Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Plator Nesturi: 8 dhjetori i ndarë dhë përmbyllja e trajektores historike

9 Dhjetor 2021, 11:46| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 11:50

  • Share

Tre aktivitete për ditën e Rinisë janë shprehja më e qartë se 8 dhjetori ishte më shumë se i ndarë. I thërmuar madje nëse marrim parasysh se vetëm nga ana e PD pati dy aktivitete të veçanta nga ku hidhnin shashka e akuza ndaj njëri tjetrit. Ndërkohë aktiviteti i tretë zhvillohej në Pallatin e Kongreseve, mëse i mbushur krahasuar me dy të parat, nga ku dita e Rinisë i shërbeu kryebashkiakut Veliaj jo vetëm për të konmemoruar 8 dhjetorin e 31 viteve më parë, por dhe për të shpallur se në vitin 2022 Tirana është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022, një sfidë dhe mundësi për Tiranën dhe Shqipërinë.

Gjithësesi vëmendja më së tepërmi është e përqëndruar se çfarë ndodh në kampin e djathtë, e kjo jo për cështjen e dy aktiviteteve të veçuara në ditën e Rinisë, por se çfarë do të ndodhë më tej me fatin e partisë që u themelua pas lëvizjes studentore të 31 viteve më parë. Pak ditë më vonë të festohet veç e veç data e themelimit të PD-së e sërish do të villet vrer e acar ndaj palës tjetër. Për pak ditë do të kemi dhe dy kuvende të veçuara nga ku duket se nga podiumi i secilit kongres do të shkarkohet a përjashtohet kundërshtari politik, çka dëshmon një rrugë pa kthim drejt ndarjes së partisë së parë që hapi procesin pluralist në vend. Ndoshta me kaq përmbyllet trajektorja e misionit të saj në histori? Shenjat flasin se dekompozimi kish nisur prej kohësh, prej sa kohësh që thellohej distanca nga rruga e misioni pse u ngrit si parti dhe deri tek trashja e zullumit të drejtimit autokratik të liderëve të saj që tashmë kanë nxjerrë shpatat për të prerë kokën e rradhës si kundërshtarë.

Fakti që do të bëhen dy kuvende dhe që nuk pati asnjë dëshirë dhe tentativë për të patur një kompromis apo marrëveshje midis palëve, të nxjerr në konkluzion se përçarja është fakt i kryer. Tashmë mbetet të mësohet se si do të kryhet ky process, a do të jetë i dhunshëm apo jo dhe si do të ndahet trashëgimia e PD-së së vjetër. Ka shumë interesa që luhen dhe që nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e kryetarëve. Ajo çfarë të bën përshtypje është se në gjithë këto ditë që kur Basha shpalli kongresin për në datën 18 dhjetor, ishte se nga ana e Foltores sikur e dëshironin një sebep për theksuar pozicionet e ndryshme. Berisha nisi ti djegë njëra pas tjetrës të gjitha urat e komunikimit që mund të sillnin në një kompromis, dhe tregoi se është i prirur te rruga e përballjes me Bashën sesa gjetja e një rruge për forcimin e PD dhe mos copëtimin e saj. Në këtë prizëm gjykohet se Berishës më tepër se sa i intereson PD është në fakt fati i tij personal. Atij i intereson një fitore e shpejtë dhe jo thjesht si një rikthim në PD por si tregues force tek ndërkombëtarët që ai mbetet aktor me peshë dhe si i tillë mund të merret në konsideratë një zbutje e qëndrimit të SHBA pas shpalljes non grata. Berisjës pra nu ki interesonte një rrugë e gjatë kompromisesh për të ndalur betejat që po çojnë në ndarjen e PD-së. Ky proçes do të hante kohë, dhe ndonëse do i vlente PD për të ulur gjakrat dhe kthjelluar mendjet, pak do i vlente Berishës në synimet e tij afatshkurtra me ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, qëndrimi i pjesës së Bashës dhe burokracisë së partisë, ndonëse me veprime të mefshta, sidoqoftë tregon se kanë ende peshën e tyre dhe se nuk do të lejojnë kollaj ti heqin qafe nga pozicionet e tyre. Beteja për lidership do të vijojë edhe pas zhvillimit të kongreseve, veçse të dyja palët po shkojnë në rrugën pa kthim ku nuk mund të jetojnë politikisht së bashku. Ndërsa beteja për elektorat është një çështje që do të dëshmohet nga zgjedhjet më të afërta që do të mbahen.

Duhet thënë se një pjesë e suksesit të Foltores, pavarësisht se Berisha ka damkën e personit non grata, është fakti se Basha është treguar një lider i dobët, pa energji dhe i kufizuar në vizionin politik. Kjo është arësyeja që një pjesë e anëtarësisë shkojnë në salat e Foltores. Nuk besoj se pjesa më e madhe e tyre shkon prej Berishës, por sepse në Foltore janë ngritur çështje që i interesojnë anëtarësisë së PD-së dhe që deri më tani u ish hedhur velenza e shurdhërisë nga drejtuesit. Në këtë koncept, PD-ja edhe nëse lirohet nga makthet kërcënuese të Berishës i duhet shumë punë e shumë ndryshime për tu shndërruar në një parti modern politike. Dhe për fat të keq më duket pak vonë që Basha mund ta luajë këtë rol tranzicioni. Ka humbur shumë kohë dhe ka shpërdoruar shumë besim tek demokratët. Realisht partia po shkon kokëposhtë drejt shpërbërjes dhe Basha mund të mbijetojë veç si kryetar i një ojese të PD. I njëti parashikim mund të thuhet edhe për Berishën nëse vijon këmbëngulshëm për të hara-kiri në fund të karrierës politike. Ish kryetari i gjithëpushtetshëm do ta mbyllë si kryetar i vetëm një pjese të demokratëve, që me kalimin e kohës do të vijojnë ti firojnë kur të shohin se nuk mund tua sigurojë të ardhmen politike, madje përkundrazi, do të jetë pengesë për aspiratat e tyre për të ardhur në pushtet.

E vetmja shpresë që mund të mbante të bashkuar do të ish një emër i ri dhe shpresë e re, shpresë që duket se po davaritet në diarrenë e lajmeve që përcjellin përleshjen Basha- Berisha. PD ka nevojë për shërimin e plagëve të saj, për daljen nga kriza dhe krijimin e një klase të re drejtuesish. PD nuk ka nevojë as për “berishizmin” dhe as për të sponsorizuarit e këtij modeli. Ndaj është kaq pa shpresë fakti që sot shpresat i varin se kush do e fitojë betejën midis këtyre modeleve. Është për të ardhur keq që një parti e madhe dhe që ka qeverisur vendin të ngelet vetëm tek këto alternativa. Por duket se është tepër vonë. PD nuk do të ketë dhimbjet e lindjes së një partie të re. Dhimbja është më e madhe kur ajo do të ndahet në dysh. Dhe kjo është shqyerje./ Gazeta "Fjala"

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?