VIDEO/ Shkuam, pamë dhe u kualifikuam! Shqipëria barazon 1-1 në Moldavi dhe pret zyrtarisht biletën për herë të dytë në një Europian

17 Nëntor 2023, 19:53| Përditesimi: 18 Nëntor 2023, 14:51

  • Share

FT/ Moldavi 1-1 Shqipëri (Baboglo 87' / Cikalleshi 25' (p)) 

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë në transfertë dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani. Minuta e 25-të ishte deçizive për tanët, që me sulmuesin kavajas Sokol Cikalleshi shënuan nga 11 metërshi i fituar prej Seferit. Fundi i ndeshjes ishte dramatik, me Baboglo që në minutën e 87-të barazoi ndeshjen për moldavët. Me këtë barazim kuqezinjtë janë zyrtarisht në fazën finale të Euro 2024.

Pas pjesëmarrjes në finalet e "Francë 2016", Kombëtarja siguron edhe matematikisht pjesëmarrjen në Europianin e dytë. Tanimë mendja e shqiptarëve do jetë më 2 dhjetor, kur hidhet edhe shorti për fazën finale të Europianit. Festa tashmë ka nisur jo vetëm në qytetet shqiptare, me tifozët që kanë stolisur kuqezi çdo ambient dhe makinat kanë nisur xhirot e suksesit.

Pas fërshëllimës së arbitrit, festa ka qenë e madhe te kuqezinjtë. Lojtarët, trajneri dhe stafi kuqezi janë përqafuar me njëri-tjetrin, teksa e kanë ndarë suksesin me tifozët.

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka folur pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024. Braziliani tha se e ka nder që është trajner i Shqipërisë, teksa për Gjimshitin tha se është një shembull.

"Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi.

Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë. Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin", tha trajneri.

Komentet kryesore të ndeshjes:

90+4' Mbyllet 1-1 ndeshja. Kombëtarja shqiptare siguron pikën e artë dhe shkon zyrtarisht në "Gjermani 2024".

87' Moldavi 1-1 Shqipëri. Baboglo barazon ndeshjen me një të majtë nga brenda zonës, befasohen kuqezinjtë.

80' Gjasula merr vendin e Bajramit.

75' Taulant Seferi godet shtyllën me një të majtë diagonale nga brenda zonës, topi u devijua nga portieri vendas.

62' Mirlind Daku merr vendin e Cikalleshit, përqafim i ngrohte mes kavajasit dhe Sylvinhos.

55' Nicolaescu godet nga jashtë zone, pret bukur Berisha duke devijuar në këndore.

47' Seferi tenton golin nga 23 metra, sfera del jashtë.

46' Nis pjesa e dytë në Chisinau.

45+2' Mbyllet 0-1 pjesa e parë.

25' Moldavi 0-1 Shqipëri. Cikalleshi kalon në epërsi Kombëtaren në minutën e 25-të me penalltinë e fituar nga Seferi.

20' Kombëtarja mban topin 73 përqind, kundrejt 27 përqind të vendasve.

16' Nicolaescu provon nga hyrja e zonës, Berisha e dërgon topin në këndore.

10' Tanët dominojnë lojën në minutat e para.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.

Renditja:

Ora 21:48
Jasir Asani 'kërcënon' të mëdhatë: S'e diskutoj, do shënoj supergola edhe në Europian


Shqipëria e futbollit u kualifikua për herë të dytë në Europian, kjo pas barazimit 1-1 në Moldavi. Pas ndeshjes foli edhe Jasir Asani. Sulmuesi theksoi se do të shënojë gola të bukur edhe në Euro 2024, ndërsa shtoi se pa tifozët asgjë nuk do të ishte e mundur.

"Jam shumë i lumtur sepse kemi gëzuar tifozët kudo që janë, pa ndihmën e tifozëve do të ishte e vështirë. Kemi sakrifikuar dhe kemi dhënë shpirtin. As që bëhet fjalë që do të shënoj supergola edhe në Evropian, por kemi një ndeshje tjetër të hënën. Do të ishte mirë që në një moment gjatë ndeshjes të pasoja te Hysaj, por kisha hapësirë për të goditur dhe provova portën. Megjithatë, jam i lumtur që u kualifikimin”, ka thënë Asani.

Ora 21:48
FOTOLAJM/ Kampioni i botës uron në shqip Asllanin, Pavard për kualifikimin: Hajde gëzuar

Kampioni i Botës me Francën, Benxhamin Pavard, njëkohësisht shoku i skuadrës te Interi i Kristjan Asllanit, ka uruar këtë të fundit për kualifikimin e kombëtares në Europian. Francezi në një live në rrjetet sociale i shkruan mesfushorit shqiptar ‘hajde gëzuar’, referuar arritjes historike të kuqezinjve.

Ora 21:24
Kualifikimi në Euro 2024, Kombëtarja i jep 9.25 milionë euro FSHF-së

Kombëtarja u kualifikua për në Euro 2024 dhe me këtë sukes të arritur nga kuqezinjtë, UEFA do shpërblejë FSHF-në për këtë triumf. Suksesi do t’i sjellë Federatës Shqiptare të Futbollit 9.25 milionë euro, shifër kjo që do jetë e njëjtë për 24 ekipet pjesëmarrëse në këtë event.

Veç kësaj shume, UEFA akordon edhe bonese prej 1.5 milionë euro për çdo fitore dhe 750 mijë euro për çdo barazim në fazën finale. Nëse tanët kalojnë grupin e fazës finale, një bonus shtesë prej 2 milionë eurosh do kalonte në arkat e FSHF-së. Veç saj, bonus prej 5 milionë eurosh do kishte edhe për secilin ekip që mbërrin në fazën gjysmëfinale.

Mesa duket pika në Moldavi është shumë e rëndësishme për futbollin në vend, me shumën që do investohej për zhvillimin e futbollit.

Ora 21:10
Shpërthen festa në zhveshtoren e kombëtares shqiptare, kuqezinjtë këndojnë e kërcejnë me këngë patriotike

 

Pas përfundimit të ndeshjes me Moldavinë, në dhomën e zhveshjes së skuadrës kombëtare shqiptare ka shpërthyer festa.

Nëpërmjet një “live” nga instagrami i Jasir Asani shihet atmosfera e zjarrtë mes kuqezinjve të cilët këndojnë e kërcejnë me këngë patriotike.

 

 

Ora 21:10
Katër lojtarët e Kombëtares që shkojnë në Europian për herë të dytë

Shqipëria e futbollit u kualifikua për herë të dytë në Europian. Pas "Francë 2016" tanimë tanët janë një nga 24 ekipet që do luajnë në Gjermani verën që vjen. Interesant është fakti se janë katër lojtarë të Kombëtares që kualifikohen për herë të dytë në Euro. Etrit Berisha, Elsi Hysaj, Berat Gjimshiti dhe Sokol Cikalleshi (të katërt titullar sot) e kanë shijuar suksesin edhe në 2016, teksa janë ende me ekipin. Për t'u përmendur është fakti se me De Biasin në stol, Gjimshiti nuk ishte pjesë e finaleve të "Francë 2016", duke u lënë jashtë ekipit, ndërsa sot është kapiten.

Ora 21:07
Ylber Ramadani me imazhin e Adem Jasharit: Nuk jam ndjerë kurrë kështu


Mesfushori i Kombëtares, Ylber Ramadani e ka festuar kualifikimin e Shqipërisë për në Europian me imazhin e heroit Adem Jashari të stampuar në bluzë, duke thënë pas Supersport se kurrë në karrierë s'është ndjerë kështu.

"Kjo bluzë e ka pasur lufëtëtarin që ka luftuar. Jam i lumtuar që në fund u kualifikuam. Kurrë në karrierë përpara ndeshjes nuk jam ndjerë nervoz si sot. Kurrë në karrierë nuk jam ndjerë kështu pas ndeshjes. Kemi një harmoni të madhe në grup. E kam shijuar çdo ndeshje të Kombëtares, por këtë më tepër. Kam bërë krenar të gjtihë shqiptarët, familjen time dhe vajzën time që po na ndjek tani", tha Ramadani.

Ora 21:00
Shqipëria në Euro 2024, Etrit Berisha: E dija se do luaja një tjetër Europian! Iu tregoj sekretin e kualifikimit

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha dha mendimin e tij për ndeshjen pas barazimit me Moldavinë, rezultat që na kualifikoi për në Euro 2024. Ai tha se ambicia e kombëtares që në fillim ka qenë kualifikimi për në Europian.

“Me të vërtetë një ndjenjë fantastike. Kemi bërë një rrugë të mundimshme. Kemi bërë një gjë fantastike. E dija se do të luaja një tjetër europian. Ambiciet tona kanë qenë të kualifikohemi. Rrugëtimi vetëm sa ka filluar dhe duhet të mendojmë për europianin.”- tha Berisha.

Duke e krahasuar me kualifikimin e vitit 2016, Berisha tha se hera e parë ka qenë më e vështirë për Shqipërinë pasi skuadra e kishte më të vështirë të shënonte gol.

“Me siguri që rrugëtimi i kampionatit europian tek ai i pari ka qenë më i vështirë. Për të shënuar gol ka qenë më e mundimshme, pasi kishim ekipe të forta përballë. Kurse sot kemi lotjarë që bëjnë diferencën. Por ky kualifikim më i bukur.”- u shpreh portieri.

I pyetur për sekretin e kualifikimit, Berisha tha se çelësi është grupi i lojtarëve dhe trajneri i cili ka ditur të menaxhojë.

“Sekreti është grupi. Kemi individë dhe lojtarë cilësorë. Kemi trajner që ka ditur ta menaxhojë grupin. Edhe kur kemi qenë në vështirësi kanë bërë diferencën dhe kanë ndryshuar rezultatin.” – përfundoi ai.

Ora 20:56
NOTAT/ Etrit Berisha më i miri në fushë, suksesi Euro 2024 erdhi nga... mbrojtja


Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë në transfertë dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani.

Barazimi emocionues bëri që kuqezinjtë të ishin me zemër "të ngrirë", teksa më i miri në fushë me notën 7.8 sipas "SofaScore" ishte portieri Etrit Berisha. Pas tij vijnë Seferi, Bajrami, Ismajli dhe Asllani.

Notat e ndeshjes
Ora 20:47
Shqipëria kualifikohet në Euro 2024, shpërthen festa në Tiranë e qytete të tjera

 

Shqipëria kualifikohet për herë të dytë në histori në një Europian. Kjo fitore ka ngritur peshë zemrat e tifozëve kuqezi, të cilët kanë  kanë dalë nëpër rrugët e Tiranës duke festuar.

Festa ka nisur edhe në Fier e qytete të tjera pas fërshëllimës së fundit të ndeshjes, ku tifozët të emocionuar kishin ndjekur sfidën në sheshe, edhe pse nuk munguan reshjet e shiut.

 

 

Ora 20:46
Gjimshiti bën kapitenin: Shqipëria ka tifozët më të mirë në botë, s'ishte ndeshja më e mirë

1700150879_beratgjimshiti.jpg

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti ka thënë pas kualifikimit në Euro 2024 se barazimi 1-1 në Moldavi nuk ishte ndeshja më e mirë.

"Përjetim i papërshkrueshëm. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë. Një pikë na çoi në Europian, jemi të gjithë të lumtur. Sa shumë shqiptarë që kishte në stadium, i falenderoj shumë të gjithë. Kemi tifozët më të mirë në botë. E kemi kuptuar që do të shkonim në Europian, kur fituam me Çekinë 3-0, ajo na dha vetëbesim. E menduam të gjithë që ishim të kualifikuar, por duhet të ishim të gjithë me këmbë në tokë. Gjithçka u arrit. Edhe herën e fundit isha në eliminatore, pastaj nuk shkova në Europian, të presim (qesh). Rëndësi ka të kemi shëndetin. Duhet të shfrytëzojmë çdo moment dhe të ndjejmë atë emocion”, u shpreh Gjimshiti për Klan TV.

Ora 20:34
Burri që 'veshi' flamurin kuqezi, Sylvinho: E kam nder që jam trajneri i Shqipërisë, Gjimshiti shembullor

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka folur pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024. Braziliani tha se e ka nder që është trajner i Shqipërisë, teksa për Gjimshitin tha se është një shembull.

"Meritë e djemve dhe të gjithë njerëzve që na kanë mbështetur, është nder të jem trajneri i kombëtares së Shqipërisë dhe të ndjej pasionin e njerëzve. Gjithçka është shumë e bukur. Nuk është vetëm Sylvinho, është Zabaleta, Doriva, Bulku i gjithë stafi.

Më shumë se taktika është pasioni dhe dashuria për futbollin, ka pasion në punën tonë. Rezultati nuk vjen shpejt, ne kemi bërë një punë të mirë dhe kemi marrë rezultat, është një kombinim i mirë. Moldavia po luante për gjithçka, nuk kishin çfarë të humbnin. Luanin me topa të gjatë dhe ishte e vështirë, ata nuk kanë humbur në shtëpi. Kanë humbur vetëm një ndeshje në kualifikuese, kundër nesh në Shqipëri.

Kombëtarja është e hapur për lojtarë të rinj, kemi një skuadër të konsoliduar, por kjo është puna e një kombëtareje, jemi gati të presim lojtarë që janë në formë. Gjimshiti? Ky djalosh e meriton shumë këtë moment,është shembull për të gjithë ne. Isha i bindur që ishte një grup i vështirë dhe të gjitha skuadrat mund të merrnin pikë. Mendoj se momenti vendimtar ishte pas ndeshjes me Poloninë dhe nuk e meritonim humbjen, aty ndryshoi sjellja e lojtarëve. Ishte moment kyç.

A do të fitojmë Europianin?

Ndeshja e radhës është kundër Ishujve Faroe, u shpreh Sylvinho për Supersport.

Ora 20:27
Armando Broja i bashkohet festës së Kombëtares: Jemi në Europian

Edhe Armando Broja i është gëzuar kualifikimit të Kombëtares në Evropian. I dëmtuar për një kohë të gjatë gati një vjeçare, sulmuesi nuk ka marrë pjesë në këto kualifikuese për tanët, teksa ka ndarë gëzimin. Ai ka shpërndarë postimin dhe tregon se Shqipëria është në Euro.

Ora 20:15
Armand Duka s'i mban lotët: Të bëjmë më mirë se në 2016, këta djem e duan fanellën kuqezi


Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë në transfertë dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani.

Menjëherë pas fërshëllimës së arbitri, në fushë festa ka përfshirë kuqezinjtë, teksa kreu i FSHF-së Armand Duka nuk i ka mbajtur lotët dhe ka thënë se ka besim se djemtë do bëjnë më mirë se në Francë 2024.

Si ndiheni pas kualifikimit?

Ishte fundi i një cikli shumë të bukur, një edicioni fantastik, ku çunat dhanë maksimumin. Kanë shumë cilësi, përveç shpirtit dhe dashurisë për fanellën. Falënderoj shumë çunat që ishin në fushë, Sylvinhon, stafin dhe tifozerinë e mrekullueshme në të gjithë rrugëtimin.

Lot gëzimi, të një populli që feston…

Jam shumë i bindur që të gjithë po festojnë, dikush duke brohoritur e dikush me lot. Ua dedikojmë suksesin atyre çunave fantastikë, që janë të gjithë të mrekullueshëm dhe me dëshirë të madhe për fanellën. Falënderoj të gjithë, edh mediat që na kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim

Tani do të përpiqemi të fitojmë edhe Europianin…

Është hera e dytë në Europian dhe do të provojmë të bëjmë më mirë se herën e parë. Atje ka shumë kualitet dhe është më e vështirë, por shpresoj të bëjmë sa më mirë.

 

Ora 20:13
Kualifikimi i Shqipërisë në Europian, reagon edhe UEFA

 

UEFA ka reaguar pas kualifikimit të Shqipërisë në fazën finale të Europianit 2024. Institucioni i futbollit evropian ka shpërndarë foton e Mujës, me përshkrimin "Shqipëria kualifikohet në Euro 2024".

 

Ora 20:07
VIDEO/ Përpara o burra, jemi në Europian! Festa e 'çmendur' e Kombëtares, Sylvinho i përqafon të gjithë dhe ndan gëzimin me tifozët

 

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Moldavisë në transfertë dhe zyrtarisht kuqezinjtë janë në fazën finale të Europianit 2024, që do zhvillohet verën që vjen në Gjermani.

Pas fërshëllimës së arbitrit, festa ka qenë e madhe te kuqezinjtë. Lojtarët, trajneri dhe stafi kuqezi janë përqafuar me njëri-tjetrin, teksa e kanë ndarë suksesin me tifozët.

Ora 19:46
VIDEO/ Befasohet Shqipëria, Moldavia na barazon tre minuta nga fundi

Moldavi 1-1 Shqipëri. Baboglo barazon ndeshjen me një të majtë nga brenda zonës, befasohen kuqezinjtë.

Ora 18:26
VIDEO/ Le të shpërthejë festa, Shqipëria shënon në Moldavi me penallti

Moldavi 0-1 Shqipëri. Cikalleshi kalon në epërsi Kombëtaren në minutën e 25-të me penalltinë e fituar nga Seferi.

Ora 18:04
VIDEO drithëruese, himni kombëtar në Moldavi! Si në 'Air Albania'

1700240464_kombetarja.jpg

Fillon Moldavi - Shqipëri. Momenti i himnit kombëtar të Shqipërisë në ndeshjen që po luhet në Moldavi ishte emocionues, me tifozët që kanë ngrohur atmosferën dhe duket se ndeshja po zhvillohet në "Air Albania".

Ora 17:29
Lojtarët priten me brohorima, kuqezinjtë mbushin stadiumin në Moldavi (VIDEO)


Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten "Shqiponjave" për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të "Gjermani 2024".

Tanimë lojtarët kanë dalë në fushë për nxehmjen e zakonshme, ndërsa janë pritur me brohorima nga tifozët kuqezi që janë më shumë se 1 mijë në stadium.

Ora 17:22
Dikur pjesë e Kombëtares, Lorenc Trashi për Report TV: S'kemi pasur grup më të mirë lojtarësh, Sylvinho deçiziv

 

Ish-mbrojtësi i Kombëtares, Lorenc Trashi foli para ndeshjes Moldavi - Shqipëri që luhet sot në 18:00. Për mbrojtësin e Ballkanit, Sylvinho është deçiziv dhe Kombëtarja nuk ka pasur ndonjëherë grup më të mirë futbollistësh se ky. Trashi foli në emisionin "Studio Live" në Report TV.

"Unë mendoj për këtë grup futbollistësh, duke pasur edhe Sylvinhon që ka futur një frymë tjetër edhe komunikimi, ekipi ka harmoni. Kombëtarja nuk ka pasur ndonjëherë grup më të mirë lojtarësh se ky.

Ramadani dhe Asani, dy shokët tuaj te Partizani? Nuk kam folur shumë këto ditë, më shumë flas me Ramadanin kur bën paraqitje në Serie A. Të dy i kujtoj me shumë mall, Ramadani ka bërë hapin e madh, luan në Serie A. Për Asanin cfarë të themi, e ka merituar një ftesë më herët, e ka treguar në ndeshjet e fundit. Të ketë më shumë lojtarë nga Superliga në Kombëtare", tha Trashi.

Ora 16:56
Kombëtarja luan me fanellat e zeza si në Armeni, pamje nga dhomat e zhveshjes së kuqezinjve (VIDEO)

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten "Shqiponjave" për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të "Gjermani 2024".

Në këtë përballje ekipi ynë luan me fanellën e zezë, si tetë vite më parë në fitoren 0-3 kundër Armenisë, që siguroi edhe kalimin në finalet e "Francë 2016".

 

Ora 16:48
VIDEO/ 'O Cikallesh, tre gola sot'! Lojtarët e Kombëtares mbërrijnë në stadiumin moldav

Futbollistët e Kombëtares kanë mbërritur në stadiumin "Zimbru", ku sot në 18:00 luhet Moldavi - Shqipëri për Euro 2024. Një pikë i duhet tanëve për të zyrtarizuar kalimin në "Gjermani 2024". Pritje e ngrohtë nga tifozët.

Ora 16:41
VIDEO/ 'O sa mirë me qenë shqiptar', fillon futja e tifozëve në stadiumin 'Zimbru'

Ka nisur futja e tifozëve në stadiumin "Zimbru" në Chisinau, ku në 18:00 luhet Moldavi - Shqipëri. "O sa mirë me qenë shqiptar", dëgjohet në video.

Ora 16:32
VIDEO/ Tetë vite më parë fitonim 0-3 në Armeni, emocionet e kualifikimit në 'Francë 2016'

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten "Shqiponjave" për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të "Gjermani 2024".

Tanët kanë qenë në një situatë të njëjtë si sot edhe në 11 tetorin e 2015, kur fitorja 0-3 në Armeni na dha të drejtën që për herë të parë të luanim në fazën finale të një Europiani, pikërisht "Francë 2016". Autogoli i Kamo Hovhannisyan në minutën e nëntë, goli i Gjimshitit në të 23' dhe Sadiku në minutën e 76 vulosnin fitoren që na dërgoi në Europian për herë të parë.

Sot, djemtë e Sylvinhos kanë shansin për të bërë krenar një komb të tërë, që falë sportit tanimë janë në Europë.

 

Ora 16:19
FORMACIONET ZYRTARE/ Sylvinho befason me Asllanin, 'luftëtarët' e Kombëtares në Moldavi

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten "Shqiponjave" për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të "Gjermani 2024".

Trajneri ka vendosur edhe formacionin titullar, ku bie në sy se Asllani do jetë nga minuta e parë duke lënë pas dëmtimin. Nga ndeshja e fundit kundër Çekisë rikthehet në qendër të mbrojtjes Ismajli, teksa formacionin fitues nuk ndryshon.

Formacioni zyrtar:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Seferi, Asani, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Ora 16:13
Sylvinho lë në tribunë Arbnor Muçollin kundër Moldavisë


Sylvinho ka vendosur të lërë në tribunë sulmuesin e krahut, Arbnor Muçollin për ndeshjen ndaj Moldavisë. Muçolli që luan te Goteborgu në Suedi, do të jetë në tribunë për këtë ndeshje, në të cilën Shqipërisë i mjafton vetëm një pikë për të konfirmuar kualifikimin në Europianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

Ora 16:09
'Shqipëri o nëna ime', nis festa e Tifozave Kuq e Zi në Moldavi (VIDEO)

Pika që pritet aq shumë nga Kombëtarja për kualifikimin në Euro 2024 ka bërë që Tifozat Kuq e Zi të jenë të shumtë në Chisinau, për ndeshjen kundër Moldavisë. Tanimë kryeqyteti moldav është kthyer në një "Shqipëri të vogël", me tifozët tanë që kanë nisur festën me këngë patriotike dhe valle, ku nuk mungon flamuri kuqezi.

Ora 15:59
Kombëtarja luan në Moldavi, në 'Air Albania' po 'gatuhet' festa e kualifikimit (VIDEO)


Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 18:00 kundër Moldavisë në transfertë, për ndeshjen e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024. Një pikë iu nevojiten "Shqiponjave" për të nisur zyrtarisht fluturimin në fazën finale të "Gjermani 2024".

Ndërkohë që djemtë luajnë në fushën e "Zimbru", në Tiranë kanë nisur përgatitjet për festën e kualifikimit. FSHF ka menduar që ndeshjen e fundit të këtyre kualifikueseve, kundër Ishujve Faroe më 20 nëntor në Tiranë, ta kthejë në një ditë feste.

Ansambli Kombëtar ka nisur punën në "Air Albania", ku të hënë nuk do mungojnë veshjet dhe këngët popullore, për ta kthyer këtë kualifikim të dytë në një festë të madhe.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dori.L: 18/11/2023 01:18

    Suksese kombetares per kete arritje por degjoj keta tifozet qe broherasin o sa mire me qene shqiptar. Nuk e kuptoj cfar te mire ka me qene shqiptar? sepse ne jemi populli me i zgjuar ne bote? apo per skulpturat antike qe kemi nga paraardhesit tane?

    Përgjigju
  • Arbërori: 17/11/2023 22:05

    URIME DHE GËZUAR SHQIPËRIA IME MË E BUKURA E BOTES…!!!

    Përgjigju
  • redi: 17/11/2023 21:32

    Me ket ekip te mrekullueshem mnd te presesh cdo rezultat qe nuk mund te quhet surprize . Urime per kualifikimin

    Përgjigju
  • dulu: 17/11/2023 18:04

    Ah popull kot, patriot leshi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?