Altin Dumani dhe Ilirjan Celibashi, duke prezantuar strategjinë kundër krimeve zgjedhore

Opinion

A do mundet SPAK-u ta kthejë besimin tek zgjedhjet?

21 Shkurt, 21:55| Përditesimi: 21 Shkurt, 21:59

  • Share

Në një logjikë, kreu i opozitës, Sali Berisha e ka gati argumentin për gjendjen “humbëse” pas përfundimit të zgjedhjeve: Na u vodhën votat! Nuk bëhen zgjedhje të ndershme në Shqipëri.

Ashtu si nga ana tjetër, maxhoranca e ka “të fiksuar” fitoren dhe tashmë kryetari i saj, Rama në një gjendje aspak të mirë vetëm lëshon bubullima kundër medias, e negativizon opozitën me lloj epitetesh me metaforash gjithnjë e më të lira.

Në një pikë bashkohen Sali Berisha dhe Edi Rama, të dy liderët e kohëve “moderne” shqiptare: SPAK e ka kaluar vijën e kuqe. Maxhoranca e ka theksuar këtë pas masës së arrestit me burg të Veliajt, kurse opozita përtej çdo kufiri, duke mëtuar me gojën e Berishës se do ta shpërbëjë fare institucionin deri më tani simbol të Drejtësisë!

Akti i fundit i SPAK-ut për të hetuar krimin zgjedhor dhe prekja e të fortëve e ka tensionuar si pak herë situatën zgjedhore të kampeve të dy partive që zyrtarisht nuk mund të punojnë me rregulla të qarta loje. Ndaj ndodh rëndom tek ne që humbësi nuk e përshëndet fituesin dhe që vetëm ankohet.

Por strategjia e SPAK që i ka ngritur mahmur të dy krahët e politikës ka mundësi t’i lerë pa tekst sa i përket përdorimit të kamufluar të krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, apo përmes masave shumë të sofistikuara të teknikave të posaçme hetimore që po pretendohet të aplikohen së fundmi. Mëtohet se do të ketë përgjime intensive, monitorime në terren dhe kontrolle më të shpeshta me nisjen zyrtare të fushatës.

Por arrestimet me emra si Bajrat dhe Çopjet tregon se SPAK po godet në qelizë të problematikave, ashtu si dikur u punua për përgjimet e famshme që u publikuan për dosjet 339 dhe 184, nga u dëshmua sesi mblidheshin votat për socialistët por që në fund rezultuan me hiç. Për ironi nga vetë SPAK-u. Ndërkohë, SPAK ka frikësuar dhe njerëzit e PD-së, metodat speciale të të cilëve nuk është se bien më pas, por që tashmë janë kufizuar e minimizuar prej kohës së gjatë në opozitë, përçarjes dhe, letargjisë së tyre. SPAK-u me këtë rast po hesht dhe patronazhistët, kthyer në simbol të fitores së zgjedhjeve të shkuara.

Vetëm se ky inkursion tashmë duhet manifestuar me rezultate dhe nëse SPAK-u nuk e justifikon me respektimin e parimeve për të Drejtat e individit dhe nëse s’tejkalon kompetencat vendos një gur tjetër miliar, që do jetë shembull për standardet e këtyre zgjedhjeve. Kjo dihet mirë në kampin socialist sepse do jetë mbështetje për rrugën evropiane, ashtu si edhe për opozitën nëse do të dinë t’i kanalizojnë si duhet standartet. 

Por ka ende kohë, ashtu si ka shumë e shumë sfida, që SPAK-u të marrë meritat, të cilat publiku ka kohë që ia ka njohur. Por, a do mundet SPAK-u të kthej besimin te zgjedhjet? Është ende herët dhe kjo mbetet për t’u parë. /Javanews/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?