Sociale

Eurostat: 99% e të rinjve shqiptarë online çdo ditë, por 50% pa njohuri digjitale

19 Korrik, 13:58| Përditesimi: 19 Korrik, 14:37

  • Share

99% e të rinjve shqiptarë të moshës 16–29 vjeç ishin online në internet çdo ditë gjatë vitit 2024, sipas raportit të fundit të “Eurostat”. Në vendet e Bashkimit Europian, niveli i përdorimit të internetit të kësaj grupmoshe është 97%.

Ndërsa përqindja e popullsisë së përgjithshme që përdor çdo ditë internetin në Shqipëri është 83%, duke krijuar një hendek prej 14 pikë përqindjeje midis të rinjve deri në 29 vjeç dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

Por koha e qëndrimit online, në rrjete sociale, punë online apo aktivitete të tjera në internet, nuk përkthehet automatikisht në aftësi digjitale. Sipas Eurostat, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Vetëm gjysma e të rinjve shqiptarë, 50% të moshave 16-29 vjeç, zotërojnë aftësi digjitale bazë, shumë poshtë nga mesatarja e BE-së, rreth 71%.

Në Shqipëri nuk ka dallime mes gjinive, djemtë dhe vajzat zotërojnë përqindje të barabartë aftësie digjitale bazë. Por kjo nuk është rasti në shumicën e vendeve të BE-së. Në nivel evropian, vajzat janë më të avancuara se djemtë sa i përket zotërimit të këtyre aftësive. Në vitin 2023, 73% e vajzave në vendet e BE-së, raportohet se kishin aftësi digjitale bazë, krahasuar me 69% të djemve.

Diferenca më e theksuar u regjistrua në Kroaci, ku 94% e vajzave të reja zotërojnë aftësi digjitale bazë, krahasuar me vetëm 80% të djemve.

Ora 14:30
Fëmijët dhe të rinjtë në ‘kurthin’ e internetit! Psikologia: Ndjekin modelet e ‘VIP’-ave të TikTok! Familja dhe shkolla s’po bëjnë detyrën

Një statistikë e realizuar nga Eurostat, ka renditur Shqipërinë ndër vendet me nivelin më të ulët të përgatitjes digjitale në Europë. Vetëm gjysma e të rinjve shqiptarë, zotërojnë aftësi digjitale bazë, shumë poshtë nga mesatarja e BE-së, rreth 71%.

Në lidhje me këtë temë psikologia Enertila Bekteshi në një lidhje të drejtëpërdrejtë tha për Report Tv se prindërit dhe shkolla janë dy nga faktorët kryesorë se si të rinjtë përdorin internetin.

“Fillesa për këtë gjë është në shkolla, në institucione dhe ne kemi një mungesë edukimi. Moskoordinimi i institucionit të shkollës dhe pastaj roli i pjesës së familjes i bën këta fëmijë që ta përdorin internetin në mënyrë të gabuar. Ne nuk dimë të bëjmë kërkim, nuk dimë të përdorim hapësirat e botës së internetit. Inteligjenca Artificiale po përdoret në mënyrë të gabuar nga të rinjtë. Në Shqipëri kemi programe, platforma, por mungon pjesa e edukimit. Vëmë re që në institucionet e arsimimit, jo të gjithë profesorët janë profesorë që kanë mbaruar një shkollë për dhënien e IT”, tha Bekteshi.

Më tej ajo theksoi se shpeshherë është përballur me të rinj që nuk dinë ta shfrytëzojnë internetin, për shembull pë të bërë një punë.

“Jo pak herë unë kam pasur të rinj që nuk dinë të gjejnë një vend pune ose se si ta shfrytëzojnë hapësirën e internetit. Për të qenë të marketuar ose për të bërë një punë reale nëpërmjet internetit, pasi nuk kanë drejtimin e duhur. Edhe pandemia i ka lënë pak pasiv njerëzit pas përdorimit të rrjeteve sociale. Atë kohë e shfrytëzonim vetëm për fotografi apo për të hedhur gatime”, tha ajo.

Bekteshi nënvizoi se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrën sesi fëmijët e tyre e përdorin internetin.

“Pjesa më e kontradiktore e imja me prindërit qëndron në atë që unë i them që mos e kushtëzo duke ia hequr ti telefonin sepse, një edukim i mirë nuk shërben, nuk shërben aq mirë sa ndëshkimi që ti i jep fëmijës, pra i gjithë çelësi i një komunikimi të mirë prind-fëmijë për çështjen e telefonit qëndron në pjesën e marrëveshjes, në pjesën e edukimit apo qoftë të vendosjes së limitit apo të filtrave që në aplikacion ekzistojnë.

Detyra e prindit nuk është aq e lehtë. Ti duhet ta bindësh dhe duhet ta stimulosh, duhet ta vësh në punë. Ka një sërë procesesh që ti ta bësh një njeri aktiv. Nëse një prind i mirë e saktëson kohën e përdorimit të tabletit, të kohës që mund t'i kushtosh fëmijës. Nëse është një prind që nuk i kushton fëmijës kohë dhe i jep atij Ipad në dorë për të për të lehtësuar veten e tij, atëherë nuk është absolutisht, faji i fëmijës është faji i prindërve” u shpreh psikologia.

Në fund por jo më pak e rëndësishme ajo tha se njerëzit ndikohen shumë nga bota virtuale e veçanërisht nga TikTok.

"Jeta është bërë shumë virtuale dhe njerëzit shpërqëndrohen, fokusohen në pjesën e gjërave që interpretohen thjesht nga interneti dhe krijojnë atë monotoninë, atë varësinë. Truken aty tek ajo pjesë e imazhit të bukur, mundohen, përpiqen për të qënë ashtu dhe sigurisht që kjo shkakton ankth. Për fat të keq, kjo po shihet edhe tek moshat e mëdhaja, jo vetëm tek fëmijët, por edhe te moshat e rritura, gati gjashtëdhjetë vjeç. TikToku ka shfaqur fenomene të mosha të mëdhaja që dalin jashtë kornizave të pjesës së edukimit. Për mua ato janë pjesë e çrregullimeve dhe e vetmisë, e shumë episodeve pastaj që kanë në lidhje me shëndetin mendor", theksoi ajo.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?