74 vjetori i Festës së Republikës/ Meta dhe Ruçi letër homologëve: Urojmë të rikthehemi sa më shpejt në normalitet pas COVID-it

2 Qershor 2020, 10:13| Përditesimi: 2 Qershor 2020, 10:17

  • Share

TIRANË- Me rastin e 74 vjetorit të Festës së Republikës Italiane, politikanët shqiptarë kanë uruar homologët italian.

Urimet e tyre janë përqendruar në betejën e shteteve ndaj COVID-19, duke qenë Italia ka qenë një nga shtetet më të prekura në Europë. Presidenti Ilir Meta uron që vendet të rikthehen sa më shpejt në normalitet, e ndërsa kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehet se është i lumtur teksa sheh që Italia po ia del mbanë në këtë betejë globale.

Nuk ngurojnë vlerësimet, falenderimet për ndihmën e dhënë nga Italia përgjatë gjithë viteve, e ndërsa vënë theksin tek bashkëpunimi në rritje mes dy vendeve.

Ora 10:05
Gramoz Ruçi uron homologun italian: Të lumtur që po ia dilni në betejën me COVID-19! Partnere e çmuar e vendit tonë

1591085352_2ee8b12a32744cdfb6d92af6ae764fa3.jpg

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një letër urimi Kryetarët e Dhomës së Deputetëve, Roberto Fico, dhe Kryetares së Senatit, Maria Casellati, me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane.

Ruçi shprehet se është i gëzuar që Italia po ia del mbanë në luftën me COVID-19, duke falenderuar Italinë për të gjithë ndihmën e dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve.

“Me rastin e 2 Qershorit, Festës së Republikës Italiane, Ju dërgoj urimet më të mira për popullin e Italisë, Senatin Italian dhe Ju personalisht. Vendosja e Republikës Italiane me votat e qytetarëve italianë, si rezultat i Referendumit të 2 qershorit 1946, në të cilin për herë të parë votuan edhe gratë, është një ngjarje e madhe historike për sistemin demokratik, emancipimin politik e shoqëror të Italinë si edhe të ardhmen e popullit Italian.

Italia është për Shqipërinë një vend fqinj, mik i çmuar dhe partner strategjik shumë i rëndësishëm. Vendet tona i lidh një miqësi e gjatë, e cila u ka rezistuar të gjitha sprovave të historisë. Italia ka qenë për ne, shqiptarët, dritarja prej nga shihnim Perëndimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Miqësia e fortë midis të dy vendeve tona ushqehet edhe nga prezenca e Diasporës shqiptare, komunitetit arbëresh dhe emigrantëve që u vendosën në Itali pas vitit 1990. 

Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për mbështetjen e vazhdueshme, kontributin shumë të madh dhe rolin e saj si avokatja e integrimit europian të Shqipërisë. Vendimi i Këshillit Europian në mars të këtij viti për çeljen e negociatave me Shqipërinë është meritë e rezultat edhe i mbështetjes së fuqishme të Qeverisë së Italisë, Senatit Italian dhe Tuajës personalisht.  Gjatë muajve të fundit Italia, ashtu si edhe Shqipëria dhe gjithë njerëzimi, vuajti pasojat e pandemisë, të cilat për popullin italian ishim ndër më të rëndat. Ne ndoqëm nga afër betejën e mjekëve, popullit dhe institucioneve italiane për të shpëtuar jetët njerëzore dhe tashmë gëzohemi që Italia po del nga kjo situatë dhe po i kthehet gradualisht normalitetit.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi shumë i suksesshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Deputetëve e Senatit të Italisë, do të rifillojë shumë shpejt dhe përfitoj nga ky rast për të përsëritur ftesën time për një vizitë zyrtare Tuajën në Shqipëri.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 09:55
74 vjetori i Festës së Republikës/ Meta letër homologut italian: Urojmë të rikthehemi sa më shpejt në normalitet pas COVID-it

1591084622_metaa.jpg

Me rastin e 74 vjetorit të Festës së Republikës Italiane, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër presidentit Sergio Mattarella.

Në letrën e tij, kreu i shtetit vë theksin tek forcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, e ndërsa nuk ka kaluar pa vëmendje edhe momenti i vështirë që po kalon bota, pandemia e COVID-19.

Italia ka qenë një nga shtetet më të prekura nga koronavirusi në Europë dhe urimi është që vendet të kthehen sa më shpejt në normalitet.

Letra e presidentit Ilir Meta

Më lejoni që me rastin e Festës së Republikës Italiane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e miqësore, për Ju personalisht dhe për popullin mik Italian. Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intesive.

Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia.

I nderuar mik,  Ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditëshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne.

Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju  forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?