Bota

75 vjetori i Republikës, Meta letër urimi Mattarellas: Marrdhënie të shkëlqyera mes palëve edhe në kushte të vështira të pandemisë

2 Qershor 2021, 13:59| Përditesimi: 2 Qershor 2021, 14:08

  • Share

Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane, presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër urimi presidentit Italian Sergio Mattarella. Në urimin e tij, Meta e vë theksin te marrëdhënia e mirë mes dy vendeve që është përforcuar edhe në luftën e përbashkët ndaj COVID-19.

"Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të përzemërta dhe më miqësore!

Jam shumë i lumtur të vlerësoj sot marrëdhëniet e shkëlqyera historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat, falë edhe partneritetit tonë strategjik, po pasurohen e fuqizohen në vijimësi, si në dimensionin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, në kuadër të nismave ose organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Jam shumë i gëzuar të konstatoj se, edhe në rrethanat shumë të vështira për të gjithë botën, të shkaktuara nga pandemia Covid-19, të dy vendet tona dhe popujt tanë, dëshmuam edhe një herë dashurinë, solidaritetin dhe miqësinë e tyre vëllazërore, duke qëndruar pranë njeri-tjetrit, për të lehtësuar dhimbjen dhe pasojat e kësaj pandemie mbarëbotërore.

Ju jemi mirënjohës për ndihmën e sinqertë, që i dhatë vendit tim dhe popullit shqiptar në këto ditë të vështira, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë e sinqeritetin e marrëdhënieve tona dhe garancinë se ato do të jenë edhe më të mira në të ardhmen.

Në themel të këtyre marrëdhënieve, i nderuar President, qëndron historia shekullore e komunitetit arbëresh në Itali e njëkohësisht emigracioni shqiptar i pas viteve ’90, të cilët, vetëm falë shpirtit mikpritës të popullit tuaj gjetën strehëzën e tyre të ngrohtë për t’u integruar e kontribuar, në të njëjtën kohë, në një shoqëri të vlerave të thella europiane, duke dhëne një shembull unik për ditët e sotme dhe për sfidat e dinamikat ndërkombëtare, me të cilat përballet njerëzimi sot.

Jam i lumtur të pohoj sot se, edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer të vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale e më gjerë, ne shikojmë tek Italia avokaten e fuqishme ndaj procesit eurointegrues të Shqipërisë dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë e për gjithë mbështetjen tuaj të pareshtur ndaj Shqipërisë dhe vendit që ajo duhet të meritojë në familjen e madhe europiane.

Duke ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë", shkruan Meta.


Lajmi kryesor:

Sot ditëlindja e Italisë moderne, 75 vite republikë! Në ‘Sheshin Italia’ vendoset simboli i një fillimi të ri, Bucci: Kujtojmë gjithmonë ngrohtësinë e bujarinë e Shqipërisë


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?