Kronikë

10 piromanë të arrestuar që i vunë flakën Shqipërisë

13 Gusht, 15:35| Përditesimi: 13 Gusht, 17:21

  • Share

Zjarret që kanë pushtuar thuajse të gjithë territorin, kanë në shumicën e rasteve autorë, të cilët autoritet i kanë vënë në pranga për zjarrvënie të qëllimshme.

Vetëm në orët e fundit policia arrestoi 10 piromanë, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar penalisht.

Në Krujë, policia arrestoi një 19-vjeçar i cili ishte në arrest shtëpie për kultivim kanabisi. Ai i vuri flakën ullishteve të fqinjëve si pasojë e konflikteve për motive pronësie, ndërsa flaka u përhap në territorin e fshatit Barkanesh duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme.

Një 61-vjeçar, Shezai Banaj, u arrestuar pasi ndezi zjarr në parkun kombëtar të Vjosës, në Mezarak, duke çuar në djegien e një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe 300 rrënjëve me ullinj.  

Në fshatin Dushk të Lushnjes është identifikuar një tjetër piroman, Arjan Kaja, 58 vjeç i cili ndezi zjarr në tokën e tij, e për pasojë u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme.

Madje, 58-vjeçari pengoi edhe zjarrfikësit në përpjekjet për të vënë në kontroll situatën.

Në Berat, policia arrestoi 4 persona të tjerë për zjarrvënie të qëllimshme.

Shefqet Dodoveci, 49 vjeç, autor i zjarrvënies në lagjen Uznovë dhe Zaçe Merkajn për zjarrvënie në fshatin Osmëzezë.

Dy të tjerë, Safet Manaj dhe Lefter Begaj, janë arrestuar për zjarret në fshatin Drenovicë.

Në Memaliaj, në fshatin Koshtan u dogjën 3 banesa, 400 pemë frutore dhe një sipërfaqje e madhe pyjore, ndërsa autori dyshohet të jetë një 62-vjeçar.

Ndërkohë në Durrës një grua 61-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë si pasojë e zjarrit që dyshohet se ndezi në oborrin e banesës së saj duke sjellë djegien e një sipërfaqe toke dhe një kasolleje.

Zjarrvënësit i paralajmëroi me masa më të ashpra vetë Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji. Për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal”.

Nga qershori deri më 11 gusht, autoritetet kanë identifikuar 115 autorë për zjarrvënie të qëllimshme, prej të cilëve vetëm 31 janë arrestuar, 83 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Ora 15:55
Rama: 14 zjarrvënës janë identifikuar gjatë 24 orëve të fundit

Kryeministri Rama thotë se 14 zjarrvënës janë identifikuar gjatë 24 orëve të fundit.

Në një postim në Facebook, Kryeministri sqaron se 10 prej tyre janë arrestuar dhe 4 po hetohen në gjendje të lirë.

Prej 48 orësh, Shqipëria po digjet si pasojë e flakëve që kanë dalë jashtë kontrollit, sidomos në Delvinë e Gramsh.

Shumica e zjarrëvënieve janë të qëllimshme.

“Gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e Policisë kanë identifikuar 14 autorë të zjarrvënieve. 10 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 4 janë proceduar penalisht. Forca Kombëtare e Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe mbështetur Emergjencat Civile e Zjarrfikësit për shuarjen e flakëve”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • piromani: 13/08/2025 19:51

    mbase e bejne nga dashuria e madhe per Edin. Krejt sjellje normale ne nje shioqeri te kalbur me duket mua

    Përgjigju
  • PiroMani: 13/08/2025 19:04

    10 Sali Protopapa qe i vune flaken Shqiperise

    Përgjigju
  • Pameshire: 13/08/2025 18:21

    Denime te renda per keta maskarenj qe po shkaterrojne vendin!

    Përgjigju
  • Ajo: 13/08/2025 17:06

    Cfare kriminela ti vesh zjarrin shtepise ne burg te gjithe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?