Teherani dhe një sërë qytetesh të tjera të Iranit vijojnë protestat e dhunshme pas vrasjes së Amsa Aminit, një vajzë që u akuzua se nuk e kishte vendosur mirë shaminë. E ashtuquajtura Polici e Moralit e mohon, duke thënë se vajza pësoi atak kardiak, ndërsa akuzon të atin se gënjen për vrasjen.
Të paktën 8 protestues kanë mbetur të vrarë gjatë protestave të dhunshme në Iran, pas dhunimit për vdekje nga policia të 22-vjeçares që nuk e kishte vendosur mirë hixhabin.
Katër prej tyre, përfshirë një adoleshent, vdiqën nga plagët e marra nga forcat e sigurisë, ndërsa 4 të tjerë u vranë me armë.
Së fundit, autoritetet e Teheranit kanë akuzuar babanë e saj se kanë gënjyer për vdekjen e Mahsa Aminit.
Amjad Amini, tha se mjekët kishin refuzuar ta linin të shihte vajzën e tij pas vdekjes së saj.
Zyrtarët iranianë kanë pohuar se ajo vdiq pasi pësoi një "sulm në zemër" dhe ra në koma, por familja e saj ka thënë se ajo nuk kishte asnjë problem shëndetësor para se të humbte jetën në ambientet e paraburgimit.
Kur Amjad amini pa trupin e vajzës së tij, ai ishte tërësisht i mbështjellë, përveç këmbëve dhe fytyrës së saj, e megjithatë arriti të vinte re mavijosje në këmbët e saj. Pamjet e publikuara nga media shtetërore e Iranit treguan Mahsa Aminin duke u rrëzuar në një qendër "riedukimi" ku ajo u mor nga policia e moralit për të marrë "udhëzime" për veshjen e saj.
Protestat janë përshkallëzuar ditët e fundit pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar mosmarrëveshjet me një ndërprerje të internetit. Hera e fundit që Irani pa një ndërprerje kaq të rëndë ishte kur autoritetet u përpoqën të frenonin protestat masive në fund të vitit 2019 , pasi çmimet e karburantit u rritën deri në 300%.
Policia e trazirave u mobilizua për të shpërndarë protestuesit të mërkurën mbrëma në kryeqytetin Teheran dhe u pa duke arrestuar disa persona.
Pas vdekjes së 22-vjeçares një valë zemërimi po ‘kapluar’ në Iran. Viktima u arrestua nga e ashtuquajtura Policia Morale e Teheranit për mosbindje ndaj urdhrit për të mbuluar mirë flokët e saj.
Siç raporton gazetarja britaniko-iraniane Christian Amanpour në postimin e saj në Twitter, ajo kishte organizuar një intervistë me presidentin e Iranit, Ebrahim Raishi, për ta pyetur për vdekjen e 22-vjeçares, por edhe për protestat që kanë shpërthyer në shumë zona të vendit.
Gazetarja vëren se do të ishte intervista e parë e presidentit iranian në tokën amerikane.
“Pas javësh përgatitjeje dhe orëve të gjata të vendosjes së pajisjeve të përkthimit, dritave dhe kamerave, ne ishim gati. Por presidenti Raisi nuk u paraqit. Dyzet minuta më vonë erdhi një asistent. Siç më tha, presidenti më sugjeroi të mbaj shami, sepse janë muajt e shenjtë të Muharremit dhe Safarit”, tregon Amanpour.
Gazetarja refuzoi me mirësjellje, ndërsa shtoi: “Jemi në Nju Jork, ku nuk ka asnjë ligj apo traditë për shamitë. Theksova se asnjë president iranian nuk e kishte kërkuar më parë këtë kur i intervistova jashtë Iranit”
“Asistenti e bëri të qartë se intervista nuk do të bëhej nëse nuk mbaja shami. Ai foli për një çështje respekti dhe foli për situatën në Iran – duke iu referuar protestave që kanë përfshirë vendin”, tha Amanpour.
“Përsëri thashë se nuk mund të pajtohesha me këtë kërkesë të paprecedentë dhe të papritur”, thekson ajo.
“Dhe kështu u larguam. Intervista nuk u bë. Në një kohë kur protestat vazhdojnë dhe njerëzit po humbasin jetën, do të ishte një moment i rëndësishëm për të biseduar me Presidentin Raisi”, përfundoi gazetarja.