Sociale

Projekti TID në Durrës/ 74 familje kundërshtojnë shpronësimet e banesave, ngrihen në protestë: Të pezullohet

1 Tetor, 17:05| Përditesimi: 1 Tetor, 17:35

  • Share

Me pankarta në duar ku artikulohej qartë pakënaqësia ndaj projektit TID Durrës, që sipas tyre favorizon interesat klienteliste, dhe me letra higjienike të hedhura drejt bashkisë si simbol proteste, përfaqësuesit e 74 familjeve të prekura nga prishja dhe shpronësimi i banesave e bizneseve të tyre zhvilluan sot një tjetër demonstratë.

Banorët vazhdojnë të kërkojnë nga institucionet shtetërore pezullimin e projektit si dhe kompensim të drejtë, në përputhje me vlerën reale të tregut për pronat që zotërojnë.

Ndërkohë, 14 familje kanë dorëzuar pranë Gjykatës Administrative të Durrësit një kërkesë për sigurim padie me qëllim pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimet dhe presin vendimin e gjyqësorit.

‘Është e disata herë që ne dalim këtu në protestë për pronat tona dhe kërkojmë që ky projekt të ndalohet sepse ka shumë gabime, sepse nuk citohet aty shembje, por rivitalizim dhe ashtu si ka thënë Rama do të shkatërrohen ngrehinat dhe banesat tona nuk janë ngrehina’, tha një protestues.  

‘Kam qenë dhe do të jem pjesëmarrëse në protesta sepse na është bërë një padrejtësi e madhe, kemi vite që banojmë atje dhe jemi të painformuar për këtë plan. Ne jemi të fundit që e morëm vesh. Shpresojë që të bëhet drejtësi', tha një tjetër. 

Protesta e tyre nuk kaloi pa u vënë re edhe nga turistët e huaj, që ndodheshin në sheshin “Liria” dhe u interesuan mbi arsyet e tubimit.

Në emër të banorëve, arkitektja Entela Koja deklaroi se komuniteti nuk është kundër zhvillimit të qytetit apo vetë projektit, por kërkon të mbrojë të drejtën mbi pronën, të trashëguar prej brezash.

‘Është bërë një projekt duke marr objektin sipër me dron, ndërkohë që duhet që të futesh thellë në strukturën e një objekti kur bënë rikonstruksion. Na vjen një letër në derë dhe thotë jeni të shpronësuar se do të rikonstruktohet. Ne kërkojmë pezullimin e VKM për shpronësimet dhe nëse gjykata na jep mundësinë që të mbledhin dokumentacion që këto shpronësime kanë ardhur nga një projekt qëllimisht i bërë keq dhe me interesa klinteliste’, tha ajo.

Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, për të cilin qeveria ka akorduar një fond prej 315.5 milionë lekësh.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?