Politikë

9 muaj në qeli, Partia e Lirisë: Meta është i burgosur politik vetëm për qëndrimet e tij

22 Korrik, 12:16| Përditesimi: 22 Korrik, 19:00

  • Share

Në 9-mujorin e burgosjes së Ilir Metës, i pandehur nga SPAK për tre akuza, Partia e Lirisë njoftoi një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.  Megjithatë, Sekretari i saj i Përgjithshëm Tedi Blushi dhe avokati Kujtim Cakrani, përsëritën të njëjtat pretendime dhe akuza për persekutim politik të ish Presidentit. 

“Metës i janë penguar qëllimisht takimet me deputetë, eurodeputetë, me familjarë si motra dhe fëmijët, si dhe me avokatët. Rrëmbimi i Metës dhe izolimi politik i tij ka ndodhur fund e krye për arsye se regjimi i tmerruar nga të vërtetat e Metës edhe kur thuhen nga kabinat telefonike të burgut 313 po i cenon lirinë e fjalës si masë represive që ndodhi veçanërisht pas dy lidhjeve telefonike me gazetarë. Ai dhe familja e tij janë në përgjim, nga punonjës anonim të BKH”, tha Blushi. 


Rrezik shumë të madh për demokracinë e quajti edhe avokat Cakrani trajtimin e Ilir Metës. 

“E kanë harruar Presidentin në qeli, edhe enver hoxha ore me ligj i dënonte. Ndaj zotit Meta ka zero prova. Nuk ka shkelje.  Ne nuk do t’i ndalemi kësaj beteje. Edhe sikur ata të mbyllin dosjen dhe të pushojnë akuzat.", u shpreh Cakrani. 

Ilir Meta, i pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, qëndron në paraburgim që prej 21 tetorit 2024. Masa e tij e sigurisë është konfirmuar deri në Gjykatën e Lartë, ndërsa tashmë ish Presidenti shpresën e vetme e ka në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon lirimin për shkelje të të drejtave të njeriut. 

Së bashku me ish Ish-Presidentin Meta e pandehur për dosjet e dosjet e CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror është edhe ish bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?