Tirane- Në Shqipëri festohet sot 8 dhjetori, "Dita Kombëtare e Rinisë" në nder të lëvizjes studentore të 8 dhjetorit 1990 që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit pas një diktature të gjatë komuniste.
34 vjet më parë studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, kujton ambasada amerikane në Tiranë duke nënvizuar se rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah ndërsa ecin përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Europës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Më 8 dhjetor kujtojmë ata që luftuan për demokraci. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE”, shkruan në Facebook ambasada e SHBA.
Edhe Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato uroi sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë.
“Gjatë këtij viti, kam pasur rastin të takoj shumë të rinj shqiptarë të talentuar. Energjia, idetë dhe angazhimi i tyre mund ta shtyjnë vendin më tej në rrugën drejt BE-së”, theksoi Gonzato.
“Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian varet gjithashtu nga përfshirja aktive dhe zërat e qytetarëve të ardhshëm të BE-së. Nëse aspironi ta shihni vendin tuaj si pjesë e familjes evropiane, bëjeni zërin tuaj të dëgjohet dhe kontribuoni përmes përkushtimit, edukimit dhe pjesëmarrjes tuaj aktive në shoqëri”, u shpreh Gonzato.
“Evropa është këtu për t’ju qëndruar pranë dhe do të vazhdojë t’ju mbështesë në realizimin e ëndrrave tuaja këtu në Shqipëri. BE-ja është e përkushtuar për krijimin e mundësive, forcimin e arsimit dhe ndërtimin e një shoqërie ku të rinjtë shqiptarë mund të lulëzojnë dhe të formojnë të ardhmen e ndritur që meritojnë”, theksoi Gonzato
8 Dhjetori u shpall si Dita Kombëtare e Rinisë në vitin 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.