Kryebashkiaku Veliaj

8 marsi, Veliaj nderon me certifikata mirënjohjeje punonjëset në prag pensioni: Faleminderit për sakrificën dhe punën e palodhur për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë

8 Mars, 15:29| Përditesimi: 8 Mars, 15:31

  • Share

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me certifikata mirënjohjeje për kontributin pranë institucionit, punonjëset në prag pensioni të Bashkisë së Tiranës. Veliaj shprehu falenderimet e tij për punën e palodhur që zonjat kanë bërë për qytetin e Tiranës, ndërsa theksoi se është krenar që skuadra e tij ka më shumë vajza dhe gra.

“Sot morëm një moment për të falenderuar zonjat, koleget tona, të cilat i kanë dedikuar një jetë të tërë modernizimit të Bashkisë së Tiranës. Një modernizim që filloi me Edi Ramën, me skuadrën që drejtoi bashkinë nga 2000 deri në 2011-ën, por që vazhdon edhe sot në Bashkinë e Tiranës. Ajo që ndoshta shumë njerëz nuk e dinë është se, pas një debati, apo një figure politike që drejton bashkinë, është një grup i jashtëzakonshëm grash edhe vajzash, inxhiniere, profesioniste, financiere, llogaritare, që punojnë në audit, në projektim, që janë pjesë e zbatimit të projekteve apo që inspektojnë në terren. Jam pafundësisht mirënjohës që shumë prej këtyre realiteteve të ndryshuara në Tiranë kanë emrin, firmën dhe kontributin tuaj profesional. Këtë e vlerësoj jashtë mase. Nuk besoj se ka gjë më të vështirë sesa të jesh grua dhe nënë sepse të duhet të mbash edhe familjen, edhe të japësh kontribut në shoqëri, por edhe të bësh një punë shumë serioze dhe të vështirë”, nënvizoi Veliaj.

Ai shtoi se kjo nuk është një festë lamtumire, por një festë falënderimi dhe mirënjohjeje për gocat, zonjat, gratë e Bashkisë së Tiranës, që i kanë dhënë kaq shumë qytetit dhe që kanë vendosur një standard edhe për institucionet e tjera.

“Më shumë se sa nostalgji, donim që kjo të ishte një ditë për reflektim, për mirënjohje dhe për respekt. Ndonjëherë shkojmë nga beteja në betejë dhe harrojmë t’i themi njëri-tjetrit faleminderit. Jam krenar për ju dhe do të doja që këtë traditë të bukur që kemi në Bashkinë e Tiranës, për të treguar respekt për njëri-tjetrin, ta vazhdojmë për të treguar mirënjohjen për gocat, zonjat, gratë që i kanë dhënë kaq shumë këtij qyteti”, tha ai.

Në fund, kryebashkiaku falenderoi veçanërisht zonjat e palodhura të pastrimit të qytetit, duke theksuar se pa to qyteti nuk do ishte ky që është sot, i pastër dhe i mirëmbajtur.

“Dua të falënderoj në veçanti të gjitha zonjat e pastrimit, që duhet të dalin që në orën 5 ose 6 të mëngjesit, teksa të tjerat kanë lënë turnin e vonë. Ka zonja dhe gra të mrekullueshme në të gjitha institucionet tona. Dua t’u them nga zemra faleminderit edhe një mirënjohje e thellë. Ky qytet është xixë falë punës së tyre, që ndoshta mund të duket si punë e rëndomtë, por pa atë punë qyteti nuk do të ishte ky që është sot. Kur mendoj se sa nga zonjat tona janë tërë ditën me çizme nëpër kantiere për t’u siguruar që shkollat mbarojnë në afate dhe punët të kapin ritmin e tyre, e kam zemrën plot mirënjohje”, përfundoi Veliaj.

Disa nga zonjat që u nderuan me certifikata mirënjohjeje janë: Mimoza Musliaka, e cila prej 23 vitesh është pjesë e Bashkisë Tiranë, Greta Dhaskali, e cila i është bashkuar ekipit të Bashkisë Tiranë prej 24 vitesh, Armanda Guxh, e cila prej 18 vitesh është pjesë e Bashkisë Tiranë, Zihnie Tugu, ku prej 17 vitesh është gjithashtu pjesë e Bashkisë Tiranë, Ikbale (Dalliu) Lubonja, që prej 23 vitesh është pjese e Bashkisë Tirane, si dhe Edlira Turku, e cila prej 24 vitesh në Bashkinë e Tiranës.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?