Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u ka uruar mirëseardhjen studiuesve dhe akademikëve në këtë përvjetor të dyfishtë të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.
“Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin te dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.”, tha akad. Skënder Gjinushi në konferencën shkencore kushtuar dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.
E veçanta e kësaj konference, veç kumtesave të pazgjedhura është paraqitja e librit "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni" dhe Botimi shqip i Tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, që rrëfen një fill të bukur lidhës mes shpirtit dhe talentit dhe shpirtit të ndjeshëm të dy shkrimtarëve.
Konfrenca që po mbahet sot në Akademinë e Shkencave drejtohet nga akad. Vasil Tole, prof. dr. Bajram Kosumi, z. Pëllumb Kulla
Fajla e e plotë e akad. Skënder Gjinushit:
Të nderuar pjesëmarrës, akademikë, profesorë, studiues, të pranishëm këtu, ardhur nga universitete të Shqipërisë e të Kosovës; si dhe ju, dashamirës të letërsisë, që jeni bashkuar me ne online;
Të dashur miq e familjarë të Dritëroit tonë të paharruar, si dhe ju studiues të Migjenit, poetit që e ktheu për herë të parë letërsinë në qytet;
Të nderuar përfaqësues e pjesëmarrës prej institucioneve shkencore shtetërore dhe prej shoqatave kulturore e atdhetare,
Mirë se erdhët në këtë përvjetor të dyfishtë, të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorit të lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorit të lindjes së Dritëroit.
Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin te dy poetë me vështrim nga e ardhmja, poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.
Të gjithë sot kemi marrë përsipër një detyrë të vështirë: të paraqesim nëpërmjet disa fjalëve e kumtesave vlerat e veprës e jetes së Agollit e Migjenit një mision ky gati i pamundur, por që vetë Dritëroi do të na i hiqte kete barre duke na then me shpoti: mos u merakosni se çdo të thoni ju për ne; pasi vepra e trashëgimia jonë flasin vetë.
Dritëroi ishte e mbetet një prej figurave emblamatike të letrave e te Akademise se shkencave. Ai është një ndër vlerësuesit e mbrojtësit e Akademisë e te akademizmit në Shqipëri edhe në ditë të vështira dhe është në nderin tonë të kujtojmë e vlerësojmë figurën e veprën e tij.
Për këtë dëshiroj të falënderoj gjithë kontribuuesit e kësaj konference duke përmendur posaçërisht ata që vijnë nga më larg prof. e mikun tonë Pëllumb Kulla, prof. e akademikun Ali Aliu, prof. Bajram Kosumin e prof. Merxhan Avdylin, të gjithë ata që bashkëpunuan në organizimin e kësaj konference.
Ne zgjodhëm si shenjë për këtë konferencë e përvjetor botimin e diplomës së Dritëroit për Migjenin. Kjo vete një zgjedhje nga ana e Dritëroit që paraflet për çka do të bëhej ai vet.
Nuk është rastësi që dy kollosët tanë të letërsisë Kadare e Agolli u morën me Migjenin, duke e cilësuar atë si një meteor që shkëlqeu në kalim e sipër apo si një uragan që u ndërpre, cilesime të cilat shkojnë po aq për vetë ata, por që fatmirësisht për letrat shqipe shkëlqimi e uragani krijues i tyre qëlloi jetëgjatë. Dritëroi ka shkruar pa ndërprerje për mbi 60 vjet radhazi. Ai, së bashku me Ismail Kadarenë, donte një letërsi të re, të një shekulli të ri dhe e realizoi atë.
Ky veteran i veprimit kombëtar e qytetar u bë shumë shpejt protagonisti i ndryshimit të rrjedhës dhe të fatit të letërsisë shqipe. Bashkë me homologet e tij ai do të bëhej shpëtimtar i nderit të letërsisë shqipe në një prej periudhave më kritike të saj.
Brezat që kanë jetuar në një kohë me shkrimtarin Dritëro Agolli; bashkëkohësit e tij, do të mbahen mend si breza me fat. Në personalitetin intelektual të Dritëro Agollit çmohet qe ne adoleshence figura e një prej antifashistëve më të rinj në moshë, që, si një partizan i vogël, siç ka shkruar ai vetë, iu bashkua një prej lëvizjeve më përparimtare të shekullit XX.
Dritëro Agolli është shkrimtar emancipues i poezisë shqipe në shqetësime dhe në teknika. Para gjashtë dekadash shkruante: Traditë po, por jo shtampë, dhe i qëndroi besnik sloganit që propozoi vetë.
Një prej kryevlerave të veprës së tij është se, e shtrirë në dy kohë, të përkundërta ideologjikisht me njëra-tjetrën, ajo ruan njëjtësinë e saj, si vepër humaniste, pa asnjë kontradiktë të brendshme dhe pa asnjë kundërthënie mes vedi.
Dritëro Agolli ishte dhe do të mbetet një figurë konvergjente për shoqërinë shqiptare. Kjo është fuqia e një karakteri të fortë njerëzor, që, me veprën e tij, hapi udhë më shumë se ndoqi udhë. Shumë është folur e do të flitet për veprën e tij. Është lëvduar e është qortuar, është laureuar e është penguar.
Vepra e tij i ka provuar të gjitha: i ka provuar dhe nuk ka luajtur nga vendi.
Përqasjen që duhet të kemi ndaj veprave e figurave të tilla si Migjeni e Agolli na e ka treguar vetë Dritëroi si studius. Në to, ashtu si në dy studimet e tij për Migjenin, ai dëshmon se si studiuesit profesionistë e opinioni i shëndoshë, dinë të vlerësojnë veprat dhe autorët e tyre nga vlerat që mbartin si të tilla, të pandikuar nga diferencat a indoktrinimet politike. Dhe për ta, për opinionin e gjerë e atë intelektual vepra e Migjenit e ajo e Agollit do të vlerësohen e çmohen gjithmonë.
Nderimi ynë sot iu drejtohet atyre, iu drejtohet lartësive të dy brezave, prej të cilëve letërsia shqipe ka marrë e do të marrë frymëzim e ndriçim. Dikur Agolli ka thënë se Akademia e Shkencave është pasuri kombëtare, të tillë do të mbeten edhe këto dy figura të letrave shqipe Migjeni e Agolli.
Punime të mbara konferencës!
Lajmi kryesor:
Një dorëshkrim i çmuar i Dritëro Agollit i dhurohet Akademisë së Shkencave nga e bija
J.GJ.//ReportTv.al