853 milionë € kredi për rindërtimin, ekspertja Shehu: Është hua produktive, treguesit ekonomikë do të përmirësohen

24 Shkurt 2020, 14:37| Përditesimi: 24 Shkurt 2020, 16:59

  • Share

853 milionë euro i është ofruar si kredi vendit nga ndërkombëtarët për procesin e rindërtimit. 

Për ekspertët kjo kredi do të cenojë parametrat e borxhit publik por do të jetë edhe produktive pasi do të monitorohet nga ndërkombëtarët. 

Pas Konferencës së Donatorëve, ku vendit iu premtuan 1 miliardë e 152 milionë euro, shqetësimi i ngritur tashmë është shlyerja e kredive që shteti do të aplikojë për të marrë. 

Ekspertë të ekonomisë janë shprehur se kjo huamarrje do të tejkalojë të gjitha parametrat e borxhit publik. 

Ekspertja Elona Shehu pavarësisht se pranon se kredia e ofruar do të ndikojë në rritjen e borxhit publik, ajo shprehet se kjo huamarrje do të jetë produktive pasi është e monitoruar. 

“Elementi pozitiv është që ky borxh është ndryshe nga borxhet e tjera pasi do të jetë i monitoruar nga institucione ndërkombëtare, gjë që nuk bëhet me borxhet e tjera siç është eurobondi.

Mënyra se si përdoret e bën borxhin që merret efektiv ose jo. Huamarrja e rindërtimit është produktive pasi do të monitorohet. Treguesit makroekonomik do të përmirësohen deri në momentin që ne të fillojmë me shlyerjen e borxhit”, shprehet Shehu. 

Nga ana tjetër Shehu ngre shqetësimin e mungesës së transparencës me fondet e mbledhura nga qeveria dhe organizatat vendase.

“Cili është fondi që ka mbledhur qeveria shqiptare bashkë me të gjitha ato institucione të pavarura, fonde bamirësie që kanë mbledhur.

Ashtu siç u bë publike fondi që u dha grant dhe ai që u dha hua nga shtetet e huaja, duhet të bëhet edhe për institucionet shqiptare.

U reduktuan investimet, sa u reduktuan dhe ku shkuan. Duhet transparencë në të gjitha shifrat”, thekson ajo. 

Ndërkombëtarët kanë vënë në dispozicion të vendit për rindërtimin e banesave rreth 295.7 milionë euro janë ndihma pra grante, 853 milionë është kredi dhe 3.4 milionë euro janë ndihma për mallra.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?