Një pacient 71 vjeçar ka dalë nga intubimi. Por vijojnë shtrimet e reja në spital. Mjekët bëjnë apel për respektimin e masave. Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu zhvilloi sot një takim me mjekët e Infektivit. “Aktualisht situata epidemiologjike na referon disa momente të rëndësishme të cilat vlejnë për t’u analizuar.
E para që në këto dy javë që sigurisht është edhe një efekt i hapjes dy javë më parë, ka raste simptomatike më shumë të shfaqura se dy javë më parë. Virusi ekziston, nuk është zhdukur, pavarësisht se të gjithë e duam të eliminuar. Por ne duhet që të vijojmë të bëjmë detyrën tonë, si Ministri Shëndetësie, ju si mjekë padyshim”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për qytetarët për respektimin e masave të distancimit fizik, për të kufizuar përhapjen e COVID19. “Jemi përpara hapjes së transportit publik, që është një risk tjetër që duhet të marrim parasysh, ku vendosja e maskave është e detyrueshme, kushtet e higjienës patjetër. Por në të gjithë aktivitetet duhet të jetë ky kujdes, jo vetëm në ato të cilat do të lejohen të hapen”, tha Manastirliu.
Shefja e shërbimit infektiv Najada Çomo tha se ka një rritje të numrit të të shtruarve gjatë ditëve të fundit, por dha edhe lajmin e mirë që falë punës së stafit, një pacient ka dalë nga intubimi.
“Gjatë 3-4 ditëve të fundit kemi një shtim të numrit të rasteve, pra paraqitja e 10 pacientëve në ditë për shërbim dhe për t’u hospitalizuar është shifër që duhet marrë në konsideratë. Është për t’u vlerësuar që ky shtim i rasteve shoqërohet me raste të rënduara, ku mbizotëron Tirana. Kur ke pacientë në terapi intensive do të thotë që situata është realisht për t’u tërhequr vemendja e popullatës, për shkak se është e vërtetë që është ulur vëmendja.
Nuk janë vetëm moshat që janë me sëmundje kronike të shtruar në shërbimin infektiv, por aktualisht ka mosha të reja që janë në terapi intensive dhe kuptoni çdo të thotë të jesh në terapi intensive në një moshë shumë të re. Por desha të ndaj edhe një lajm shumë të mirë me ju sot. Për herë të parë nga ne kemi një pacient të ekstubuar, një 71-vjeçar që ka dalë nga intubimi, falë punës së madhe të gjithë shërbimit infektiv”, tha Çomo.
“Ky është një lajm shumë i mirë. Unë jam shumë e kënaqur që po bëhen hapa përpara dhe kam qenë gjithmonë besimplotë që nga dita e parë që kam shkelur në këtë spital që këtu mjekët bëjnë të pamundurën dhe e tregojnë çdo ditë profesionalizmin e tyre. Është gjithmonë një lajm i mirë kur mjekësia ja del”, tha Manastirliu. Mjekët e spitalit Infektiv bënë apel për respektimin e masave të distancimit, sepse, siç u shprehën ata, virusi është në qarkullim.
“Njerëzit nuk duhet të ulin kurrë vëmendjen ndaj vetes, ndaj përkujdesit të higjenës dhe sjelljes në kolektiv, në mënyrë që të mos të harrojmë disa norma që i fituam gjatë javëve të vetëizolimit. Ato ishin të dobishme, do të jetë të dobishme nëse do të vijojmë ti respektojmë. Ndërgjegjësimi, kujdesi, higjena, mbeten parësore në përballje të infeksionit të kësaj natyre sikundër është SARS COV2”, tha prof. Tritan Kalo.
“Vazhdon bëhet një punë gjigande në Spitalin COVID1. Takim i sotëm është shumë i rëndësishëm, pasi është moment për të bërë një rivlerësim për zbatimin e masave të vendosura, për të evituar këtë situatë që ka ndodhur si pasojë e moskujdesit të mjaft njerëzve në parandalimin e kësaj sëmundje”, tha prof. Dhimitër Kraja.
“T’ju them të vërtetën nuk prisnim të kishim numër të lartë të rasteve në Qershor, por pas lehtësimit të masave të distancimit social, kjo ka ndodhur. Ajo që dua të them është që të mos ulim vigjilencën, të vijojmë të jemi të kujdesshëm pasi virusi është ende në qarkullim", tha prof. Pëllumb Pipero.
“Më sëmundjet infektive është e rëndësishme të dihet që çdokush ka përgjegjësitë e veta. Përgjegjësi kanë institucionet, ka shëndeti publik, por përgjegjësi ka edhe shoqëria dhe sjellja individuale”, tha prof. Arian Harxhi.
Lajmi kryesor:
Përkeqësohet situata nga COVID-i/ Dita me numrin më të lartë të rasteve! 36 të infektuar, vatër e re në QSUT! Shëndetësia: Shkak grumbullimet dhe mos mbajtja e maskave (VIDEO)
//ReportTv.al