PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80- vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol.
Në këtë vendprehje më shumë se 2900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri.
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh i keqardhur për qëndrimet e Greqisë ndaj çështjes çame dhe faktit që mes dy shteteve tona ekziston ende ligji i luftës.
“Ne nuk fajësojmë grekët sot, popullin grek, e as qeverinë e sotme greke, për atë që ka ndodhur 80 vjet më parë, por jemi të keqardhur për qëndrimet që ato mbajnë ndaj çështjes çame, duke u bërë bartëse e qarqeve të dala kohe për një vend të Bashkimit Europian, me ligj lufte, me varreza, konflikte, me vorio-epiriotë, duke harruar që Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më ata të viteve ’90 kur dolën nga beteja komuniste e 50 viteve. E ndërsa ne presim falje publike e duam të gjejmë një zgjidhje, segmente të shtetit grek, kriminelë si Napolon Zerva i bëjnë heronj e u ngrenë buste, kurse njeriun me tre emra e tre dënime e bëjnë eurodeputet.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj i bëri thirrje politikës të zbatojnë Rezolutën për Çamërinë dhe të mbrojnë interesat kombëtare.
“Aktivitetet e këtij viti të 80-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit grek mbi popullsinë e pafajshme çame na tregon se komuniteti ynë bashkë me patriotët shqiptarë dhe miqtë e shumtë janë më të vendosur se kurrë në mbrojtje të Çështjes Çame, si një nga kauzat më të rëndësishme të çështjes tonë kombëtare.
Unë i bëj thirrje sot politikës të zbatojë me kurajo dhe vendosmëri Rezoluten për Çamërinë dhe të mbrojë interesat tona kombëtare”.
Nën tingujt e marshit funebër të gjithë pjesëmarrësit vendosën trëndafila në memorialin e gurëve, si shenjë kujtimi ndaj të afërmve dhe njerëzve të tyre të dashur, që humbën jetën padrejtësisht 80 vjet më parë për shkak të gjenocidit grek.