“Vramë! Unë jam kufoma e ardhshme!”. Kjo është motoja e zgjedhur për videon sensibilizuese për Ditën e Gruas që bëri bashkë aktoret e njohura të teatrove në Shqipëri.
Me pjesëmarrjen e: Raimonda Bulku, Anila Bisha, Sanie Hoti, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, autorja nga Prishtina Kaltrina Pacolli si dhe dy aktore të njohura dhe njëkohësisht dy drejtore të dy prej teatrove më të rëndësishëm në Shqipëri, e Teatrit "Migjeni" në Shkodër Rita Gjeka, dhe e Teatrit "Andon Zako Çajupi" në Korçë, Zamira Kita, i kanë dhënë zë atyre që përjetojnë gratë në përditshmëri.
Duke nisur nga dhuna fizike, shfrytëzimi, e deri te tradhtia, aktoret zgjedhin të japin mesazhet e tyre duke përsëritur: “Vramë, nëse të kam duru e kam mbyll gojën veç se jam gru”.
Mesazhet e aktoreve
Rajmonda Bulku: Vramë, po vramë se nuk të kam pështyrë në fytyrë e nuk ti kam numëruar të këqijat me të shame e me të mallkume. Vramë se kur ke dasht me më keqtrajtu, kam duru. Vramë se nuk të kam kundërshtu kur më ke fol si ke dash. Vramë, po, ngre dorën mbi mu vec pse jam një gru.
Adelina Muça: Po, shkulmi flokët në tokë. Më ler shenja në trup dhe fytyrë nëse s’të kam thënë që je farë e ndarë, nëse s’të kam thënë shikohu në pasqyrë, nëse aty ke me pa ndonjë fytyrë, po, shamë edhe përpara fëmijëve të mi, shamë edhe në rrugë, edhe para njerëzve të tjerë, s’kam me të thënë kurrë gjë derisa kanë me të arsyetu se nëse unë në sytë e të tjerëve po duroj, ti je duke bërë atë që unë e meritoj.
Alesia Xhemalaj: Po po, vramë. Shkrepe pushkën drejt e në zemrën time e mbi 100 thyerje të saja, një plumb kurgja nuk dhemb sa dhembin këto netë me zhurma të mëdhaja. Vramë nëse nuk të kam shtyrë nëse me zor ke dashur të më prekësh sa herë të është tekur të gjithën të më kesh. Vramë nëse të kam lënë, vramë nëse Mjaft s’të kam thënë.
Suela Bako: Le të jem kufomë nëse kam hesht, nëse të kam dashur edhe kur s’më ke dashur. Nëse prap kam qeshur me ty edhe kur më ke poshtëruar dhe rrahur. Le të jem kufomë veç se jam grua e ti vramë se i pastër del. Askush nga ti gishtin nuk do ta drejtojë. Askush fajtor nuk e le të gjallin se i vrari patjetër do të ketë diçka që e meriton. Se i vrari s’e ka problem nëse e kallin që vrasësit si ti të marrin malin.
Anila Bisha: Vramë se të kam respektuar dhe kur sende ke gjujt mbi mua, nëse të kam respektuar kur në vend të luleve veç ferra më ke dhuruar. Vramë nëse në pikë të natës je kthyer i dehur me alkool e parfum të femrave të tjera në trup e unë edhe shtratin ta kam shtru e ta kam ndreq. Vramë nëse jetën kam menduar ta çoj me ty kur të bëhemi pleq.
Sanie Hoti: Ma merr jetën nëse të kam dhënë të drejtën, nëse të kam fal lirinë shpirtin n’fyt me ma pru. Po, merrma jetën nëse të kam fal dashurinë ndërsa ti veç më ke shfrytëzu. Po po ma merr jetën nëse kam ul kokën vec pse jam gru.
Rita Gjeka: Ma merr jetën nëse egër s’të kam largu sa herë ke vu dorë mbi mu dhe për të gjithë herët e tjera q ëmë ke kërcënuar. Ma merr jetën nëse me grushte s’të kam sulmu dhe kam bërë një hap mbrapa vetëm se jam gru. Vramë nëse të nesërmen jam zgju dhe kam fshi gjanat që ti ke thy mbi kry. Vramë nëse jam ndi ma e sigurt natën rrugëve se sa me ty. Vramë nëse shtëpia më asht duk si burg.
Mimoza Marjanaku: Vramë por kufoma ime do të flejë me ty në një shtrat me ty, në një jastëk me ty për t’u siguruar që edhe ëndrrat t’i shohësh veç zi. Kur shpirti im të bëhet pluhur, do të kthehem prap tek ti për të gjitha gratë që u vranë e të gjithë kërcënimet që u thanë. Do të kthehem sepse ti ke vrarë një nënë.
Zamira Kita: Vramë nëse më ke shit moral dhe të kam dëgjuar ndonëse e kam ditur që mbrëmë e parmbrëmë me të tjera ke shkuar. Vramë nëse e vetmja verë e kuqe që kam pirë me ty ka qenë gjaku që s’kam mundur ta pështy.
Kaltrina Pacolli: Le të jem unë kufoma e ardhshme e dorës së fshehtë, e gjakut tënd të nxehtë nëse të këqijat t’i kam mbajtur të fshehtë. Le të jem unë kufoma ardhshme nëse kam duru që me lot kam rënë në gjumë e me lot jam zgju. Vramë, pash të madhin Zot nëse e mbylli gojën veç se jam gru.