9 qershor ‘99/ Marrëveshja e Kumanovës që “vulosi” çlirimin e Kosovës

10 Qershor, 15:49| Përditesimi: 10 Qershor, 16:03

  • Share

Pas 78 ditësh bombardime që NATO kreu ndaj strukturale militare serbe, marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor 1999, por e hyrë në fuqi 2 ditë më vonë, i dha fund luftimeve. Me këtë marrëveshje që u nënshkrua nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë gjeneral Michael David Jackson dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviç, Serbia u detyrua t’i tërheqë të gjitha forcat e saj policore e ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi kufijtë serbe për 2 muaj e gjysmë si dhe pas përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund, gjatë të cilës mbi 15 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur dhe mbi një milionë u zhvendosën.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në të njëjtën kohë, u shpërbë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?