Sapo ky panair u hap dhe mësuan qëllimin e tij, të shumtë ishin qytetarët që nuk nguruan që të blejnë ushqimet e tyre të preferuara. Paratë e mbledhura në këtë panair të organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Bashkia Tiranë, do të shkojnë në ndihmë të grave kryefamiljare me probleme të theksuara sociale.
“Jemi mbledhur këtu sot me rastin e 8 marsit i cili është dita e mirënjohës së grave, nëndave. Çdo ditë është 8 mars për gruna, nënat. Me rastin e kësaj feste kemi organizuar një panair bamirësie për ti ardhur në ndihmë grave kryefamiljare. Të ardhurat e siguruara nga këto produkte do ju kalojnë grave. Janë të ardhura modeste, por ne kërkojmë që nëpërmjet këtij aktiviteti, të ju bëjmë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë këto kategori”, tha përfaqësuesja e KMSH, Fatma Karaj.
“Ky aktivitet ka në fokus gratë me shumë probleme sociale. Të gjitha institucionet duhet të jemi bashkë. Në çdo njësi administrative ka databaz të grave që janë në vështirësi. Ne kemi rreth 900 individë që marrin ndihmë psiko sociale, shërbime të vasketës ushqimore, shërbime për negocim për punësim”, tha Migena Kokeri, bashkia Tiranë.
Pjesë e kontributit u bënë edhe këto zonja të ardhura nga Gjermania për disa ditë pushime. Në këtë 8 mars, ditën ndërkombëtare të gruas ata bëjnë thirrje për më shumë guxim dhe të mos lejohet në asnjë moment nga vetë gratë që të bien pre e dhunës.
“Duhet të bëhen më të forta dhe të largohen nga dhuna. Ta protestojnë atë, ta thonë atë dhe mos të jenë nën këmbët e atyre burrave vulgar që i trajtojnë keq’, tha njëra nga zonjat.
Ky panair, organizohet për të disatin vit radhazi, teksa qëllimi i tij është ndërgjegjësimi më i gjerë.