“NDIHMUAM SOT 9459 FAMILJE TË TJERA”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama ndërsa përmes një video tregon disa nga momentet kur punonjës social kanë shpërndarë ndihma për të moshuarit dhe familjet në nevojë.
Ndihmat të cilat ishin nga një pako me ushqime nuk janë të vetmet, pasi kujdo prej të moshuarve krahas këshillës për të mos dalë në asnjë moment nga shtëpia iu është kërkuar që për çdo lloj nevoje, qoftë kjo për ilaçe apo diçka tjetër, të kërkojnë asistim përmes një numri kontakti që iu është ofruar nga punonjësit social të pushtetit vendor.
“Punonjësit: Përshëndetje ne jemi përfaqësuesit e Bashkisë Cërrik…
I moshuari: Qofshit gëzuar…
Punonjësi: Me masat që ka marrë qeveria për njerëzit në nevojë iu shpërndajmë pako me ndihmë ushqimore.
I moshuari: Shumë faleminderit.
Punonjësi: … dhe bashkia do të jetë në dispozicion në çdo kohë. T’i gëzoni!
I moshuari: Shumë faleminderit për këto, por ne duam edhe ilaçe…
Punonjësi: Edhe punën e ilaçeve do ta zgjidhim”, thuhet në një prej bashkëbisedimeve mes punonjësve me një të moshuar.
Ndërkaq, po ashtu në një tjetër familje, një i moshuar i këtij qyteti ka luajtur disa tinguj nga violina e tij në shenjë falenderimi për ndihmën që i është dhënë.
Në programin për t’iu ardhur në ndihmë këtyre të moshuarve dhe këtyre familjeve në nevojë ka marrë pjesë edhe Fundjavë Ndryshe.
“NDIHMUAM SOT 9459 FAMILJE TË TJERA, BËNI DURIM, JU LUTEM DURIM, ASKUSH NUK DO MBETET PA NDIHMË! BESIM E DURIM!
ASNJË FUKARA, ASNJË PENSIONIST I VETMUAR NUK DO TË MBETET PA NDIHMAT BAZË, DERI NË FUND, NDËRSA KUSH KA LEKË TË USHQEJË EDHE AJFONIN, TË MOS I HARXHOJË BATERITË PËR T’U ANKUAR NË EMËR TË POPULLIT, PO LE TË INKURAJOJË FORCAT OPERACIONIT HUMANITAR NËSE NUK RRI DOT PA KOMENTUAR!”, shkruan Rama krahas videos.