Mbi 7,500 efektivë të policisë do të jenë në terren për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 25 prillit në Shqipëri. Përgatitjet e policisë për të garantuar sigurinë gjatë procesit zgjedhor kanë nisur që në fushatë, me një plan masash specifik edhe për ditën e zgjedhjeve dhe procesin e numërimit.
“Departamenti i sigurisë publike ka marrë të gjitha masat duke pasur parasysh katër fazat e zhvillimit të fushatës zgjedhore, e cila ka të bëjë me fushatën e fazës përgatitore, me fushatën e garantimit të rendit zhvillimit të kësaj fushate, siç jemi aktualisht sot. Garantimin e rendit në ditën e votimit dhe në fazën e katërtë të saj kur bëhet numrimi i votave dhe shoqërimi i kutive të votimit. Në total janë trajnuar për fazën e parë 7519 punonjës policie”, shprehet Drejtori i Rendit Publik, Ylli Vasili.
Angazhimi i policisë do të jetë kyç edhe për transportimin e materialeve zgjedhore dhe ruajtjen e tyre nëpër KZAZ.
“Punonjësit e policisë do të marrin pjesë në ruajtjen e këtyre qendrave të votimit gjatë kohës kur do të vijnë materialet zgjedhore dhe ndërkohë që punonjësit e KZAZ-ve qendrat e numërimit nuk do të jenë prezent në këto qendra. Për këtë janë hartuar plane masash në të gjithë drejtoritë vendore policore, ku janë përcaktuar grupet e drejtimit të udhëhequra nga drejtuesit kryesor”, tha Vasili.
Vasili thotë se policia do të jetë gati për çdo situatë të mundshme që mund të cenojë procesin zgjedhor.
“Janë parashikuar të gjitha veprimet ose situatat e papritura që mund të ndodhin dhe për këtë ju siguroj që janë marrë të gjitha masat e nevojshme, të duhura, që ne të kemi një zhvillim fushate normale, të rregullt dhe një numërim të votave po të rregullt dhe normal. Në çdo çast dhe moment që do të kërkohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Qendrat e Votimit, ndërhyrja e policisë, policia do të jetë e gatshme për të ndëryrë për të vendosur rendin”, përfundon Vasili.
Policia e Shtetit pritet të ketë bashkëpunim të ngushtë me Gardën e Republikës për ruajtjen e personaliteteve në zgjedhje dhe Ministrinë e Mbrojtjes për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, për të shmangur çdo parregullsi të mundshme.