Kultura

90-vjetori i Dritëro Agollit dhe 110-vjetori i MIgjenit/ Botimi ekskluziv i Akademisë së Shkencave: Diploma e shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg

13 Tetor 2021, 16:51| Përditesimi: 13 Tetor 2021, 19:44

  • Share

Botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, “Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni”, botuar ekskluzivisht nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me rastin e 90-vjetorit të Dritëro Agollit dhe 110-vjetorit të Migjenit, u paraqit në Konferencën shkencore “Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja”.

Prezantimi u bë nga akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave: Ç'është ky libër i panjohur i Dritëroit, që Akademia e boton sot?

Pesë vjet më parë autori, poeti ynë, akademiku ynë, na dha pëlqimin për ta përkthyer për qëllime shkencore tezën e tij të diplomës, mbrojtur në Universitetin e Petersburgut, me rezultatin "shkëlqyeshëm", me një oponente - çfarë oponentje - më të zonjën e albanologjisë ruse Desnickaja.

Titullohet "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe ja ku është.

Botimi u përgatit nga kolegu Sh. Sinani dhe ka një parathënie sintetike të kryetarit tonë prof. Gjinushi. Një parathënie ku argumentohet se Dritëroi e zgjodhi Migjenin sepse shihte vetveten në poetikën e tij.

Po pse e botojmë sot? Jo për t'i bërë nder autorit apo subjektit, sido që dhe ky do të kishte rëndësinë e një argumenti.

Para së gjithash sepse kjo tezë diplome, duke hyrë në qarkullim në bibliotekat tona albanologjike, do të nxisë shqyrtime të reja, sepse idetë e saj jo vetëm nuk janë vjetëruar, por përmbajnë të pathëna me rëndësi si për Migjenin, ashtu dhe për Agollin vetë.

1. Ky punim, nga pikëpamja kronologjike, është i pari me karakter monografik. Agolli e kaloi stadin e studimeve migjeniane nga niveli i parathënieve dhe recensioneve në atë të kërkimit shkencor.

2. Përcaktimet që i bëri D. Agolli veprës dhe personalitetit të Migjenit si shkrimtar revolucionar i realizmit kritik, duke pasur parasysh se më vonë ai u quajt pararendës i realizmit socialist, madje edhe poet i "botës së re", janë me një vlerë referenciale për të ndrequr çfarë u shkrua keq me zell ideologjik më vonë në historitë e letërsisë, duke e quajtur madje themelues të realizmit socialist.

3. Shkruar në një periudhë ideologjikisht liberale, në një metropol europian si Shën Petersburgu, teza e Dritëro Agollit nuk i njohu tabutë e mëvonshme, krahasimet ideore me "reaksionarët" emërndaluar Niçe e Dostojevski.

Sikur vetëm këto tri vlera t'i njohim tezës së diplomës së Dritëroit, shfaqur kronologjikisht në botën e letrave me një vepër të plotë serioze para sfidës së poezisë, mjaftojnë për ta bërë nismën tonë për botimin e saj një nismë akademike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Prandaj, mirë se erdhe, Migjeni i Dritëroit. Qendroni mirë e bukur krah njëri-tjetrit.


Lajmi kryesor:

Një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?