85-vjetori i lindjes së Maks Velos, antikonformistit të pakohë! Studiuesja: Askush s’i kërkoi falje

31 Gusht 2020, 15:41| Përditesimi: 31 Gusht 2020, 17:25

  • Share

E kanë krahasuar me poetin Ezra Pound, dhe rrëfimi për ngjashmërinë ia rrëmbente Maks Velos, një buzëqeshje hokatare. Me flokët e bardhë të pushpuritur, vështrimin qortues, kritik si ai dhe antikonformist. Vendit prej 4 muajsh, i mungon një nga zërat më të rëndësishëm të artit e kulturës. Maks Velo, piktor, arkitekt, publicist, kritik,  sot do të kishte shënuar 85-vjetorin e lindjes, por në 7 maj 2020 një sëmundje e rëndë në gjak, ia ndërpreu rrugëtimin fizik. Përjetësinë e gdhendi përmes veprash, si salla e “Mileniumit”, Pallati “Kadare”, godina e ATSH-së, shkolla “Emin Duraku”, stolin e famshëm të Parkut të Liqenit që shënoi edhe skulpturën e parë modern në vend, qysh prej vitit 1963.

15 vite më vonë do të arrestohej për “agjitacion e propagandë”, me akuzën se inspirohej nga “Modigliani, Braque-u dhe Picasso-ja, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”.

“Ajo lloj partie donte viktima, të cilat duhet të dëgjoheshin. Disa nga artistët shqiptarë u kthyen në viktima të komunizmit, këtu bën pjesë edhe Maksi me krijimtarinë e tij...
Që nga vitet 1950-‘60-’70 Maks Velo i njihte mirë proceset moderne të fundit të shekullit XIX dhe fillim shekullit XX në artet pamore. Pra Maksi dhe disa nga artistët e tjerë u nxitën për të imituar dhe për të sjellë procesin e vet figurativ”, shprehet Varvarica

Mbi 260 vepra të sekuestruara e të djegura do të linin  tek ai gjurmë të thella dhimbjeje, njësoj si vitet e burgut ku do ta ndjente edhe më dorën e ashpër të sistemit komunist.

 “Është një krijimtari disi ndryshe, por aspak një krijimtari që  mund ta çonte të vuante nëpër burgje. Ka fillime, ka një ecuri, por ka edhe një moment që ngrihet vlaga e revoltës së tij intelektuale. Nuk është thjesht një revoltë pa një brumë intelektual, por është një revoltë e fortë intelektuale. Prandaj, Maksi kërkonte që dikush që t’i thoshte më fal. Asnjëherë nuk e dëgjoi këtë shprehje, deri në fund të jetës së tij”, thotë Varvarica.

Ndërsa, sot në këtë përvjetor, drejtuesit e institucioneve të kulturës e kujtojnë përmes postimeve në rrjete sociale, Varvarica na rrëfen se ç’duhej bërë për veprën e artistit të pakohë

“Nëse politikat kulturore të Ministrisë sonë të Kulturës do të krahashoheshin me politikat që mori bashkia Antrodoco ku jetoi Lin Delia, do të thosha që nuk është bërë asgjë, veçse është mbyll shtëpia e tij. Një muze për këta artistë të persekutuar (të të gjithë zhanreve) duhet që të bëhet patjetër për ta, në Tiranë apo në një qytet tjetër”, përfundon Varvarica.

Do t’i rrëfente këto përjetime e ndjesi edhe gjatë krijimtarisë së tij letrare me vepra, si “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj.

 

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • vjosa: 01/09/2020 23:54

    MAKS VELO E KA GDHENDUR EMRIN E TIJ NE ZEMRAT E SHQIPTAREVE ME VEPREN E TIJ....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?