Opinion

A do bëhet Shqipëria si e gjithë Europa, me moton: Kush grabit më tepër ai është usta dhe kush nuk plaçkit është krejt budalla!

23 Tetor 2021, 18:37| Përditesimi: 23 Tetor 2021, 18:41

  • Share

Është ‘pasqyra’ sot e gjithçkaje që nisi mbrapsht 30 vite më parë, pas rënies së komunizmit, si një ndër modelet më të shëmtuara ekonomike dhe politike të mundshme në botë, për “ndërtimin” e shtetit demokratik.

Mashtruan dje kur thanë se e nisën “ndërtimin” e Shqipërisë, duke shkatërruar dhe vjedhur pasurinë e përbashkët, atë publike, që u ngrit me shumë mund dhe djersë për 50 vjet nga shqiptarët. Mashtrojnë edhe sot dhe nuk thonë asnjë fjalë përse dhe si i zhdukën veprat e mëdha, të ngritura pa asnjë borxh, duke shfrytëzuar edhe punën vullnetare.

Politik-bërësit e një kohe të mbrapshtë ngritën si të vetmin model ekonomik vjedhjen dhe grabitjen e pasurive kombëtare të shqiptarëve, duke shkelur mbi djersën dhe sakrificat e popullit që për 50 vjet vuajti një ndër sistemet më totalitare në Europë.

Më të ndershmit, më punëtorët, më të drejtët, shumica dërrmuese e shqiptarëve të cilët punuan dhe besuan se vetëm me punë pavarësisht sistemit ndërtohej dhe zhvillohej vendi, jo vetëm nuk fituan asgjë, por mbetën spektatorë të grabitjes së djersës së tyre nga hajdutët, trafikantët, falsifikatorët, të paudhët, mashtruesit, kriminelët dhe frymëzuesit e tyre, të cilët sot prezantohen si të suksesshëm, të paarritshëm, njerëz të zotë, madje, madje shiten edhe si më patriotë.

Frymëzuesit e disa prej grabitjeve të shumta dhe të bujshme ishin pra, ata politikanë, të cilët ngritën dhe mbajtën si model zhvillimi sistemin ekonomik piramidal. U grabitën paratë njerëzve të ndershëm, para që ata i fituan me po aq mund e djersë, në vitet e para të emigracionit. I grabitën shqiptarët, pasurinë dhe të ardhmen e tyre, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

I vunë vulën dhe njollën e turpit grabitjeve të pasurive kombëtare në ’97, duke djegur Shqipërinë, dhe vepruan me të njëjtën strategji sa herë që plaçkitnin pa pasur asnjë turp, për të fshehur gjurmët dhe mëkatet. Fatkeqësisht nuk e ndalën kurrë modelin e tyre: atë të grabitjes. Grabitën gjithçka, derisa nuk u mbeti ndoshta asgjë më për të grabitur, veç pushtetit politik dhe juridik që kërkojnë ta mbajnë me çdo kusht, me qëllim për të mbrojtur pasurinë e vjedhur.

Me të njëjtën demagogji, se faji i prapambetjes historike-ekonomike i mbetet komunizmit, edhe për shkatërrimin e grabitjen e pronave dhe të pasurisë kombëtare, që nga bregdeti, hekurudhat, fabrikat, uzinat, pyjet, fushat, minierat, dhe pa mbajtur asnjë përgjegjësi, shumë prej tyre shiten sot si “ekspertë” të ekonomisë, model suksesi, progresi, premtojnë drejtësi, zhvillim, integrim.

Ata si të vetmin model suksesi që kanë, grabitjen, e shohin ende sot zhvillimin pa punë, pa treg, pa dije (me vetëdije), pa garë, pa një sistem drejtësie, pa të cilin nuk mund të ekzistojë një demokraci normale, funksionale!

Edhe vargjet e famshme të Nolit vërtetojnë se historikisht në Shqipëri nuk ka ekzistuar demokracia mbi parime shtet-formimi, sepse e djathta ka munguar, ose ka ekzistuar përmes një modeli: Kush fitonte më tepër, ai ishte usta dhe kush nuk plaçkiste ish krejt budalla.

Prandaj për grabitjet nuk mbajti kurrë përgjegjësi askush, për asgjë. ‘Drejtësia’ që ata ngritën si model pati vetëm një: grabitjen.

Sot Shqipëria është vendi i vetëm në Europë pa shërbim hekurudhor, edhe pse me hekurudha vlera e të cilit shkon në 30 miliard dollarë. Nëse do të bëhej një rivlerësim i tërë pasurisë kombëtare pas rënies së komunizmit, ajo besohet se kapte shifra prej qindra miliard dollarësh. E tëra e grabitur, ose e shkatërruar!

Ekonomia nga e çentralizuar normalisht duhej të kalonte dhe të përshtatej dalëngadalë në një ekonomi tregu, përmes një procesi të ndershëm privatizimi, me sektorë prioritarë si bujqësia, turizmi apo edhe industria e lehtë (vetëm kështu do të mund të tërhiqte investime të huaja dhe do të inkurajonte shqiptarët të ktheheshin për të investuar në Atdheun e tyre).

Çfarë ndodhi në 30 vjet? Cilët janë përgjegjësit e vërtetë të shkatërrimit të ekonomisë sonë?

Pyetje që e bëjnë më së shumti mes tyre vetë shqiptarët, ende pa një përgjigje!

(Shqiptarët i mësuan që të vidhnin edhe telat e telefonit apo shinat e hekurudhës për t’i shitur për skrap si kjo foto, gjatë grabitjeve në Lezhë, 1993).

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?