Perceptuar njëkohësisht si festë dhe protestë, duke vënë theksin tek gratë dhe të drejtat e tyre, 8 marsi erdhi nga lëvizja e punës dhe gjithçka nisi në vitin 1908, kur 15 000 gra marshuan në qytetin e Nju Jorkut, duke kërkuar orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shpalli Ditën e parë Kombëtare të Gruas. Ideja për ta bërë këtë tubim ngjarje ndërkombëtare erdhi nga Clara Zetkin, një aktiviste komuniste dhe avokate për të drejtat e grave.
8 marsi u zgjodh si datë pasi në këtë ditë gratë ruse kërkuan “bukë dhe paqe” gjatë një greve të kohës së luftës në 1917. Katër ditë pas grevës, cari u detyrua të tërhiqej nga froni dhe qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën e votës. Sipas kalendarit Julian, i cili atëherë përdorej në Rusi, greva e grave filloi më 23 shkurt. Në kalendarin Gregorian të përdorur në pjesën më të madhe të botës, kjo datë është 8 marsi.
Dita e parë ndërkombëtare e gruas u festua në vitin 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Kombet e Bashkuara (OKB) filluan shënimin e ngjarjes në vitin 1975. Tema e parë e miratuar nga OKB-ja (në vitin 1996) ishte “Festimi i së kaluarës, planifikimi për të ardhmen”.
8 marsi nuk është thjesht një ditë feste, por as një ditë e feminizmit ekstrem.
Më së shumti perceptohet si momenti kur të gjithë duhet të reflektojmë për çështje që lidhen me botën e grave, mbi arritjet e mëdha çështje sociale dhe politike që lidhen me mundësi të barabarta dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për të kapërcyer boshllëqet që ekzistojnë ende.
Në të gjithë botën gratë vazhdojnë të ngrenë zërin për të luftuar kundër shkeljeve të shpeshta të së drejtës për të qenë të sigurta e për të qenë të lira në zgjedhjet e tyre. Disavantazhet profesionale dhe ekonomike janë disa çështjet për të cilat gratë në të gjithë botën vazhdojnë të luftojnë. Edhe pse është e vërtetë që janë bërë shumë hapa përpara, veçanërisht në vendet Perëndimore, është gjithashtu po kaq e vërtetë që rruga drejt barazisë gjinore dhe emancipimit social është ende e gjatë.
Ngjyrat që lidhen me këtë ditë janë lejla, jeshile dhe e bardha, që nënkuptojnë drejtësi dhe dinjitet, shpresë, e pastërti. Këto ngjyra u përdorën nga Unioni Social dhe Politik i Grave, një grup i krijuar në MB në 1903 për të luftuar për votat e grave.
Komente
