Foto sot nga Spitali Infektiv (COVID-1)

865 raste të reja me COVID dhe 13 viktima! 'Blindohet' Infektivi, shtrohet Dritan Dajti! Humb jetën mjeku në Skrapar

1 Shkurt 2021, 16:57| Përditesimi: 1 Shkurt 2021, 21:29

  • Share

TIRANË- 865 raste të reja me COVID dhe 13 humbje jete! Është ky bilanci i koronavirusit në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, shifra këto të ardhura si rezultat i 2960 testimeve. Tirana vijon të mbajë numrin më të lartë të rasteve ditore dhe viktimave në 24 orë.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 13 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 9 qytetarë nga Tirana, 1 qytetarë nga Mati, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Vlora, të moshave 60-80 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ashtu si kurse e konfirmoi ditën e sotme edhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, është rritur numri i të shtruarve në 4 spitalet COVID. Këtë të hënë ka pasur 24 shtrime të reja.

“Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 365 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”, thuhet në njoftim.

Sa i përket të shëruarve, ky numër vijon të jetë stabël.

“Në 24 orët e fundit janë shëruar 498 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 47,922 që nga fillimi i epidemisë”, përfundon njoftimi.

Në një kohë, që masat anti-COVID nuk po zbatohen, Ministria e Shëndetësisë iu drejtohet me një apel qytetarëve.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë rregullat antiCOVID duke vendosur maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë; duke shmangur grumbullimet dhe duke ruajtur distancimin fizik; duke u kujdesur për higjenën vetjake, në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki
421 raste në Tiranë, 55 në Fier, 39 në Lushnje, 35 në Durrës, 29 në Kurbin, 26 në Vlorë, 23 në Sarandë, 22 në Delvinë, 20 në Elbasan, 17 në Shkodër, 16 në Berat, nga 14 raste në Kavajë, Gjirokastër, Divjakë, Kuçovë, 13 në Mallakastër, nga 9 raste në Lezhë, Gramsh, 8 në Peqin, nga 7 raste në Mirditë, Malësi e Madhe, 6 në Kukës, 5 në Rrogozhinë, nga 4 raste në Kamëz, Dibër, Skrapar, Cerrik, nga 3 raste në Prrenjas, Konispol, nga 2 raste në Librazhd, Tepelenë, Fushë-Arrëz, Bulqizë, Memaliaj, Kolonjë, nga 1 rast në Korçë, Tropojë, Mat, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Belsh, Shijak, Poliçan.

COVID-19 – Statistika (1 Shkurt 2021)
Raste të reja ditore 865
Të shëruar në 24 orë 498
Të shtruar në spitale 365
Humbje jete në 24 orë 13
Testime ditore 2960
Testime totale 361,453
Raste pozitive 78,992
Raste të shëruara 47,922
Raste Aktive 29,677
Humbje jete 1393

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve
Tiranë 17052
Fier 2405
Durrës 1629
Shkodër 1453
Vlorë 1382
Elbasan 1348
Lezhë 1051
Korçë 936
Berat 921
Gjirokastër 608
Kukës 468
Dibër 424

Përditësimi i situatës së COVID-19 në Shqipëri

Ora 21:27
COVID-19 në Berat/ 3 mësues dhe 1 nxënës të infektuar në 24 orët e fundit

 

1610979978_Koronavirusinekosove1100x620.jpg

Këtë të hënë në qytetin e Beratit u raportuan 16 raste të reja me koronavirus.

4 nga këto raste janë në shkolla të mesme e 9-vjeçare, 3 mësues dhe një 1 nxënës.

Ndërkohë një tjetër rast u regjistrua në Drejtorinë Arsimore Berat e një oficer policie.

Disa prej rasteve të konfirmuara në Berat:

-1 mësues në shkollën e mesme "Irfan Ngjeqari" në Berat.
-1 mësues në shkollën e mesme "Muhamerr Janina" në Urë-Vajgurore.
-1 mësues në shkollën 9-vjeçare në fshatin Sinjë.
-1 nxënës në shkollën 9-vjeçare në fshatin Mbrakull.
-1 specialist në Drejtorinë Arsimore Berat.
-1 oficer policie në DPV Berat.
 

Ora 12:55
Humb jetën nga COVID-19 mjeku në Skrapar, po mjekohej jashtë vendit! Babai i kandidat për deputet të LSI

Mjeku Muharrem Nonaj, 77 vjeç, nuk ka mundur të fitojë betejën e tij me COVID-19. Prej kohësh ai po luftonte me COVID-19, ndërsa po kurohej jashtë shtetit.

Muharrem Nonaj, i cili ishte dhe babai i kandidatit për deputete të LSI-së për qarkun e Beratit, Blenard Nonaj. Mjeku Nonaj ka shërbyer si mjek otorinolaringolog për 45 vite në Skrapar.

Ka qenë vetë i biri që ka ndarë lajmin në facebook, i cili thotë se babai i tij u nda nga jetë për shkak të COVID-19.

“Të nderuar Miq dhe të Afërm. Me hidhërim të thellë ju njoftoj se babai im dr Muharrem Nonaj ndërroi jetë, duke mos e fituar dot betejën me covid-19” shkruan Blenardi Nonaj.

Edhe shoqata e ORL-së ka bërë homazhe për ndarjen nga jetë të mjeku nga Skrapari duke thënë se ai i shërbeu me devotshmëri komunitetit deri në fund.  

“Shoqata Shqiptare e ORL dhe Shërbimi ORL me hidhërim të thellë njoftojnë ndarjen nga jeta të mjekut Otorinolaringolog në rrethin e Skraparit Dr. Muharrem Nonaj. Dr. Muharremi i cili shërbeu deri ditën e fundit nuk mundi ta fitonte betejën me Covid-19. Ai shërbeu ne rrethin e Skraparit për më shumë se 45 vjet si mjek otorinolaringolog duke zgjidhur të gjitha problemet dhe urgjencat në këtë specialitet. Vitet e fundit për shkak të largimit të shume specialistëve nga rrethi i Skraparit Dr. Muharremi ka zgjidhur edhe shumë probleme të specialiteteve të tjera. Zemërgjerësia dhe përkushtimi ndaj pacientëve e kanë bërë Dr. Muharremin nje figurë te dashur dhe të respektuar për të gjithë rrethin e Skaraparit, qytetin e Poliçanit dhe atë të Beratit. I shprehim ngushëllimet e thella familjarëve dhe lutemi që shpirti i Tij të prehet në paqe", shkruan Shoqata Shqiptare të ORL.

Ora 11:58
VIDEOLAJM/ Policia e armatosur 'gjer në dhëmbë' 'rrethon' Infektivin, është i shtruar me COVID Dritan Dajti! Edhe Shullazi në QSUT

Pamjet e mëposhtme janë marrë nga Spitali Infektiv në Tiranë, i cili sot është gjendur i rrethuar nga forca të shumta policie të armatosur.  Kjo për faktin se prej disa ditësh është i shtruar aty, Dritan Dajti, i cili është infektuar me COVID.

Ndërkohë që mësohet se në QSUT sot gjendet edhe Emiljano Shullazi, për të bërë disa ekzaminime shëndetësore.

Kujtojmë se i dënuari për vrasjen e 4 oficerëve të policisë, Dritan Dajti ka përfundoi në spital nën masa të rrepta sigurie. Ne sektorin ku vuan dënimin Dajti mësohet se ka rezultuar pozitiv me COVID një i dënuar dhe si pasojë është infektuar edhe Dritan Dajti.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?