Kultura

80-vjetori i Teatrit Kombëtar, në skenë ‘Topazi’ i 1945-ës! Hapet arkiva me foto e dokumente të rralla! Xhepa: Vëmendje teatrit. Gonxhja: Artistët do të kenë status

23 Maj, 12:33| Përditesimi: 23 Maj, 15:14

  • Share

“Topazi” është pjesa teatrore që njihet si “shfaqja themeluese” e Teatrit Kombëtar në Shqipëri. E vënë në skenë në 17 maj 1945, disa copëza të kësaj komedia janë sjellë për publikun në skenën e ArTurbinës me aktorë të trupës së sotme të Teatrit Kombëtar, pikërisht në 80-vjetorin e themelimit. Ky përvjetor është sjellë në vëmendje në një aktivitet të veçantë, ku për të pranishmit është hapur edhe arkiva me dokumente të rralla dhe fotografi historike nga shfaqjet e para të Teatrit Kombëtar.

“Të gjithë ju sot mund të keni në bibliotekat tuaja një përmbledhje të plotë të dosjes së parë arkivore të shfaqjes së parë të Teatrit Kombëtar. Këtu mund të gjeni se si kjo shfaqje e nisi rrugëtimin e saj, si u formësua. Si dhe pse u zgjodh të ishte kjo shfaqje e parë në majin e vitit 1945.”, - tha drejtori i TK-së, Indrit Çobani. 

“U nisëm të bënim dosjen. Shpluhurosëm arkivat. Përfunduam në një arkiv të hapur që tani është për të gjithë dhe zbuluam fakte të reja dhe interesante që lidhen me zanafillën e Teatrit Kombëtar, që do t’i them në libër. Sot nuk ka asnjë njeri gjallë që të ketë parë shfaqjen e parë. E vetmja gjë ku mund të mbështetemi është shtypi i kohës.  Do të ishte shfaqja e parë që do të themelonte trupën e Teatrin Kombëtar, në atë kohë grupi central dramatik dhe do të ishte me dy premiera.”, - u shpreh kuratorja e botimit, Anxhela Çikopano. 

Aktorë të njohur të teatrit ndanë për të pranishmit kujtime dhe kërkuan më shumë vëmendje ndaj artit.

 

"Teatri Kombëtar sot, Teatri Popullor dikur ishte ëndërr për çdo aktor që dilte nga bankat e shkollës. Ëndërr edhe për mua.  Vija në teatër e konfirmuar si aktore në kinema. Dita e parë ishte impresionuese për mua. Ishte mbledhja e trupës artistike, një trupë me mbi 60 artistë. Pashë të hynin në studio figura, si: Piro Mani, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi, Roza Anagnosti, Bujar lako, Marjeta Ljarja, e mç pas më të rinjtë, enra që konfirmojnë kombëtaren në teatër. U ndieva e privilegjuar. Teatri është jeta ime.”, - tha Luiza Xhuvani.

"Pati një gjë pozitive në vitet ’50-’60-të. Ajo kohë çoi njerëz që të studionin jashtë, sidomos për regjisurë. Ajo ngriti nivelin e teatrit me premiera të veprave të mëdhaja, veprave të karakterit shekspirian, të Çehovit, që rritën aktorë, se vepra të mëdha, regjisorë të mirë rrisin nivelin e aktorëve dhe niveli i aktorëve të trupës që unë kam gjetur në ’79-ën ecën nga kjo lloj vlere. Kam bindjen se e sotmja, nga kjo ka filluar të çalojë pak, sepse vëmendja karshi teatrit në përgjithësi ka qenë jo aq sa duhet. Në ç’drejtim? Në drejtimin për mua thelbësor të përgatitjes në rradhë të parë të regjisorëve. Ata individë që dalin në pah atje, atë dyvjetëshin e masterit duhet ta bëjnë në shkolla të nivelit të parë evropian, gjë që do të rrisë nivelin e teatrit.", - vërejti aktori Ndriçim Xhepa.

“Në këtë shtator që vjen bëhen 50 vjet nga koha kur hyra në Teatrin Kombëtar. Kur isha student dhe shikja shfaqje të teatrit, kisha ndjesi kur do të vijë dita kjo skenë të jetë dhe imha. Për brezin tim ishte tempull, për mua vazhdon të jetë tempull. Në teatëer ke mundësi të njohësh gjithë botën dhe më e rëndësishmha të njohësh vetveten, gjëja më e rëndësishme për njeriun.", - u shpreh aktorja Yllka Mujo.

Ministri i kulturës Blendi Gonxhja foli mes të tjerash për problematikat e institucioneve kulturore sot, ndërsa iu premtoi artistëve që në qendër të strategjisë së re të artit dhe të kulturës për periudhën 2026-2030, do të jetë statusi i artistit, për t’u dhënë këtyre të fundit vlerësimin e munguar.

“Një nga problematikat më të mëdha që kemi është se na mungon një klasë e vërtetë menaxherësh, një klasë e vërtetë drejtuesish artistikë, na mungon një klasë, e cila duhet të jetë gati edhe për sfidat e reja në botën e menaxhimit sa i takon skenës dhe janë specifike, shumë më delikate dhe komplekse.”, - tha Gonxhja.

Ministri premtoi edhe që në të ardhmen e afërt do të ketë më tepër trupa artistësh që lëvizin në qytete të ndryshme të vendit.

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?