Foto ilustruese

Ekonomi

’90 ditë karburant rezervë’, hidhet për konsultim publik drafti për Rezervën Shtetërore të Naftës

6 Tetor, 14:23| Përditesimi: 6 Tetor, 15:07

  • Share

Tre muaj pasi Kryeministri Edi Rama paralajmëroi krijimin e Rezervës Shtetërore të Naftës, që do të përdorej jo vetëm për raste të nevojshme/krizash, por edhe për të shpërndarë në treg me çmim më të arsyeshëm se tani me synim final uljen e faturës për qytetarët, është hedhur për konsultim publik projektligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave te sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj”.

“Ky projektligj përcakton detyrimet për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave te sigurisë për naftën bruto dhe nënproduktet e saj për të siguruar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit me naftë bruto dhe nënprodukte të saj në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në projektligj.

Referuar relacionit të projektligjit rezerva e naftës duhet të garantojë për të paktën 90 ditë furnizim, ndërsa detajet e sigurimit të sasisë së naftës do të caktohen me VKM.

“Shuma e përgjithshme e rezervave të sigurisë qe duhen te mbahen në Republikën e Shqipërisë ka si target te paktën 90 ditë e sasive te importeve mesatare ditore neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë te konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Rezervat e sigurisë për të arritur targetin do krijohen gradualisht dhe në mënyrë proporcionale në baze të Planit të Veprimit, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave”, vijon relacioni.

Kjo rezervë shtetërore do të menaxhohet, administrohet, magazinohet dhe shitet nga Autoriteti për Rezervën e Sigurisë të Naftës.

“Autoriteti për Rezervën e Sigurisë (ARS) Autoriteti është struktura përgjegjëse për krijimin, mbajtjen dhe përdorimin e rezervave të sigurisë. ARS është entitet publik, i cili autorizohet për të blerë, shitur, magazinuar dhe menaxhuar përdorimin rezervës se sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukte të saj për qëllime të këtij ligji për Republikën e Shqipërisë ose me delegim”, thuhet në pikën 1 të nenit 9 të projektligjit.

Burimet e financimit të këtij autoriteti do të jenë të ndryshme, nga një tarifë që do të vendoset mbi produktet energjetike deri tek financim nga buxheti i shtetit.

“Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës se Akcizës në përputhje me Ligji Nr. 61/2012 date 24.05.2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” ndryshuar;

iri. Kredi të mundshme të marra në përputhje me legjislacionin në fuqi;

iii. Të ardhurat nga shitja e rezervave;

iv. Të ardhurat nga shitja e shërbimeve;

v. Buxheti i shtetit.

vi. Burime të tjera”, thuhet në pikën 1 të nenit 10 të projektligjit.

Sipas kësaj nisme ligjore, rezervat do të aktivizohen në ‘kohë të këqija’ siç janë krizat që shkaktojnë mungesë furnizimi.

“Ndër efektet e pritshme është krijimi, mbajtja dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve te saj në përputhje me praktikat më të mira evropiane, si dhe përdorimi i këtyre rezervave në rast të reduktimit të papritur deri në mungesë të furnizimit të tregut me nënprodukte të naftës bruto”, thuhet në relacion.

Importi i karburantit nga tregjet e huaja ka ardhur gjithnjë e në rritje. Shifrat e drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se nga 2020-2024 janë importuar nga jashtë afro 3 milionë tonë karburant, me rekordin e shënuar vjet me në total 657 mijë tonë karburant i blerë nga jashtë.

Por trendi rritës nuk po ndalon as këtë vit, ku shtimi i kërkesës për naftë ndikuar edhe prej turistëve ka bërë që në 8 muajit e këtij viti të importohen afro 489 mijë tonë karburant.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?