Të paktën 9 shqiptarë të vdekur me COVID-19 në SHBA, mbi 30 të prekur

4 Prill 2020, 10:11| Përditesimi: 4 Prill 2020, 10:30

  • Share

Të paktën 9 persona me kombësi shqiptare kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të prekur me COVID-19, ndërkohë që mbi 30 shqiptarë janë të infektuar. 

Ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, sqaron se anëtarët e komunitetit shqiptarë janë 3 nga Shqipëria, 4 nga Maqedonia e Veriut dhe 2 nga Mali i Zi. Mbi 30 anëtarë nga komuniteti ynë janë evidentuar në faza të ndryshme të sëmundjes, thotë ambasadorja, veçanërisht në Nju Jork dhe Nju Xhersi ku ka mjaft qytetarë në gjendje të rënduar, por të gjithë në kushte vetëizolimi në shtëpi.

"Me disa prej tyre është komunikuar drejtpërdrejtë në telefon, të cilët kanë informuar se simptomat e sëmundjes janë të rënda, por fatmirësisht të kalueshme në kushte shtëpie", shprehet Faber.

Individët trajtohen në spital vetëm kur janë në gjendje tepër kritike dhe kanë probleme me frymëmarrjen dhe kërkohet mbështetja e tyre me respiratorë.

"Ambasadorja Floreta Faber ka zhvilluar një sërë komunikimesh telefonike me drejtues të Organizatave dhe Shoqatave, përfaqësuesit fetar në disa shtete si dhe me anëtarë të spikatur të komunitetit shqiptare-amerikan, të cilët kanë konfirmuar se deri më tani, nga informacionet që disponojnë nuk ka përhapje në masë të rasteve të testuar pozitivisht me COVID-19 në shtetet respektive. Është kënaqësi të shikosh se komunitetet shqiptaro-amerikan nga e gjithë SHBA kanë organizuar grupe vullnetarësh në ndihmë të anëtarëve të komunitetit të cilët për shkak të moshës e kanë të pamundur daljen për realizimin e nevojave të tyre të përditshme. Në disa raste, komunitetet kanë organizuar ngritje fondesh që mund të përdoren në javët e ardhshme. Veçanërisht për t’u përshëndetur është puna e komuniteteve fetare që po ndihmojnë edhe në uljen e stresit dhe ankthit të individëve apo familjeve në këto kohë të vështira", njofton ambasadorja shqiptare në SHBA.

Kryediplomatja shqiptare thotë se nga bisedat ka mësuar se një pjesë e madhe e komunitetit kanë humbur dhe vendet e punës.

"Ambasada nxit anëtarët e komunitetit të jenë të vëmendshëm ndaj udhëzimeve të dhëna nga shtetet përkatëse për të përfituar nga ndihmat financiare të ofruara nga shteti amerikan. Vetë ambasada do mundohet të përmbledhë këto informacione dhe t'i ofrojë në gjuhën shqipe dhe të ofrojë adresat ku duhet të drejtoheni në çdo shtet.

Në ditët në vijim do vijojmë me kontakte të përditshme me anëtarë të tjerë të komunitetit në shtete të tjera ku ka një përqendrim të lartë të komunitetit shqiptar. Ambasadorja tashmë ka biseduar me përfaqësues në disa qytete të shteteve të Nju Jorkut, Miçiganit, Teksasit, Shtetit të Uashingtonit, Kalifornisë, Floridas dhe Filadelfias. Nëse përfaqësuesit e shoqatave që dëshirojnë të komunikojnë me Ambasadoren apo stafin e ambasadës, për pyetje apo për të ndarë informacione mbi situatën e komunitetit në qytetin e tyre, lutemi na shkruani në adresën [email protected] dhe ne do ju kontaktojmë menjëherë. Tregoni sa më shumë kujdes për vete, familjen tuaj dhe komunitetin që ju rrethon", - përfundon njoftimi.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?