Kultura

77-vjetori, përkujtohet ditëlindja e parë pa Mirush Kabashin! E bija: Babi s’ishte vetëm yni, por i të gjithëve!

18 Prill, 11:33| Përditesimi: 18 Prill, 15:28

  • Share

“Mirushi nuk ishte vetëm yni. Neve na u desh ta ndanim atë me të gjithë ju: publikun, njerëzit e thjeshtë që e donin me pastërti, miqtë, kolegët që i vlerësonte profesionalisht dhe shpirtërisht, por mbi të gjitha me skenën. E megjithatë në secilën këto kategori ai u dedikua 100 për qind!”

Këto janë disa nga fjalët që e bija e Mirush Kabashit, Mendi solli në vëmendje në kujtim të të atit, në ditëlindjen e parë pa të fizikisht. 

Një ekspozitë fotografike me çastet më të spikatura të karrierës së Mirush Kabashit, si dhe shfaqja e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së tij erdhën në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë si një homazh vizual për kontributin që ai i dha artit dhe kulturës shqiptare.

 “Im atë, ndryshe nga shumë aktorë të tjerë është vlerësuar më shumë jashtë sesa brenda Shqipërisë. Ky është një fakt që sigurisht e nderon Shqipërinë sepse e ka përfaqësuar në mbarë botën në mënyrën më dinjitoze që mund ta përfaqësojë një artist dhe mendoj që në njëfarë mënyre arti është atdhe. Kjo që ne po bëjmë sot është të promovojmë vlerat, artin dhe kulturën e vërtetë të një ikone, zëri i të cilit nuk do të heshtë kurrë.”, - thotë Mendi Kabashi për "Report TV".

Ndërkohë, për të pranishmit u promovua edhe botimi në shqip dhe anglisht i monografisë  “Mirush Kabashi – Sokrati i skenës shqiptare” me autore Driada Dervishin, e cila ishte edhe drejtuese artistike e mbrëmjes së organizuar.

“Një vit më parë festonim ditëlindjen e Mirushit me intervistën e tij të fundit dhënë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku për rastësi Mirushi kishte 21 vite karrierë. Besoj kjo e ka vështirësuar punën e sjelljes së 21 viteve, për të vijuar me pjesën tjetër të karrierës.”, - shprehet Driada Dervishi.

Mirush Kabashi është lindur më 17 prill 1948. Ai ka interpretuar rreth 100 role, në teatër dhe në kinema dhe është një ndër të paktët artistë që preku skenat ndërkombëtare, në një kohë kur për artistët shqiptarë diçka e tillë dukej e pamundur.

Aktiviteti i organizuar në Tiranë me rastin e ditëlindjes së artistit, do të mbahet mbrëmjen e kësaj të premteje në Shkodër dhe më 23 prill do të vijojë në Gjakovë, ku aktori Mirush Kabashi mbylli karrierën e tij, pesë muaj përpara se të ndërronte jetë.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?