Sociale

92-vjeçari që sfidon vitet, u specializua në Bashkimin Sovjetik e mësoi shqiptarët si të prodhonin veshje, sot i vetmuar: E kaloj mërzinë me macen, është si njeri

15 Mars, 15:49| Përditesimi: 15 Mars, 16:08

  • Share

Në lulishte, mes zhurmës së makinave dhe fëmijëve që luajnë, Rustem Hasani, 92 vjeç qëndron ulur në një stol druri.  Ai mban një kapele të vjetër në kokë, teksa shikon përreth me një vështrim të qetë. Edhe pse ka 92 vite mbi supe, Hasani rrëfen për Report TV me një zë plot krenari se si ende kujdeset vetë për veten, duke sfiduar vitet.

“Unë lahem, ndërrohem  vet, gatuaj edhe ha vet. Aq sa kam fuqi. Unë shkoj mirë me gocën por edhe ajo ka problemet e veta. Unë kam një pension të mirë se kam punuar”, thotë i moshuari.

Ai nuk ankohet, por në zërin e tij ka një hije trishtimi. Vajza e viziton herë pas herë por siç thotë edhe ai vet, shoku i tij i jetës, nuk është më.

“Unë jam 92 vjeç i vitit 1934. Unë kam mbetur vetëm, një vajzë kam, ajo është e martuar në Astir. Vjen ndonjëherë me shikon. Tani jam vetëm, edhe gruan që e kisha si shokë edhe ajo iku, i iku mendja. Ajo kishte 20 e ca vite që vuante nga diabeti. Ajo ndërpreu ilaçet, si duket iu ngrit diabeti, natën me vuri mua gjumë edhe u hodh nga penxherja. Kur vjen policia, me trokit mua derën. Edhe me tha: Me kë jeton ti ? Me gruan i thashë. Po gruaja të ka rënë nga penxherja me tha. Si i thashë?  Ishte ora 2 apo 3 të natës, u morën ata pastaj”, tregon Rustem Hasani.

Ai tregon sfidat që ka kaluar në jetë. Në një kohë ku në Shqipëri po ndërtohej industria e parë e tekstilëve, Hasani dërgohet në Bashkimin Sovjetik për specializim, ku qëndroi për 2 vite.

“Unë në ’47 kam qene 2 vjet në Klimovski në Bashkimin Sovjetik, për tekstilet. Atëherë po ndërtohej kombinati i tekstilit, unë asokohe punoja si korrier i brendshëm. Atje ishin akredituar trupat diplomatik, nuk kishin vila e kështu. Unë i drejtoja. Me thotë ai drejtori: o Rustem ti je shtresë e varfër me biografi të mirë, a do të të bëj dokumentet që të shkosh për specializim për tekstilet, sepse do ngrihet kombinati i tekstilit.  Deri atëherë ne nuk prodhonim as fanellata asgjë, nga vinin nga Stambolli. Mi bëri dokumentet ai edhe me doli specializimi për jashtë. Shkuam ne atje te Klimovski, atje ishin ato gratë sovjetike, atyre u ishin vrarë burrat në luftën e dytë botërore, ato ishin te tekstilet atje, edhe ato na shoqëronin shumë.  Atje qëndrova 2 vjet, në ‘50-ën erdha”, - thotë 92-vjeçari.

Kur u kthye në Shqipëri, filloi të mësonte të tjerët, të ndante dijet e tij për tekstilet, për një industri që atëherë sapo kishte nisur. Vitet kaluan, dhe Rustemi vazhdoi punën si instruktor për 28 vite. Ai më pas kaloi në prodhim derisa doli në pension, i cili sipas tij ishte një realitet i hidhur.

“Kisha 3 paralele unë, i mësoja edhe përktheja ato materialet sepse ishin sovjetike. Unë punova 28 vjet atje e më pas u futa në prodhim. Atje merrja lekë shumë, merrja norma. Unë dola në pension në ’90. Domethënë dola në pension 55 vjeç. Kam 30 e ca vite që ha pension. Nuk merrem me asgjë, ja me punë shtëpie kështu. Shtruam pllakat vura penxheret, çfarë do merrem më unë? Po dole në pension ke marrë fund, sepse ndërpret çdo gjë”, kujton i moshuari.

Tani, gjithçka që i ka mbetur është një shtëpi e qetë dhe një mace që i ka lënë mbesa.

“E ndjej vetminë, rri shtrirë. Shikoj pak televizor ato lajme. Gjithë ditën shtrirë. Me ka lënë mbesa një mace, ajo është si njeri. Me do shumë.  Me atë e kaloj mërzitin, loz me atë”, thotë Rustem Hasani.

Megjithatë, çdo ditë, ai vjen në lulishte. Ulet në stol, vështron njerëzit që kalojnë, dëgjon të qeshurat e fëmijëve dhe për pak çaste, harron që është i vetëm.

G.M./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?