8 marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Gruas. Janë të shumta aktivitetet që do të zhvillohen në Durrës në këtë kuadër, ndërkohë, edhe këtë vit, dhjetëra vajza dhe gra kanë zgjedhur të protestojnë, në një marshim paqësor që ka nisur nga qendra e qytetit.
Duke e vënë theksin te rëndësia e këtij tubimi, aktivistja, Bajana Çeveli, thotë ndër të tjera që Durrësi renditet i dyti në nivel kombëtar, për rastet e dhunës në familje.
Ndërsa ka kërkuar dhe reagimin e mbështetjen e institucioneve në nivel vendor e qendror.
'Ne kemi shumë nevojë që institucionet shtetërore, komuniteti dhe shoqëria, gruan ta ballancojnë atje ku duhet', tha ajo.
Por, dhuna në familje nuk është e vetmja problematikë, me të cilën përballen vajzat dhe gratë në Durrës e më gjerë. Sipas tyre, arsyet për të protestuar në këtë ditë janë të shumta.
Durrësi mbetet një nga qarqet më problematikë për dhunën në familje. Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 75 urdhra mbrojtje dhe 40 vepra penale për dhunë në familje, pranë drejtorisë së policisë së qytetit bregdetar.
Ndërkohë, përgjatë 2024-tës janë lëshuar 471 urdhra mbrojtjeje dhe 286 vepra penale për dhunë në familje.
Komente
