-ën, përfundimisht flota e avionëve u mbyll.

'Kishte mungesa në karburante, në pjesë këmbimi. Ka pasur mungesa në disa pjesë, të cilat ishin të pamundur për t’i siguruar në shtetet e tjera edhe për shkak të kostos.'- tha ai.

Sot, pas shumë bazave të avionëve që u mbyllën njëri pas tjetrit, vëmendje merr ajo e Farkës, e vetmja me helikopterë, por pa avionë.

'Pas kësaj iu kushtua një rëndësi e madhe, që vazhdon edhe sot, krijimi dhe modernizimi i helikopterëve të bazës ajrore të Farkës, i cili është i vetmi repart, i vetmi regjiment që është në funksion.'- përfundoi ai.

Këtë 70-vjetor të aviacionit luftarak, të vetmit që vijojnë ta kujtojnë janë nostalgjikët si Flamuri.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?