U zgjodh 20 shkurti, për të nisur “Ditët e kujtesës” në vend. Akti i rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha 32 vite më parë, simbolikisht mbyll regjimin totalitar shqiptar e nis të reflektohet mbi krimet që u bënë.
Një panel të diskutimi me të ftuar diplomatë, historianë e artistë përballi gjatë Ditës së Parë të Kujtesës, të shkuarën totalitare, duke e krahasuar me eksperiencat e dhimbshme të vendeve të tjera, dhe mësimet e pamarra, parë rastin e luftës në Ukrainë, që ende vijon.
Ndërsa paraditen e së martës u çel pranë Muzeut Historik, ekspozita “Fëmijët pas telave”, për të kujtuar pasojat e krimeve të diktaturës ndaj fëmijëve, ku sipas statistikave të mbledhura vetëm në vitin 1969, numri i fëmijëve të internuar nën 16-vjeç, arrinte në 830 vetë. Një prej tyre është Ilir Çullhai, i cili lindi në internim në kampet e Lushnjës.
Gjergj Hani, i dënuar në moshën 16 vjeçare ka vuajtur dënimin për 5 vjet në burgun e Qafë Barit. Ai kërkon që krimet e diktaturës, si pjesë e hidhur e historisë së këtij vendi, të faktohen.
Deri në 28 shkurt, Instituti per Demokraci, Media dhe Kulturë me Fondacionin "Konrad Adenauer", Institutin e Studimit te Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit, do të mbajë një seri aktivitetesh për të sensibilizuar opinionin publik mbi regjimet totalitare.