Vajza e piktorit ORI që artisti e pikturoi si dhuratë për ditelindjen e saj pak kohë para se të ndahej nga jeta

87 vite nga lindja Ismail Lulani... piktorit të legjendave, ku magjia ndërthuret me misterin

26 Janar 2020, 08:20| Përditesimi: 26 Janar 2020, 09:23

  • Share

TIRANË- Më 26 mars të këtij viti mbushen 87 vjet nga lindja e piktorit të madh shqiptar ISMAIL LULANI. Kombi shqiptar do ta kujtojnë me respekt këtë ikonë të pikturës shqiptare të shekullit XX. Qyteti i Shkodrës sigurisht që krenohet me Lulanin si një ndër figurat që do të kujtohet dhe nderohet për kontributin e tij në modernizimin e pictures në qytetin e tij por edhe me gjerë.

Në pikturën shqiptare piktori Ismail Lulani veçohet dhe vlerësohet si një kolorist ekspresiv i njollave me ngjyra potente, të ngrohta e plot dritë, një personazh i rëndësishëm për pikturën shqiptare të shekullit XX. Lulani ndikoi në sëbashku me D.Jukniun, S.Shijakun, S.Kamberin, E.Hilën, B.Ahmetin në modernizimin e pikturës shqiptare në vitet 1970 – 90.

Lulani pikturoi krahas personazheve të fuqishëm e të rëndësishëm historikë, (kryesisht nga legjenda) edhe njerëzit e thjeshtë, për të cilët ai realizoi cikle të plota e të një rëndësie të veçantë. Princat e pashallarët hijerëndë shqiptarë, pikturohen krahas kreshnikëve dhe balozit, bareshës e malësorit me dhitë e tij, familjes cigane dhe familjes malësore që udhëton në borën e ngrirë dhe në vapën e verës.

Figurat e tablove të tij janë skalitur me penelata të ngjeshura për personazhet historikë si: Ali Pashë Tepelena, Shote Galica, Ndre Mjeda dhe si në një ritëm Migjenian në pikturimin e temave nga jeta e përditshme e malësorëve. Ata vizatohen në mënyrë sa realiste aq dhe të fuqishëm si karaktere. Ismail Lulani ishte artisti që krijimtarinë e tij ja kushtoi veçanërisht motiveve nga jeta e njerëzve të thjeshtë, të malësorëve dhe fshatarëve të zonës veriore.

Lulani në një far mënyre e ka çmitizuar jetën idilike të legjendave shqiptare, malësori i pikturuar prej tij është njeriu i thjeshtë dhe ndofta pak i kërrusur nga hallet e jetës që ecën me hapa jo të sigurt mbi borën e trashë apo vjeshtën e përflakur në pyjet me drurë të rallë dhe mullarët e kashtës, prapa së cilëve duken shtëpitë e fshatit.

Krijimtaria artistike e piktorit Ismail Lulanit ishte e gjerë dhe e larmishme (mbi 30 vjet krijimtari). Ai ishte portretist, peizazhist dhe realizues i tablove kompozicionale me temë historike e sociale.

Ismail Lulani lindi në Tuz (Republika e Malit të Zi) më 26 mars 1933. Ai pasi kryen shkollën fillore në vendlindje, në vitin 1945 familja e tij vendoset me banim në Shkodër. Lulani fillimisht kryen studimet të mesme për mjekësi (1949–55) dhe si ndihmës mjek do të punojë deri në vitin 1962. Por pasioni i tij i fëmijërisë ishte piktura, ai kish qënë nxënës i At Leon Kabashit dhe Vladimir Janit. Me këmbënguljen e miqve të tij, piktorëve Angjelin Dodmasej dhe Franc Ashiku, Lulani kreu studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1962-1967). Ateljeja e pikturës drejtohej në ato vite nga piktorët Nexhmedin Zajmi, Sali Shijaku dhe Vilson Kilica. Ndofta realizmi i thellë i Zajmit dhe ekspresiviteti i Shijakut “kanë gjetur hapësirë” në inturitën artistike dhe ndjenjën e papërsëritshme të ngjyrës potente të Lulanit, që gradualisht nga njëra tablo në tjetrën u plotësua me “njolla të shpërndara plot dritë”.

Në veprat e tij sidomos rreth viteve 1970-1980, ndjehet prirja drejt pasurimit të paletës piktorike. që gradualisht nga tabloja në tablo plotësohet me ngjyrën e kuqe, e cila fillon e zë vendin kryesor dhe e bën Lulanin të evidentohet me një stil të veçantë piktorik. Lulani edhe pse realizonte tablo me temat e kohës së periudhës socialiste, priret drejt dekorativitetit, por ai pikturën e trajton me penelata ekspresive e ngjyra potente. Piktori Lulani dallohej në ato vite prej motiveve të veçanta që trajtonte dhe nga mënyra e vizatimit të personazheve, që të japin impresionin e njerëzve që përballojnë vështirësitë e jetës në mënyrë të natyrshme dhe pa poza apo gjeste.

Vepra e tij e parë e ekspozuar në publik ishte peizazhi nga Hidrocantrali i Vaut të Dejës (1969). Më tej Lulani do të ishte prezent me tablotë e tij në të gjitha ekspozitat e Konkurset Lokale dhe Kombëtare. Temat e koleksionit piktorik të Lulanit ishin të inspiruara nga këngët e kreshnikëve (Muji dhe Halili), Gjergj Elez Alia, nga baladat shqiptare (Kostandini dhe Duruntina), nga historia e popullit shqiptar (Figura e Skënderbeut, Ali Pashë Tepelena, Kara Mahmut Pashë – Bushati, Shote Galica), nga shumë figura, ngjarje të luftës nacionalçlirimtare, nga periudha e ndërtimit të socializmit dhe veçanërisht nga jeta dhe puna e njerëzve të thjeshtë.

Nga tablotë e shumta me temë historike të realizuara para viteve ’90, një vend të veçantë ze ajo me titull ”Shote Galica”(1974, GKA), të cilën artisti e ktheu në një figurë simbol të trimërisë - luftëtares legjendë të Kosovës. Në këto vite vihet re se Lulani largohet nga pikturimi i peizazhit realist - narrativ, duke realizuar vepra të kësaj gjinije me prirje simboliste-ekspresioniste “Fushë Kosovë” (GKA,),

Pas viteve ’90 Ismail Lulani i kushtohet kryesisht peizazhit të zonave veriore shqiptare, i cili dhe më parë e tërhiqte artistin. Lulani ka krijuar cikle të tëra tablosh me këto motive që mund të grupohen dhe sipas stinëve të vitit: cikli i peizazheve të vjeshtës, cikli i peizazheve të dimrit, cikli i bariut me dhi, cikli i çiftit malësor në udhëtim. Piktura e Lulanit ka një freski koloristike, që ndofta buron dhe nga kontakti i artistit me natyrën e zonës së Shkodrës si dhe nga ndikimi i artit popullor të trevave veriore, gjë që vihet re veçanërisht në koloritin e ndezur dhe dekorativitetin që ai krijon. Në tablotë e tij Lulani i trajtoi motivet shqiptare në disa këndvështrime dhe mund të konsiderohet si piktori i Shqipërisë së Veriut.

Përveç tablove historike që ishin të pranishme në ekspozitat Kombëtare para viteve’90 (Dedë Gjon Luli, Shote Galica, Çast beteje, Malësori).Ismail Lulani u ”dashurua” shumë me peizazhin. Në mënyrë të veçantë elementi mbizotërues në peizazhet e tij, përveç bukurisë natyrore, është “motivi baritor”. Ndofta për artistin motivi lidhet me jetën e vështirë dhe të thjeshtë të malësorit–bari në malësi. Këto personazhe-barinj, kanë krijuar një “personazh – imazh”, që e shohim të realizohet nga piktori herë në një tablo e herë në tjetrën. Ai është një figurë tërheqëse, më shpesh i moshuar, me veshjet popullore të zonës e që artisti parapëlqen ta pikturojë në dëborë, i shoqëruar herë nga dhitë e tij dhe herë nga kali apo dashi me brirë tejet të mëdhenj.

Ndodh që më shpesh figura në tablotë e Lulanit paraqitet me pamje nga prapa duke ecur – “Ikja”. Ky personazh që gradualisht ze vend dhe është prezent në mjaft nga tablotë e tij, krijon një tip piktorik që piktori priret ta pikturojë me mjaft dashuri në shumë vepra kryesisht peizazhe. Artistin e tërheq veçanërisht jeta e njeriut të thjeshtë që duke e paraqitur gati gjithmonë në ecje me shpinë, duke u drejtuar në thellësi të tablosë, duket sikur ai i drejtohet të panjohurave dhe të papriturave të jetës. Pikturimi i këtyre personazheve “mister” në mes të dëborës, apo dhe duke kaluar në mes pyjeve vjeshtorë

gati fantastikë me drurë të grupuara në peizazhin e thyer kodrinor, i kthen ato për spektatorin në personazhe “mister – hije”, duke shkaktuar shqetsim dhe kuriozitet për fatin e tyre.

Në përgjithësi vërejmë se ne krijimtarine e pas viteve ’90, te Lulani ka një notë e lehtë trishtimi dramatik, një trishtim dhe heshtje sikur i përshkon të gjitha tablotë e tij në ciklin kushtuar personazheve malësorë. Nëse do ta klasifikonim pikturen e tij si një

alegori sociale të viteve të tranzicionit sigurisht që në veprën e tij do të ndjenim dhe kuptonim mesazhe të rëndësishme. Këtë cikël tablosh që mund ta quanim “cikli i veriut”,

Lulani evidenton vështirësitë e jetës së familjeve malësore, që jetojnë në vetminë, zakonet e botën e tyre të veçantë. Edhe pse ato janë personazhe të fundit të shekullit të XX, ato duken sikur artisti i inxjerr nga thellësitë e kohrave, të legjendave shqiptare, nga një jetë që ka brenda saj thjeshtësi, sa dhe dramë e vërtetësi. Në momentet që Lulani pikturonte personazhet e tij, shqipëria kalonte mjaft vështirësi social – ekonomike të pas viteve ’90. Vështirësi të dhimbëshme që mjaft dukshëm vihen re në tablotë e tij që piktori i zgjidh natyrshëm në mënyrën e ecjes, të veshjes së trishtë dhe situatës ku ata ndodhen. Personazhet e Lulanit asnjëherë nuk janë të pikturuar në ambjente komode–brendi, në peizazhe me bukuri magjepsëse, në lugina apo kroje të freskët. Ata janë njerëz të thjeshtë që piktori i do dhe i respekton, artisti i pikturon ato herë grafikisht mbi dëborën e bardhë dhe herë duke u shkrirë si kolorit me peizazhin apo subjekte të tjera të tablosë – tokën, pyllin, dhitë, kalin, diellin.

Brenda tablove të krijohet ideja se ngjarjet ndodhin në një atmosferë ireale ku magjija ndërthuret me misterin, drita e natyrës ka më së shumti tingull kozmik, çdo gjë është e ndriçuar fort. Ngjyrat kanë një forcë të veçantë shpirtërore dhe ekspresioni i penelatave kalon në virtuozitet. Shpesh ndërthuret peizazhi dimëror me atë vjeshtor dhe nuk kuptohet qartë se pse ndodh kjo magji e natyrës. “Dielli dhe më pak hëna” lëshojnë një dritë pa kontraste, piktura merr theks grafik në tablotë me borë, ku dekorativiteti mbizotëron çdo tablo, duke krijuar një muzikalitet të heshtur e të trishtë. Një vjeshtë e plotë me ngjyra pikante mbizotëron në tablotë me peizazhin verior. Piktori zakonisht nuk ndalet në pikturimin e maleve te mbuluara me dëborë, apo të bukurive natyrore. Vemëndjen e artistit e tërheq njeriu i thjeshtë më së shumti temat e tij janë:” malësori bari me dhitë apo bagëtinë e tij”, “Familja cigane”, “Familja malësore” , “Shkodra – jeta – pazari”, “Gratë mbushin ujë te pusi”, “Gratë e Tuzit” etj.

Në tablotë e Lulanit, nuk vërejmë male të thepisur me bukuri magjepsëse, apo hone të thellë me ujëvara, asgjë e tillë nuk pikturohet nga artisti. Vëmëndja e tij drejtohet diku tjetër. Ai parapëlqen të pikturojë një mullar të vetmuar i rrethuar me gardh druri në mes të pyllit me borë. Njerëz që udhëtojnë në mes të pyjeve me drurë të rallë në vjeshtën e kuqe flakë, por me një bukuri të paparë e magjepsëse nga peneli i Lulanit. Ai është sa delikat në trajtimin piktorik veçanërisht në peizazhet me borë, sa dhe shpërthyes e i papritur në tablotë me peizazhe vjeshte, portrete, figura e kompozime figurale.

Veçanërisht qielli në tablo ka një rol me mjaft interes për piktorin, ai e trajton atë në disa mënyra mjaft personale: kur qielli është i plotë si ngjyrë janë retë me pasuri koloristike si dhe dielli i madh ngjyrë të bardhë, të kuqe, të verdhë, jeshil, blu që qarkohet me shirita me ngjyra më me dritë; por ndodh që qielli të mos ketë qetësi dhe atëhere panelatat ekspresive krijojnë emocione të fuqishme koloristike.

Shpesh na duket se jemi kthyer ne Shkodrën e fillimit të shekullit XX, ku gra me veshjet e tyre karakteristike shqiptare qytetare, lëvizin nëpër qytetin e tij të ndërtuar sipas imagjinatës Ismailiane, ku ndërtesat e qytetit “mbështeten” lehtë tek njëra-tjetra. Një Shkodër krejt tjetër, magjike dhe e hymnizuar nga piktori paraqitet, ndofta nga kujtesa e fëmijërisë së tij dhe ajo ku ai jetonte, por me një tingull poetik dhe dashurie të veçantë. Edhe pse tablotë për qytetin ku ai jetoi dhe zhvilloi krijimtarinë gjatë gjithë jetës nuk janë të shumta në numër, do të mjaftonte vetëm një tablo prej tyre për ta ndjerë magjinë, poezinë, madhështinë dhe jetën e këtij qyteti legjendë e jo të zakonshëm për artistin.

Ai nuk pikturoi qytet tjetër përveç Shkodrës.

Lulani e ktheu veprën piktorike në një realitet magjik, mjaft të veçantë dhe unik në peizazhin shqiptar të shekullit të XX e më tej.

Pikturimi i imazhit të korbave në plan të parë dhe mbi pemët e thata dimrorë pas viteve ’90 fillon të jetë prezent në tablotë e Lulanit.

Pra nëse do të ndalemi dhe të vërejmë me kujdes tablotë e kësaj periudhe (kryesisht peizazhet dimrorë) do të dallojmë menjëherë disa personazhe të përzgjedhura nga artisti për veprat e tij si: dhitë, dashi me brirë të përdredhur, korbat, mullarët që mbizotërojnë. Banesat për artistin janë dekori i tablove të tij, ku personazhet e lodhur nga rruga e gjatë do të arrijnë të çlodhen. Shpesh në tablo nuk kuptohet koha apo momenti se kur ndodh ngjarja, është mëngjes, drekë apo natë. Për piktorin tabloja ka marrë vlerën e një ikone mesjetare ku çdo ngjyrë dhe personazh kthehen në simbole domethënëse. Lulani kështu krijoi kodin e tij piktorik të veçantë, një kod që është çelësi i zbërthimit të mesazheve që artisti e paraqet: herë qetësisht në ftohtësinë e akullt dimrore dhe më shpesh me zjarrin e ngjyrave Ismailiane ekspresive, ku e kuqja si tek Onufri i madh është prezent në çdo tablo.

të tij.

Ismail Lulani krijoi në sisteme shoqërorë të ndryshëm, por ai mbetet një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar të shekullit të XX.

Tiranë, më 14.03.2008

*Ylli Drishti, studjues arti

Burimet Bibliografike:

· Arkivi i G.K.A. Tiranë - Kartela personale e autorit.
· Kuka V.Suzana “Monografi me artistë shqiptarë të shekullit XX”, GKA, Tiranë, 1999
· Drishti YLLI,”Ismail Lulani”, fq.71-72, “PamoART”- Nr 7-8, Revistë kulturore – shkencore, Botim i GKA, , viti VI, 2003

Biografia artistike
26.03.1933 Lindi në Tuz (Mal i Zi).
1940 – 45 Kreu studimet fillore në Tuz dhe më 1945 familja transferohet me banim në fshatin Shtoj pranë Shkodrës. Më 1946 familja Lulani venodset në Shkodë
1949 – 55 Kryen shkollën e mesme për ndihmës mjek dhe punon si ndihmës mjek deri në vitin 1962
1962-67 Kryen studimet e larta për pikturë në Institutin e lartë të Arteve,Tiranë
1967 Mbron diplomën me tablonë „Ded Gjo Luli me trimat“
1970 – 79 Pedagog i pikturës në shkollën e mesme artistike “Preng Jakova”
Nga viti 1969 – 90 pjesmarrës në të gjitha Ekspozitat dhe Konkurset kombëtare brenda dhe jashtë Shqipërisë.(Kinë, Algjeri, Itali, Tunizi, Egjypt, Greqi, Rumani, Francë, Serbi, Kosovë, Maqedoni, Irland, Mal i Zi, SHBA,

Vlerësime dhe çmime
1968 Çmim Republike i klasit tretë për veprën “Çlirimi i Kosovës”
1970 Urdhëri “Naim Frashëri”, Klasi III.
1979 Titulli “Piktor i Merituar”
1981 Çmim i dytë për tablonë ‘Fushë Kosovë”.
1984 Çmimi i tretë për tablonë “Bjeshkët e namuna”.
1989 Urdhëri “Naim Frashëri”, Klasi I.
Titulli “Piktor i Popullit”
1993 del në pension por vazhdon krijimtarinë në studion e tij në Shkodër.
Tetor 2002 ndahet nga jeta nga një sëmundje e papritur
2003 Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës i jep titullin “Krenaria e qytetit”

Në fondin e GKA, Tiranë ndodhen 27 vepra të piktorit Ismail Lulani. Vepra të Lulanit ndodhen dhe në fondin e GA, Shkodër (28 vepra) dhe të mjaft koleksionistëve privatë në Shqipëri e jashtë saj.

“MEZURAJ MUZE” ka në fondin e saj një koleksion me 48 vepra të piktorit Ismail Lulani. Një koleksion mjaft i rëndësishëm me krijimtarinë e artistit të periudhës 1962 - 2002 ruhet në familjen e piktorit.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?