Numri i vizitorëve në Parkun Arkeologjik të Bylisit këtë vit shënoi një rritje prej 20% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Turistët më të shumtë janë ata të huaj, të cilët duan të shijojnë në Shqipëri, jo vetëm natyrën por dhe elementët historikë e sitet antike.
***
Fier - Parku Arkeologjik i Bylisit, një destinacion i njohur tashmë, gjatë periudhës së deritanishme po vizitohet nga një numër gjithnjë e në rritje i turistëve.
Vizitorët më të shumtë, veç vendasve, janë ata polakë, çekë, gjermanë, francezë e spanjollë, të cilët vizitojnë kryesisht teatrin antik, pesë bazilikat, mozaikët e rrallë dhe elementë të tjerë të parkut.
Turistët të cilët vizitojnë këtë destinacion të rëndësishëm arkeologjik dhe historik shprehen të mahnitur nga ajo me çfarë kanë mundur të shohin brenda parkut, por dhe me natyrën përreth.
“Po bëjmë një tur prej 6 ditësh dhe jemi të interesuar për arkeologjinë dhe ushqimin duke qenë se kuzhina shqiptare është e mirë. Kjo është arsyeja që jemi këtu, për murin e madh rreth kodrës”.
“Erdhëm nga Belgjika me makinë në Shqipëri, të vizitojmë vendin tuaj. Ka shumë asete të bukura arkeologjike, natyrore . Është një vend i panjohur për ne dhe na ka impresionuar sepse mund të vizitosh shumë vende, nuk është i mbipopulluar. Pjesa e detit është shumë e këndshme, ndërsa përshtypja e parë këtu është për një vend të bukur, nga fillimi i kodrës, deri te muret e mëdha, dhe ne do të vazhdojmë të vizitojmë akoma më shumë”.
“Ne jemi nga Republika Çeke, nga Praga. Është hera e parë në Shqipëri, dhe mendojmë se është një vend i bukur, natyrë shumë e këndshme dhe site turistike. Ne e kemi njohur Shqipërinë nëpërmjet Domap sepse ne kemi hyrë në site arkeologjike për t’u informuar, do të jetë një eksperiencë e bukur për ne”.
Parku Arkeologjik i Bylisit pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrje me fondet e Bashkimit Europian, ku veç konservimit do të ketë dhe përmirësime infrastrukturore që i shërben ruajtjes së vlerave të këtij potenciali turistik e historik të vendit tonë.
Komente
